Gjykatat e Durrësit dhe Tiranës nuk japin mandatin e kryebashkiakut për Durrësin dhe Vorën

Vendimi i Gjykatës Durrës
Vendimi i Gjykatës Durrës

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka refuzuar t’i japë mandatin e kryebashkiakes, kandidates së PS, Valbona Sako.

Trupi gjykues i kryesuar nga Mimoza Margjerka ka vlerësuar se procesi i 30 qershorit në Durrës ka qenë i paligjshëm, pasi partia Bindja Demokratike është regjistruar në garë jashtë afateve që parashikojnë ligjet.

Lajmi i mosdhënies së mandatit nga gjykata konfirmohet për “Koha Jonë” dhe kreu i degës së PD në Durrës, Ferdinand Xhaferri.
Gjyqtarja e ka vlerësuar të parregullt dhe procesin e votimit të 30 qershorit, duke iu referuar Kodit Zgjedhor.
Sipas trupës gjykuese, Bindja Demokratike është regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit jashtë afateve që parashikon ligji. Pikëpyetjet për regjistrimin e Bindjes Demokratike janë ngritur edhe më herët nga media si dhe përfaqësuesit e opozitës, por mesa duket tashmë po del në pah se KQZ ka vepruar në shkelje me ligjin.
Ky është rasti i parë në këto zgjedhje kur një Gjykatë vendos të mos mandatojë kryetarin e ri të një bashkie. PS ka paralajmëruar se do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit vendimin e Shkallës së Parë. Nëse vendimi mbetet në fuqi, zgjedhjet në Bashkinë e Durrësit do të ribëhen.

Ndërsa disa gjykata të tjera kanë bërë interpretime të diskutueshme të ligjit duke njohur 30 qershorin, por Gjykata e Durrësit iu është referuar shkeljeve të rënda që ka bërë KQZ-ja duke regjistruar në garë parti jashtë afateve ligjore. Në mënyrë profesionale, Gjykata e Durrësit ka rrëzuar një proces farsë.

Po kështu u refuzua sot nga gjykata e Tiranës edhe dhënia e mandatit për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakut. Në këtë rast gjykata ka shpallur mos kompetencën e saj, duke ia kaluar gjykatës administrative vendimin për Vorën.

Vendimi i Gjykatës Durrës
Vendimi i Gjykatës Durrës

Gjykata refuzon t’i japë mandatin kandidatit të PS në Vorë

Basha: Në këtë vend ka ende gjyqtarë që e kanë të shenjtë Kushtetutën
Vendimi i Gjykatës së Durrësit për mos dhënien e mandatit kandidates së PS është vlerësuar nga kreu i PD, Lulzim Basha si një akt kurajoz i zbatimit të ligjit. “Farsa e 30 qershorit ishte masakër e Kushtetutës, e ligjit dhe e standarteve. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili sjell shpresë se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajo dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak”,- shkruan Basha në Facebook.
Kreu i PD-së paralajmëron se të gjithë ata që u bënë pjesë e procesit të manipuluar të 30 qershorit do të mbajnë përgjegjësi penale. “Farsa e 30 qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës, përmes të cilit ai uzurpoi pushtetin vendor, por edhe KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve përfshi kolegjin zgjedhor. Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”,– deklaron kreu i PD.