Sherri Andi Bushati-Henri Çili për Shkullakun dhe Lelën vazhdon

Pas shkarkimit të gazetarit të mirënjohur Armand Shkullaku nga drejtor i ABCNews prej Aleksandër Frangajt si dhe largimit nga detyra si drejtor i MAPO të Alfred Lelës nga Henri Çili kanë shpërthyer polemika në qarqet e medias se shkarkimet janë bërë prej pronarëve në fjalë, pasi ua ka kërkuar kryeministri Rama sepse kishin qëndrime të forta kundër qeverisjes.

Andi Bushati ka reaguar me një status të shkurtër, pas një replike të Henri Çilit në drejtim të tij.

“Të përçmosh Henri Çilin si model, nuk do të thotë të përçmosh fshatarin që ishte i aftë të ndryshonte dhe emrin për të pasur sukses dhe pasuri në qytet, ashtu sikurse kërkon të vetë viktimizohet ai. Të kesh neveri për modelin e tij do të thotë të përçmosh ata që shërbyen si zagarë të gardistëve në 21 janar, që u sollën si bandë vjedhësish votash pak muaj më pas, që i’u lëpinë Berishës e Bashës deri në qershor 2013 dhe që tani brohorasin për fitoren e Ramës në 2017 si një reformator i madh”, shkruan Bushati.

(Mbi ish-drejtorët Zheji e Lela dhe bastarditetin e Bushatit)

Botuesi i Mediave Mapo, Henri Çili, iu përgjigjet ish-drejtorëve Zheji e Lela për ndryshimin e linjës editoriale të gazetës dhe akuzave të Andi Bushatit se ka qenë kryeministri që ka kërkuar largimin e drejtuesve të gazetës. Tri fenomenet e shtypit shqiptar; mercenarët e mirëpaguar, botuesit dhe intelektualët

Nga Henri Çili

Nga pozitat e mia të mirëdeklaruara të sipërmarrësit, do të më duhet të marr hua disa shprehi dhe kompetenca të profesionit të dikurshëm të gazetarit, për të sqaruar një situatë dhe për më tepër për të sintetizuar një fenomen në funksion të një debati mbi lirinë e shtypit në Shqipëri.

Largimi i Armand Shkullakut si drejtori i ABC Neës dhe përfundimi i kontratës së Alfred Lelës si drejtor i MAPO-s, më 31 dhjetor të vitit të shkuar-të lidhura krejt rastësisht dhe për arsye krejt të ndryshme- kanë krijuar një shtjellë, një debat, një polemikë të re mbi rrezikun e lirisë së shtypit në Shqipëri. E lidhur kjo me ujq apo çakej që janë lart apo me pronarë të nënshtruar diktatit të qeverisë apo në shkëmbim dhe allishverishe me qeverinë Rama.

Dua të flas striktmërisht për gazetën MAPO dhe rastin e Lelës, dua të flas qartë për historinë time. Por fakti që historia ime është kështu më bën të besoj se të njëjtin problem kanë edhe sipërmarrësit e tjerë të medias shqiptare. Duke e njohur mjaft mirë profesionin e gazetarit dhe duke m’u dashur të kaloj qartë në rolin e sipërmarrësit dhe të botuesit, e shoh qartë dhe thjesht atë që ndodh realisht. Është pak a shumë si puna e juristit, që e sheh çështjen nga akuza dhe avokatia mbrojtëse.

Sqarimet për ish-drejtorët Zheji e Lela

Fillimisht sqarimet mbi ish-drejtorët e MAPO-s dhe miqtë e mi, Artur Zheji dhe Alfred Lela. Nuk ka pasur asnjë përfundim kontrate me Artur Zhejin për efekt të ndonjë presioni apo elementi tjetër që lidhet me cenimin e lirisë së shtypit, por ka pasur një përfundim strikt në afatin e duhur, me të gjithë termat e plotësuar nga ana ime të një kontrate me shkrim, të mirëdetajuar, mbi pozicionin e drejtorit të Botimeve MAPO, që përfshinte një detyrë më të madhe; përfaqësimin e linjës editoriale të botuesit, sigurimin e objektivave të caktuar me tirazhin, klikimet apo me marketingun dhe marrëdhëniet publike të kësaj logoje.

