Tre parti kërkojnë rinumërim. Albin Kurti: Sërish në zgjedhje nëse nuk bëjmë dot koalicion

Vetëvendosja është shpallur fituese e zgjedhjeve në Kosovë me një diferencë jo të madhe votash nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kreu i Vetëvendosjes ende nuk e ka marrë mandatin për krijimin e qeverisë nga Presidenti Hashim Thaçi, ndërkohë që mënyra sesi do formohet koalicioni është ende e paqartë.

Albin Kurti ka filluar që të mendojë për koalicionin duke e ditur se i ka mundësitë e kufizuara. Në këtë mënyrë, Kurti ka kërcënuar me zgjedhje të tjera nëse nuk gjen mbështetjen për të qenë kryeministër. I pyetur nga gazetarët se cili do të ishte hapi i radhës dhe çfarë ndodhte nëse nuk gjente mbështetjen për të qenë kryeministër, Kurti tha se nëse ndoshte kjo, do të shkojë një zgjedhje të parakohshme. “Unë besoj se do të arrijmë që të krijojmë koalicionin, nëse larg qoftë nuk arrijmë që të krijojmë koalicionin atëherë nuk e di se kujt do t’i jepet shansi i dytë. Ka mundësi që sërish neve dhe ashtu do duhej që të ishte, por po nuk arrit kjo gjë atëherë shkojmë në zgjedhje të reja sërish dhe ne mbase nuk i kemi pasur qejf zgjedhjet dikur para shumë viteve, por tash që ua kemi marrë dorën nuk ju përtojmë atyre”, tha Kurti.

Ndërkohë sot, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe koaliconi NISMA-AKR-PD kanë paraqitur një ankesë në PZAP, sa i përket numërimit të votave të zgjedhjeve të 6 tetorit. Kryesuesi i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mulë Desku deklaroi kanë pranuar ankesë nga këto parti se në formularët e regjistrimit të rezultateve ka pasur parregullsi. Por ai nuk ka mundur ta interpretojë ankesën e tyre si kërkesë për rinumërim të fletëvotimeve.

Sipas KQZ janë numëruar mbi 98 për qind e votave. Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë  200.953, vota apo 25,51%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 195.534 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 167.402, apo 21.25%.Koalicioni AAK-PSD ka marrë 90.839 vota apo 11,53%. Koalicioni Nisma-AKR-PD vazhdon të mbetet nën pragun e zgjedhor, pasi ka marrë 38.639 vota apo 4.90%.Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta. Edhe numri i votave të pavlefshme vazhdon të shënojë rritje. Nga numërimi i 98,47% të votave të deritanishme, 40.290 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së.