Presidenti Meta kthen ligjin që grabit PRONAT

-Me ligjin që ka miratuar qeveria dhe parlamenti e ashtuquajtura “Korporata e Investimëve” nuk është gjë tjetër veçse sekuestrim me forcë i tokave publike, por edhe pronave private të çdo qytetari, nëse shfaqin interes oligarkët dhe biznesmenët. Për këtë ligj kanë reaguar fort Banka Botërore, FMN dhe Komisioni Venecias, por mazhoranca nuk heq dorë nga ky ligj.

Presidenti Ilir Meta ka kthyer sërish në Kuvend një nga ligjet më problematike të qeverisë “Rama”. Kreu i shtetit duke paraqitur më shumë se 20 probleme të rënda ligjore të këtij projekti të mazhorancës kërkon nga deputetët e Kuvendit që të bëjnë ndryshimet e duhura për të mos lejuar kalimin e një ligji që vë në pikëpyetje të drejtën e pronës shtetërore dhe asaj private. Ligji, i njohur me emrin “Korporata e Investimeve Shqiptare” i jep të drejtë qeverisë që për interesa të projekteve të saj të marrë pronat shtetërore dhe ato private. Me pak fjalë, nëse një biznesmen, vendas apo i huaj, kërkon nga qeveria të zhvillojë një projekt në Shqipëri, Këshilli i Ministrave merr përsipër t’i garantojë pronën ku zhvillohet projekti. Me këtë ligj, Qeveria i jep të drejtën vetes të përdor gjithë pronat shtetërore për qëllime të tilla, madje duke ua marrë tokat apo hapësirat publike dhe bashkive. Por nuk është ky i vetmi problem i këtij ligji. Ajo që është më serioze lidhet me pronën private. Në funksion të “Koorporatës së Investimeve”, qeveria mund të marrë prona edhe nga privati. Kjo praktikë do të thotë shpronësim i qytetarëve për interesa të qeverisë dhe është as më shumë dhe as më pak, rikthim i modelit të para viteve të para të pushtetit komunist kur shteti të merrte pronën me dajak e urdhër.

Shqipëria ka ligje të tjera funksionale që tregojnë sesi qeveria mund të marrë pronën nga privati, por futja e “Koorporatës së investimeve” me ligj të ri nxjerr jashtë loje gjithë praktikën e zbatuar deri më sot. Ligji i “Koorporatës” në thelb vë në rrezik gjithë titujt e pronësisë që kanë dhënë hipotekat, gjithashtu dhe gjithë banesat që janë legalizuar apo janë në proces legalizimi. Krijimi i kësaj agjencie duket edhe si një forme e re e përdorimit të qeverisë nga ana e biznesit. Pasi janë bizneset dhe oligarkët ata që do të paraqesin projekte dhe qeveria do të gjejë pronat për ata duke krijuar një autoritet të ri ligjor që në thelb është antikushtetues.

Problematikat e këtij projekti janë shpjeguar në mënyrë ligjore në argumentet e kreut të shtetit, i cili vë theksin te fakti që miratimi i këtij ligji krijon pasiguri për pronat private që kanë qytetarët. “Neni 7 i ligjit me mangësitë dhe paqartësitë që ka krijon terren për cenimin e parimit të sigurisë juridike, të drejtave të pronësisë private të fituara, si dhe të pretendimeve që janë ende në proces shqyrtimi në rrugë administrative apo në rrugë gjyqësore”,- thuhet në argumentet e kreut të shtetit. Çdo jurist apo qytetar që është përballur në gjykata për çështje pronash, pas këtij argumenti juridik të presidentit, kupton se nisma e qeverisë “Rama” është një akt kriminal kundër pronës. Sepse realisht çdo pronar është i kërcënuar, nëse ky ligj kalon pa u ndryshuar. E drejta e pronës është një parim ndërkombëtar ku bazohet shteti i së drejtës. Miratimi i një ligji që mund t’i marrë pronën çdo qytetari, sepse kështu dëshironqeveria dhe ndonjë biznesmen, është një kërcënim për këdo. Një tjetër skandal i “Kooporatës” është se ajo do funksionojë si shoqëri aksionere me kapital shtetëror, por financimi i saj mund të sigurohet dhe nga fonde private. Në këtë mënyrë, ekziston rreziku që kjo strukturë e re vetëm emrin të këtë shtetërore, pasi nëse financimet i japin kompanitë private edhe pronat do të jenë në funksion të kompanive private. “Rezulton se financimi sigurohet edhe nga fonde dhe/ose kontribute në natyrë të investitorëve për zhvillimin dhe realizimin e projekteve. Kjo mund të krijojë potencialisht premisë që në një moment të caktuar shoqëria tregtare, pavarësisht se administron pronat shtetërore apo merr vendime mbi investime me rëndësi kombëtare, të kontrollohet në nivel vendimmarrës nga subjekte private”,- thuhet në argumentet e kreut të shtetit për kthimin e ligjit. Veç këtyre problemeve, ligji nxjerr jashtë loje dhe pushtetin vendor dhe Kushtetutën e Shqipërisë për ndarjen e pushtetëve në vend. Nëse aktualisht, për tjetërsimin e pronave publike; plazhe, pyje, toka dhe troje ndërtimi merrej vendim këshilli bashkiak i çdo bashkie, me ligjin e ri kontrolli mbi këto prona është i “Koorporatës”. Dhe “Koorporata” nuk është thjesht agjenci shtetërore, por një shoqëri aksionere ku shumica e aksioneve mund t’i kenë oligarkët që duan prona.

Ligji në fjalë është kritikuar nga gjithë organizatat ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtare, Banka Botërore dhe madje dhe Komisioni i Venecias e vlerësojnë si një nismë të gabuar dhe me mjaft probleme ligjore. Një pjesë e organizatave të biznesit në vend e kanë cilësuar këtë ligj si rikthim të shtetëzimit me forcë të pronës. Pas kritikave, PS bëri disa arnime të pavlefshme në tekst, por në fund e miratoi pa prekur thelbin. Në mënyrë skandaloze ky ligj nuk ka kaluar, sipas procedurës, në Komisionin e Çështjeve Ligjore, por është nisur nga zyra e qeverisë direkt për në sallën e Kuvend ku deputetët e kanë miratuar sy mbyllur. Komisioni i Ligjeve sheh pikërisht çështjen kushtetuese dhe konfliktin që një ligj mund të ketë me gjithë ligjet e tjera të vendit. Mesa duket në PS nuk pyesin më sesa herë e shkelin kushtetutën. Por nëse në përplasjet e tjetra çështja e ligjshmërisë së një akti është debat teorik, këtë herë me “Koorporatën” qeveria “Rama” prek pronat e çdo shqiptari. Ky ligj nuk është një draft vetëm për debat juristësh. Është një projekt që u merr shqiptarëve, pronën, shtëpinë, bizneset, tokën e bukës dhe çdo gjë që ka vlerë. Ndaj nëse qeveria vendos ta kalojë në formën që është, çdo pasuri e patundshme që kanë shqiptarët nuk është më e tyre, por e Edi Ramës dhe një grupi oligarkësh, që tani kanë zgjedhur të quhen “Koorporatë”.