Në përfundim të kësaj kontrate, me qëllime qartësisht menaxheriale dhe aspak të lirisë së mendimit, Zheji mori nga unë një ofertë për të vazhduar të ishte opinionist i gazetës MAPO me honorare mjaft të përshtatshme, disafish më shumë nga pagesat normale zyrtare të shtypit shqiptar; për shkak të konsideratës apo subjektivitetit dhe miqësisë. Kjo është e vërteta e përfundimit të kontratës me zotin Zheji, për të cilin duhen bërë edhe dy saktësime të tjera. Po, ai ka pasur një pagesë shumë të lartë, të deklaruar, të taksuar dhe transparente, përfshirë në marrëveshjen përkatëse për t’i dhënë një drejtim menaxherial një medieje, e cila pas tri viteve të para të jetës u provua se ekonomikisht ishte e pamundur të dilte me fitim dhe e trajtuar nga viti 2013 si një donacion i Fondacionit MAPO.

Këto pagesa kanë qenë të larta, por gjithsesi jo aq sa e shet Zheji veten – 120 mijë euro në vit- por kanë qenë në total në 6 vjet bashkëpunim në formate të ndryshme në formë honorarësh, pagash apo bonusesh në shumën rreth 250 mijë euro- të shtrira në 6 vjet- dhe e kam bërë me vetëdije, për shkak se gazeta ishte e re dhe kishte nevojë për një impuls, duhej krijuar ex nuovo dhe për faktin se besoja se menaxhimi i mediave nga profesionistë, në një paketë editoriale-menaxheriale ishte një nga kushtet e lirisë së shtypit.

E dyta, jo vetëm që nuk ka asnjë kontekst të përfundimit të kontratës të zotit Zheji prej linjës editoriale, por ka një kontekst të interesit personal të Artur Zhejit në lidhje me kryeministrin aktual. Është interesi i tij për t’u zgjedhur drejtori RTSh-së dhe në momentin që kjo nuk u realizua kemi sot një Zheji nga një avokat i mazhorancës Rama-Meta në një prokuror të kryeministrit Edi Rama, çka është e drejtë e tij, siç është e drejta ime të them se e vetmja herë që kam folur me Edi Ramën për Artur Zhejin është lobimi im për Zhejin si drejtor i RTSh-së dhe e vetmja fjali që kam dëgjuar nga kryeministri Rama është: e kam parim, nuk e kthej asnjë njeri dy herë në të njëjtën detyrë.

Të njëjtën paketë trashëgoi edhe Alfred Lela, duke nisur nga data 31 mars e vitit të kaluar, identike e me të njëjtët terma. Dhe me të njëjtët terma në fund të vitit 2016, pasi konstatuam mosrealizimin e saj në ata terma përkatës dhe pasi kreva të gjitha detyrimet e mia, i dhamë fund kësaj marrëveshje menaxheriale, duke marrë siç e pohon edhe vetë Lela propozimin për të qenë komentator i lirë në gazetën MAPO në mendimet e tij të lira.

Të dy ish-drejtorët e MAPO, Zheji e Lela sipas kontratave të firmosura nga të dy palët kanë marrë pagesat e premtuara, por kanë dështuar në realizimin e zotimeve të marra në këto kontrata.

Meqenëse Zheji është një lojtar i sprovuar i medias shqiptare, me biografinë e tij për të cilën ka mendime nga më të ndryshmet, lidhur me Lelën ia vlen të sqaroj premisat jashtëzakonisht pozitive të kësaj figure të re të medias shqiptare, por të shpreh keqardhjen mbi të paktën një keqkuptim në lidhje me arsyet e mosvazhdimit të kontratës me MAPO.

MAPO, është shprehur, ai, në Zërin e Amerikës ka pasur ndryshim të politikës editoriale… MAPO nuk e ka ndryshuar politikën editoriale, së paku qysh nga koha kur Lela u emërua drejtor, por në përgjithësi në katërvjeçarin e fundit, madje-madje në mënyrë cinike do të thosha se nuk e ka ndryshuar asnjëherë, sepse ka pasur të njëjtën politikë editoriale; idetë liberale.

