Ish-deputeti holandez: Negociatat s’hapen nëse Shqipëria është në krizë

Ish-zv. Presidenti i grupit të Partive Socialiste Evropianë: Hapja e negociatave do të jetë e pamundur, nëse shoqëria dhe politika shqiptare mbeten të përçara siç janë tani

Jan Marinus Wiersma, drejtues i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael” në Holandë, ish-deputet i PE dhe ish-zv. Presidenti i grupit të Partive Socialiste Evropianë (PSE) në një intervistë për “Koha Jonë”, thotë mos hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bazohej edhe në mangësitë e sundimit të ligjit në këto vende. Duke analizuar qëndrimin e Francës mbledhjen e Këshillit Europian ai shprehet se “Presidenti Macron dëshiron reformim të brendshëm të BE-së para se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për zgjerim; ai dëshiron të ndryshojë mënyra e procesit të bisedimeve, dhe së fundmi, Franca vërejti mangësi në sundimin e ligjit në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut”. Ndërsa për qëndrimin kundër hapjes së negociatave të Holandës, ish-deputeti holandez sqaron se problemi kryesor i shumicës së deputetëve holandezë është “mungesa e besimit në kapacitetin e Shqipërisë për të zbatuar reformat”.

I pyetur për problemet që ka sot Shqipëria me krizën politike, ngërçin e reformës në drejtësi dhe problemin e zgjedhjeve, Jan Marinus Wiersma lë të kuptohet se më këtë situatë nuk ka garanci se negociatat do të hapen edhe në një tjetër rast. “Hapja e negociatave do të jetë e pamundur, nëse shoqëria dhe politika shqiptare mbeten të përçara siç janë tani”, – deklaron ai.

Këshilli Europian vendosi të mos hapë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mendoni se BE dha një sinjal të gabuar për vendet e Ballkanit?

Ndjesë që ju korrigjoj, por ishte Këshilli Europian që mori vendimin për të mos vendosur asgjë. Sa i përket pyetjes, personalisht besoj se BE duhet të ketë ndjekur këshillat e Komisionit Europian dhe mendimin e shumicës së shteteve anëtare. Unë u bashkohem shqetësimeve të Francës dhe Holandës në lidhje me vështirësitë që të dy vendet kanë në vendosjen e demokracisë, por mendoj se këto mund të zgjidhen gjatë bisedimeve për anëtarësim duke përdorur procesin e shqyrtimit të hollësishëm. Hapja e negociatave është thjesht angazhimi i përpjekjeve për anëtarësim në BE, por kjo nuk garanton një rezultat pozitiv. Çdo shtet anëtar i BE-së ka mundësinë të ndërhyjë në proces nëse dëshiron. Madje, BE mund të fusë disa elemente shtesë në procesin e bisedimeve për anëtarësim, siç propozoi Franca.

Këtu në Tiranë, kryeministri Edi Rama thotë se qeveria e tij i ka përmbushur të gjitha reformat e kërkuara nga Brukseli. Sipas tij, negociatat u bllokuan vetëm për shkak të mos marrëveshjeve mes Francës dhe vendeve të tjera të BE. Në informacionet që kini ju, mos hapja e negociatave erdhi për shkak të mosmarrëveshjeve brenda BE apo për shkak të performancës së keqe të dy vendeve të Ballkanit?

Franca vendosi veton për një vendim pozitiv bazuar në tri pika: Presidenti Macron dëshiron reformim të brendshëm të BE-së para se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për zgjerim; ai dëshiron të ndryshojë mënyra e procesit të bisedimeve, dhe së fundmi, Franca vërejti mangësi në sundimin e ligjit në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut. Asnjë shtet tjetër anëtar nuk shkoi nuk ngriti shqetësime të tilla si Franca. Gjithashtu, duhet të jemi të vetëdijshëm se një pjesë e madhe e popullit francez është shumë skeptik në lidhje me zgjerimin. Prandaj, debati i brendshëm i BE-së dhe vlerësime të ndryshme në lidhje me reformat për sundimin e ligjit në të dy vendet kandidate patën ndikimin e tyre. Siç pati edhe refuzimi për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, siç propozoi Holanda.

