Kryemadhi për vendimin e Gjykatës së Durrësit: 30 qershor është nul. Prokuroria të hetojë KQZ

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar për vendimin e Gjykatës së Durrësit, e cila i konsideroi zgjedhjet në Durrës të pavlefshme dhe nuk i dha mandatin kandidates së PS.

Kryemadhi shprehet se vendimi i gjykatës tregoi se gjithë procesi i 30 qershorit është i pavlefshëm për shkak të shkeljeve që ka bërë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Nul! Pavlefshmëri absolute! Thjesht e saktë pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative”,- shkruan Kryemadhi.

Kryetarja e LSI kërkon nga Prokuroria që të nisë hetimet ndaj anëtarëve të KQZ për shkeljet e rënda ligjore dhe dëmin financiar me zhvillimin e procesit më 30 qershor.

Postimi i plotë i kryetares së LSI në Facebook:

“Nul! Pavlefshmëri absolute! Thjesht e saktë pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative.

Që pas këtij momenti çdo vendim i KQZ është nul. Pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim.

Gjithçka konsiderohet nul.

A mund të diskutohet tani mbi diçka që nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike??

Nul i gjithë procesi.

Zgjedhje nuk ka patur.

E vetmja pyetje tani që mbetet të bëhet është: Kush do të mbajë përgjegjësi tani për të gjithë dëmin ekonomik, juridik, moral, të krijuar nga veprimtaria e paligjshme e KQZ?

I bëj thirrje Prokurores së Përkohshme të fillojë menjëherë çështjen penale për “Shpërdorim detyre” në ngarkim të anëtarëve të KQZ”.

Lexoni edhe…