Në traditën e gazetave më moderne të botës, ndoshta shumë më të mëdha se ne, gazeta MAPO ka adaptuar qartësisht një linjë editoriale të përfaqësuar nga unë, me editoriale të posaçme ose në prag të zgjedhjeve, ose në prag të ngjarjeve të mëdha, ose në editoriale të fillimvitit. Si e tillë, linja editoriale e MAPO-s ka qenë në çdo fazë krejt e qartë. Ajo ka qenë dinamike, në përputhje me pozicionin e aktorëve shoqërorë, por ka qenë konstante, madje dogmatike me një ide; Liberalizmin.

Askush nuk mund të thotë një inkoherencë në qëndrimet editoriale të gazetës MAPO apo të miat. Ato kanë qenë gjithnjë në mbështetje të liberalizmit dhe tezave të tij. Kemi qenë gjithnjë me privatizimet, koncesionet, industrinë e riciklimit, kundër dhunës ndaj institucioneve, për reformën në drejtësi, arsim, shëndetësi, taksat e ulëta, shtetin e vogël taksën e sheshtë, kundër taksës progresive, kundër sektorit shtetëror, ndërmarrjeve publike, kundër arsimit falas, kundër taksave të shumta, kundër shteti të madh etj. etj. Dhe në këtë pikëpamje, pa u futur në sqarime më të mëtejshme ne kemi mbështetur apo kundërshtuar çdo aktor. Si e tillë, linja e gazetës MAPO ka qenë e qartë dhe e parashikueshme nga pikëpamje editoriale. E paparashikueshme ka qenë vetëm gjykimi ynë kush ka qenë ilustrues apo kundërshtues i kësaj linje. Ka qenë përshëndetja e papritur e Ramës kur zhvilloi tregun e energjisë, kur vendosi t’i japë një reformim thelbësor arsimit të lartë, kur vendosi të rregullojë çështjen e ndërtimeve pa leje, ku vendosi të mbledhë taksat dhe t’iu vërë barazi qytetarëve para taksave dhe ka qenë qartësisht kundërshtuese për taksën progresive, shëndetësinë falas, prishjen e kontratave etj. etj.

E njëjta gjë mund të thuhet për Partinë Demokratike. Ka qenë shumë përshëndetëse për taksën e sheshtë 9 %, për luftën për respektimin e kontratave me biznesin dhe shtetin para 2009-ës dhe plotësisht kundërshtuese kundër presioneve populiste dhe tendencave puniste, në të cilat PD-ja ra gjatë opozitës, duke u bashkëshoqëruar me rrugët me çfarëdolloj kauze qesharake kundër identitetit të saj ideologjik dhe interesit publik, duke humbur shumë nga karakteri i saj prej partie të qendrës së djathtë, gjë që vazhdon ta vuajë edhe sot.

Shkurt, gazeta MAPO ka qenë pro ose kundër Berishës, Ramës, Bashës, Metës, por ka qenë gjithnjë pro ideve liberale dhe kundër ideve progresiste.