Holanda, përveç Francës kishte kundërshtime për Shqipërinë. Si një politikan më përvojë dhe njohës i Ballkanit, cili është problemi kryesor që ka Holanda me Shqipërinë?

Së pari, duhet të merret parasysh se shumica e Parlamentit Holandez nuk është pro integrimit të mëtejshëm evropian. Ai miratoi një rezolutë që marrëveshja “Bashkimi gjithnjë e më i ngushtë” duhet të fshihet nga Traktati i BE-së. E njëjta shumicë miratoi në qershor 2019 një rezolutë për Shqipërinë, ku thuhej se vendi juaj nuk mund të niste bisedimet për anëtarësim, sepse nuk kishte përmbushur kushtet e nevojshme – pa sqarime të mëtejshme. Gjithashtu, Parlamenti i kërkoi qeverisë holandeze rikthimin e vizave për Shqipërie për shkak të veprimtarisë së organizatave kriminale shqiptare në Holandë. Dikush mund të thoshte se problemi kryesor i shumicës së deputetëve është mungesa e besimit në kapacitetin e Shqipërisë për të zbatuar reformat.

Në Shqipëri ka që nga muaji shkurt ka një krizë të pazakontë. Opozita bojkotoi dhe dogji mandate në Parlament pas daljes së përgjimeve dhe provave që tregonin se qeveria kish vjedhur zgjedhjet. Qeveria bëri zgjedhje lokale pa opozitën dhe PS “fitoi” gjithë bashkitë në vend. Prokurori i Përgjithshëm është zgjedhur në mënyrë të njëanshme. Reforma në drejtësi, një projekt i mbështetur nga BE dhe SHBA, aktualisht e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata të Lartë dhe ankesat ligjore nuk kanë ku të shqyrtohen. Një pjesë e madhe e qytetarëve në Shqipëri shtrojnë pyetjen, si ka mundësi që me gjithë këto probleme qeveria “Rama” vlerësohet si e suksesshme në Bruksel dhe nuk ka asnjë ndërhyrje serioze për zgjidhjen e krizës?

Natyrisht, ne jemi të vetëdijshëm për problemet e shkaktuara nga Reforma në Drejtësi, kusht i vendosur nga BE dhe të tjerët, që duket se nuk po ecën me ritmet e duhura. Sigurisht, shqetësimet që ju ngrini patën ndikimin e tyre në kohën kur Holanda po shqyrtonte pozicionin e saj. Sa i përket akuzave të opozitës për blerjen e votave, unë do të preferoja të kishte një gjykim të vëzhguesve ndërkombëtarë. Por mesa duket, në Shqipëri bojkoti i parlamentit dhe kontestimi i zgjedhjeve po kthehen në traditë. Si demokrat më vjen keq për këtë fenomen, i kujtdo qoftë faji. Komisioni Europian arriti në përfundimin se Shqipëria kishte përmbushur kushte dhe për këtë arsye duhet të marrë dritën jeshile. Nëse me këtë, Shqipëria do të kuptonte se ishte gati për t’u anëtarësuar në BE, unë do ta kundërshtoja. Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe suksesi nuk është i garantuar. Me përvojën time prej disa vitesh në çështjet e zgjerimit,  do të thosha se hapja e negociatave do të jetë e pamundur, nëse shoqëria dhe politika shqiptare mbeten të përçara siç janë tani.

Pas refuzimit të negociatave Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. A mund të ishin zgjedhjet e parakohshme një zgjidhje për Shqipërinë?

Kjo është çështje të brendshme. Zgjedhjet në të dy vendet nuk do të ndryshojnë vendimin e Këshillit Evropian të javës së kaluar.

Intervistoi: Mili Xhani