Njohja e mandatit në Durrës, Basha: E gjithë drejtësia është nën kontrollin e plotë të Ramës

Kreu i opozites Lulzim Basha reagon për skandalin e Edi Ramës me Gjykatën e Durrësit e cila ka vërtetuar mandatin e Valbona Sakos si kryebashkiake të re të qytetit bregdetar.

“E gjithë drejtësia është nën kontrollin e plotë të Ramës. Vendimi i Gjykatës së Durrësit është vendimi i drejtësisë private që ka vendosur Edi Rama në Shqipëri.

Ky shpartallim i sistemit të drejtësisë do të prodhojë për një kohë të gjatë pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët.

Nëse nuk e ndalim sa më parë Edi Ramën, Shqipëria do kthehet në një shtet tërësisht të falimentuar afrikan”, u shpreh kryedemokrati Lulzim Basha.

Vërtetimi i mandatit erdhi pas kërkesës së PS për të njohur mandatin, duke i rishqyrtuar çështja me një gjyqtar tjetër.

Pas kërkesës së PS, çështja u rishqyrtua me gjyqtarin Shpëtim Reka.

Dy ditë më parë, Gjykata e Durrësit shpalli të pavlefshëm procesin e 30 qershorit, duke rrëzuar kërkesën e përfaqësueses socialiste në bashki, Valbona Sako, për njohjen e mandatit.

Gjyqtarja, Mimoza Margjeka, argumentoi se Bindja Demokratike u regjistrua jashtë afateve ligjore, gjë që e bën nul edhe 30 qershorin.