Pse? Sepse kjo është bindja, qëllimi, ideja ime si botues. Madje duke pasur kënaqësinë, duke kaluar nga gazetari apo akademiku në sipërmarrës, e kam promovuar fort këtë model, duke shpresuar pse jo si model të kishte një jehonë. Duke qenë qartësisht i pozicionuar ndaj ngjarjeve, fenomeneve dhe personave, por duke qenë qartësisht i qëndrueshëm ndaj ideve. Në këtë kuptim, nuk ekziston asnjë pandehmë, për asnjë arsye që dikush të ketë kërkuar heqjen e këtyre drejtorëve, dikush lart. Sepse nuk bën pjesë në natyrën e marrëdhënieve të mia me aktorët publikë, por mbi të gjitha me fizionominë dhe strukturën e gazetës. Edi Rama dhe qeverisja e tij pas 2013-ës kanë marrë qartësisht kritikat e mia për tonet populiste, me të cilat Rama fitoi në vitin 2013, por kanë marrë qartësisht përshëndetjet modeste, të miat dhe të gazetës, për hapat liberalizues ose për kalimin në pozitat e Rrugës së Tretë duke braktisur social-demokracinë klasike. Për interesin publik kjo ka qenë esenciale për shoqërinë shqiptare dhe zhvillimin e vendit ka qenë esenciale ky modernizim i së majtës dhe mbi të gjitha ka qenë mjaft kontribuuese në themelimin ose konsolidimin në sistemin kapitalist në shumë prej sektorëve, edhe pse ka ende mjaft sektorë që janë jashtë saj. Kjo ka qenë e shprehur publikisht në editorialin tim …Që reformizmi të mos dështojë në vitin 2016 si në vitin 1936 apo në editorialin Cikli reformist i Ramës duhet të vazhdojë edhe një mandat. Sikundër MAPO ka kritikuar dhe unë personalisht ata elementë të lidershipit tëri të opozitës me në krye Lulzim Bashën, të cilët e kanë denatyruar Partinë Demokratike nga thelbi i saj si një parti e qendrës së djathtë. Sikundër në të njëjtën kohë vlerësimet për Lulzim Bashën, potencialin dhe premtueshmërinë e tij si një lider politik i së ardhmes, fatkeqësisht pa performancën e duhur të së tashmes, nuk kanë munguar, simbolizuar kjo edhe me shpalljen si Njeriu i Vitit në revistën Mapo.

Fenomeni i parë

Po të gjitha këto sqarime më bëjnë të formuloj një fenomen. Fenomenin e ngatërrimit të krizës së lirisë së shtypit në Shqipëri apo kufizimin e lirisë së shtypit, me krizën e autoritetit të rremë të medieve shqiptare, ose hollë-hollë pse nuk ka një rënie të lirisë së shtypit në Shqipëri. Ka një rënie të pagave të larta, të patricëve, të elitave të korporatës së profesionistëve (lexo: mercenarëve. Nuk ka asnjë kuptim të keq për fjalën mercenarë, është ekuivalent i fjalës profesionistë).

Tashmë panorama është e qartë, kur kanë kaluar 25 vjet i shtypit të lirë në Shqipëri. Duke kaluar nga shtypi i lirë i gazetarëve në e industrinë e medias, me gjithë problemet që kjo ka, sidomos pas viteve 2010 -2015 u vu re një përqendrim i investimeve të mëdha në media. Në media u futën shumë sipërmarrës, shumë pronarë dhe krijuan një nevojë artificiale për shkak të fillimeve të këtij tregu për komentatorë, analistë, drejtorë, drejtorë editorialë etj. etj., me paga shumë të larta për shkak të konkurrencës. Gjërat u qartësuan, u qetësuan, ky treg u saturua, u zhvillua, nevoja e ekonomisë për nivelin e informacionit shkoi në masën e duhur dhe për pasojë shumë prej medieve filluan të rrudhin buxhetet, të vijnë në buxhete më realiste, të ulin pagat, shkurtojnë pozicionet ose në fund të fundit të kërkojnë rezultat; audiencë, tirazh, klikime.

Në këtë sens, grupe gazetarësh -dhe nuk paragjykoj asnjë prej tyre- të gjendur në kushtet e një ekonomie reale të medieve, në fund të një cikli ekonomie irreale të mediave sot ndodhen ngushtë. Janë pa punë, janë pa një rrogë të lartë, pa një status përfitues, pa trafikun përkatës të influencës dhe për pasojë janë agresivë duke folur për çfarë? Për rrezikimin e lirisë së shtypit, ndërkohë që pluraliteti i lirisë së shtypit në Shqipëri dhe sidomos mundësitë e mediave për të mos censuruar sot asgjë, janë shumë. (Shumë më tepër njerëz panë dokumentarin për Ardit Gjoklaj, se sa do ta kishin ndjekur po të transmetohej normalisht). Bashkë me pamundësinë absolute për të pasur censurë dhe bashkë me nevojën e mediave për talente, ide, debate e polemika e bëjnë qesharake çdo pretendim mbi kufizimin e lirisë së shtypit në Shqipëri.

Fenomeni i dytë

Por një fenomen i dytë ka ndodhur gjithashtu. Fenomeni është thuajse finalizimi i një ndarjeje të funksioneve në strukturën e mediave shqiptare, kur ishin të gjithë bashkë; gazetarë, shokë sipërmarrës nga i njëjti qytet, shkollë apo katund. Janë diferencuar qartë me zhvillimin e cikleve të biznesit kategoria e pronarëve, sipërmarrësve apo donatorëve të shtypit të lirë, mercenarëve apo profesionistë dhe janë gjithnjë aty intelektualët; kjo racë shumë interesante por aspak e qelibartë e shoqërisë shqiptare. Dhe nga bashkëveprimi e pozicioni i këtyre të treve është krijuar ky pseudo-konflikt i ri nën etiketën e interesit publik apo të lirisë së shtypit. Sot ka pronarë jashtëzakonisht të respektuar, sipërmarrës apo donatorë që meritojnë t’u heqësh kapelën për guximin, lirshmërinë, hapësirën e krijuar dhe kontributin që kanë dhënë esencialisht në garantimin e lirisë së shtypit në Shqipëri dhe prodhimit kulturor në këtë vend.

Dhe ata, brenda logjikës së lirisë dhe kapitalizmit kanë filluar gjithnjë e më shumë të profilizojnë linjën editoriale, kanë filluar të kërkojnë më shumë rezultat në logjikën e sipërmarrësit, kanë filluar në fund të fundit të diferencohen në pasuri, status dhe elemente të tjera. Shumica dërrmuese për të mos thënë të gjithë nga të mirëpaguarit e medias shqiptare në këtë fazë, që shpesh derivuan në autoritete të rreme të medias shqiptare, me logjikën e mercenarit jo profesionist me logjikën që “marr shërbimin por kam edhe vrasje në ndërgjegje”, zilinë apo inatin kanë filluar iu janë turrur pronarëve duke pretenduar t’u heqin atyre një të drejtë themelore; linjën editoriale. Në cilin sistem ekonomik, pronësia apo donacioni humb të drejtën të përcaktojë profilin, strukturën, (lexo në rastin e medias, linjën editoriale apo qëllimet e një produkti). Kjo është e padëgjuar dhe është proletarizmi i fundit i medias shqiptare, Po, pronari është në të drejtën e vet të patjetërsueshme të përcaktojë linjën e tij editoriale, mjafton që kjo të jetë e shpallur, e qartë dhe transparente.

Grupi editorial me drejtues e gazetarë ka të drejtë ta pranojë apo jo këtë linjë në një fazë të caktuar apo jo dhe ka të drejtë të zgjedhë një media tjetër, ku është plot e mbushur si një galaktikë e panumërt logosh, titujsh, emisionesh e kështu me radhë.

Fenomeni i tretë

Kësaj, duke gjetur rastin e këtij acarimi të mercenarëve jo profesionistë të shtypit shqiptar i është bashkangjitur edhe një gamë tjetër; intelektualët, që siç e thashë janë jashtëzakonisht kontribuues por jo të qelibartë, të cilët kanë gjetur rastin të shumëfishojnë dhe të veshin me megafonat e shumëfishuar të këtyre autoriteteve të rreme të medias shqiptare, (lexo këto që kanë hyrë në krizën e pagave të larta, një mllef në emër të publikes ndaj kapitalit, pronësisë, sipërmarrjes). Një mllef jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe dëmsjellës për shoqërinë shqiptare, bashkuar këtu dhe me një subjektivitet, një zili, një negativitet që po helmon përditë hapësirën dhe debatin publik. A thua se jemi duke dëgjuar sinonimet e gjyqeve të dikurshme “Tradhtarët në litar!”. Shpesh takoj miq sipërmarrës, profesionistë të nderuar, ku unë renditem veçse një fillestar a amator, të cilët nuk e kuptojnë këtë frymë dhe nuk e gjejnë shpjegimin por ndihen keq, që kontribuojnë për shoqërinë shqiptare, punësojnë, ndërtojnë zhvillojnë gjininë e tyre krijuese. Por ilustrimi më bastard i këtij fenomeni është Andi Bushati. Ky i fundit, duke i dhënë vetes të drejtën, të shajë, ofendojë e përgojojë këdo, është ndoshta domethënia e kësaj game apo fenomeneve që folëm më lart. Ky sahanlëpirës i tavolinave të pronarëve të tij për gati 20 vjet, befas u zgjua një ditë dhe në një mënyrë të pafytyrë për çdo etikë njerëzorë edhe për rrugaçin e lagjes, u ngrit duke thyer çdo kod njerëzor ku kishte lëpirë sahanët e pronarëve të deritanishëm për të ndërtuar një profil moralist dhe inkuizitor. Bushati për shembull fantazon se si mua më kishte thirrur në zyrë Edi Rama dhe më kishte kërkuar sakrifikimin e Alfred Lelës dhe sipas kësaj logjike më lind e drejta të fantazoj se në një moment të vetmisë së tij prej amatori, dështaku dhe ziliqari t’i ketë dalë në ëndërr kjo gjë, këtij nipi të shokut Hysni dhe kolopuçi që e përkëdhelte dikur Enver Hoxha: U bë ky Çili nga Labinoti, apo ky aksh nga filan katund apo ky tjetri nga filan malësi të jetë pronar, të ketë pasuri, të ketë status! Pikërisht kështu dhe vetëm kështu mund të shpjegohet një mllef i kësaj natyre, i këtij pinjolli të dështuar dhe të paemancipuar të Bllokut, bashkuar ndoshta me një etje dhe zili shtesë që i vë qershinë mbi tortë të gjithë këtij grupi intelektualësh, kryesisht me origjinë nga ish-Blloku dhe qeverisja komuniste; djemtë e ministrave dhe anëtarëve të Byrosë politike dhe nuk ka rendësi të persekutuar apo jo, që komunizmi i gjeti në burg apo Bllok. U bë ky Edi Rama të bëhet kryeministër! Është krejt qesharake dhe asgjë më shumë ky ilustrim i faktit që shumëkush në këtë qytet nuk e pranon rezultatin e kapitalizmit, garës, konkurrencës, së djersës, punë së ndershme, respektim të ligjit dhe konkurrencën mbi bazën e meritave brenda hapësirave të sistemit.

Këta punistë, këta ziliqarë, këta humanistë të pamëshirshëm, të rremë, këta priftërinj të rremë të publikes, të mësuar dhe të ilustruar në jetën e tyre ndoshta me çdo kompromis dhe poshtërsi janë duke mbjellë në shoqërinë shqiptare një mllef të pashembullt ndaj kujtdo, dhe nuk e kanë me kriminelin, me hajdutin, abuzuesin, por e kanë me sipërmarrësin si kategori, e kanë me kapitalizmin, pra, e kanë me lirinë.

Shkurt dhe thjesht, ky është falsiteti i debatit aktual për lirinë e shtypit në Shqipëri. Është çështje krejt tjetër, kapitalizmi dhe liria. Por ai është vendosur, aq më tepër që në Amerikë na fitoi dhe Trump-i.

Marrë nga Mapo

Alfred Lela: Çili është një centaur

Alfred, u largove prej “Mapo”-s duke shpjeguar arsyen e politikës editoriale të botuesit Henri Çili. Në fakt a ishte e papritur, a ke luftuar me Çilin në atë që ti besoje se ”Mapo” duhet të orientohej?

Në fillim dua të them se Henri Çili nuk është një prej ‘armiqve të lirisë’. Shpesh e shoh të sulmohet publikisht apo thashethemanjës, por kjo vjen edhe ngaqë ai ka një aktivitet pothuajse ‘të çmendur’. Është një njeri që nuk pushon kurrë. Kemi bërë gjëra shumë të mira me Henrin në historinë e ”Mapo”-s, të cilat nuk do të ishin realizuar, ndoshta, pa ngulmimin e tij. Për mua vitet te ”Mapo” kanë qenë përmbushëse intelektualisht. Do i kujtoj si të tilla. Po, ne jemi ‘përplasur’ me Henrin për linjën editoriale. Sigurisht, çdo media dhe botues zgjedh një politikë të caktuar editoriale. ”New York Times” e bën këtë. ”Mapo” nuk ka pse të bëjë ndryshe: Ndryshimi qëndron te ajo se ”NYT” ka një bord editorial. Që janë ca burra dhe gra me peshë, që peshojnë se çfarë është në interes të publikut.

Çili është shprehur se politika editoriale ka qenë që në fillim e shpallur prej tij dhe se ”Mapo” do mbetet liberale. Pse kjo marrje e beftë e vendimit nga ana jote kur për shumë kohë ke qenë bashkëpunëtori më i ngushtë i Çilit?

Shiko, ndoshta nuk ka ndryshuar linja editoriale dhe kam ndryshuar unë. Nuk e di. Kanë qenë ditë të ngarkuara e të trazuara këto të fundit dhe do më duhet distancë për t’i kthjelluar ngjarjet. Por intuita, profesionale, personale, publike, më thoshte se një linjë editoriale nën shenjën ‘Rama reformator, edhe një mandat të dytë’ do të më asgjësonte profesionalisht. Xhaketa ime e e gazetarit e ka ende ngjyrën blu dhe ‘erën e barutit’ nga ‘barrikadat’ e fushatës së vitit 2013. Të jem i hapur: edhe kam shpresuar se kjo linjë e shpallur prej Çilit do më ‘toleronte’. Dua të them, shpejtësia e ngjarjeve do e shkruante vetë linjën editoriale. Zgjedhjet e kanë zakonisht këtë shpejtësi. Por, janari është muaj i ftohtë, i ngadaltë dhe depresiv. Unë jam lindur në janar dhe muaji i lindjes është gjithaq i mirë si muaj ndëshkimi.

Ishte rastësi apo e mendove si momentin më të përshtatshëm largimin ditën kur u largua dhe Shkullaku? A mendon që largimet tuaja janë i njëjti fenomen në medien shqiptare?

Orkestrim nuk ka patur. Paradoksalisht, Shkullaku ma ka kaluar mua të parit lajmërimin për ikjen e tij nga puna. Jo si pjesë e një marrdhënie personale, por si drejtor i ”Mapo”. Ai më kërkoi që ta hidhnim ne të parët lajmin e largimit të tij, duke qenë se ne kishin qenë ‘shtëpia’ e komenteve të tij për disa vitet e fundit. Unë ndërkohë isha për vete ‘i larguar’. Nuk bëra zë, por ia kalova sheft të ”mapo.al”, Enton Palushit. Megjithatë, si profilet tona mediatike, si largimet, si botuesit, ashtu dhe konteksti i largimeve, nuk ngjajnë. ”Mapo” ka qenë dhe do mbetet, shpresoj edhe pas largimit tim, një sipërmarrje intelektuale. Mendoj se intelektualja te ”Mapo” ka peshuar gjithmonë më shumë se merkantilistja, edhe pse përshtypja e kundërt nuk përton të përsëritet. Në këtë kuptim, bashkëpunimi im me Henrin ka qenë i veçantë: unë isha përcjellësi më i mirë ku kalonte kjo përmasë intelektuale e ”Mapo”-s (më falni për mungesën e modestisë).

Çfarë të ka komunikuar Çili se do bëjë me medien e tij gjatë fushatës…nëse mund ta dimë…

Çili do të pozicionohet. Ky është ‘arti’, ‘mëkati’, dhe ‘prerja’ e tij. Kjo është krusma e tij që i vjen prej të qenit një centaur. Në këtë rast gjysma sipërmarrës dhe gjysma gazetar.

Ka zëra se tashmë do jesh një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Lulzim Bashës. Si qëndron e vërteta, a ke synime për t’u futur në politikë?

Të gjithë me shohin si ‘njeri të Bashës’. Sa mirë që nuk më shohin si ‘një njeri te i cili nuk mund të ngresh një tjetër njeri’, siç thotë Bertold Breht. E mbani mend? Unë kam qenë edhe ‘Berishist’. Shumë ma kujtojnë me të madh edhe këtë. Jam me kauzat, çështjet apo vlerat, jo me njerëzit. Për mua këto i ka përfaqësuar, kryesisht, e djathta. Mund t’ju them se z. Basha më ka telefonuar pas publikimit të lajmit, dhe jemi takuar një ditë më pas. Nuk kemi folur për bashkëpunime të ngushta, por për median dhe raportet e saj me qeverinë.

Dhe një pyetje e fundit për çfarë po ndodh me median në Shqipëri. A mendon se qeveria e ka kapur përfundimisht, duke mbyllur edhe shtigjet më të vogla të lirisë? Çfarë mund ta ndreqte të gjithën këtë?

Po ndodh diçka që mund të quhet ‘shndërrim’. Mediat e reja po ‘motërzohen’ me tradicionalet dhe në formë do të ñtojnë të parat. Në përmbajtje do të triumfojë e dyta. Kur them ‘përmbajtje’ e kam fjalën te nevoja e lexuesit për të gjetur një lajm të interpretuar dhe me burime të sakta, jo te gjatësia apo lloji i materialit.  Ky shndërrim e ka gjetur të papërgatitur qeverinë e Ramës. Mendojeni për një çast: nëse nuk do të ishin mediat online, unë dhe Shkullaku nuk do të përbënim lajm. Kjo autostradë e re e infomacionit i nervozon pushtetet.

Çfarë ndodh tani?

Ndodh që unë të jem në përmbyllje të doktoraturës. E mbroj më datë 24. Menjëherës pas kësaj do të kërkoj një botues për librin, i cili merret me komunikimin politik të Berishës gjatë periudhës ‘90-‘92. Më pas do të ulem për të shkruar një roman. Ashtu si Rama i mundësoi Blushit kohën e shkrimit të një romani, një ‘dhuratë’ të tillë më bëri mua Çili.

Reagon Artur Zheji: Gënjeshtrat prej elefanti të Çilit

Nga Artur ZHEJI

“Nëse do ta bësh mirë një punë, bëje vetë.” Dhe Henry ka dalë vetë në sulm për tu mbrojtur dhe për të baltosur. Henry i dashur, të them vetëm një fjalë të shkurtër dhe paralajmëruese: Mos gënje dhe mos mendo rrejshëm se qetësia ime filozofike e deri djeshme, do të më ndalojë të hap kutinë e thellë të sekreteve të tua, të cilën etika nuk ma lejon ende.

Debati ynë nuk ka qenë menaxherial, por thjesht dhe pastër i natyrës editoriale. Interesat e tua e donin që Rama dhe mbështetja që more nga Reforma në Arsim, direkt prej tij, të shpërbleheshin. Të kam ulur unë për drekë me Ramën disa muaj përpara zgjedhjeve 2013, për të të hequr nga lista e hakmarrjes së tij të nesërme. Ti e di shumë mirë se çfarë lobimi dhe beteje kam bërë për ty në rastin e Doktoraturave…

Por ti ke lindur ambicioz dhe i pangopur. Kërkesa jote editoriale, për të qenë pjesë e hymnizimit të Ramës dhe demonizimit të të gjithë të tjerëve, ishte për mua e papranueshme. Sepse kam ca kode, që ti nuk i njeh dhe nëse merr dijeni, i refuzon, në emër të parasë… Henry, për sot e lemë me kaq, mos u zhyt më thellë në kënetën e përfoljes dhe ruaju nga paniku. Kjo dhe është këshilla ime e fundit, përpara se sa të harroj “mikun” Çili dhe të merrem me të panjohurin Henry! 360gradë.al

Lajmet të tjera për këtë argument në “Koha Jonë”:

Shkullaku: Vendimi për të lënë AbcNews ishte i pronarit Frangaj

Shkarkime në media/Pas Shkullakut ikën dhe Alfred Lela

Ilir Babaramo: Sot jam solidar me kolegun Armand Shkullaku

Basha: Largimi i Shkullakut dhe Lelës, ditë e zezë për mediat

Një bravo e madhe për Edi Ramën, spastruesin e mediave!!

Shkullaku e Lela flasin për largimet: Gjurmët të çojnë te një ujk!