Shqipja jonë në fjalorin e gjuhëve të botës të Andrew Dalby-it

Mal Berisha
Studiues

SHQIPJA JONË NË FJALORIN E GJUHËVE TË BOTËS TË ANDREW DALBY – it.
Columbia University Press

Hyrje – Kush është Andrew Dalby

Në “Fjalorin e Gjuhëve”, botuar nga Columbia University Press në New York, 1998, në mes të 400 gjuhëve të botës përfshihet edhe gjuha shqipe, si një ndër gjuhët më të vjetra indo-evropiane. Kjo gjuhë zë një vend të rëndësishëm në këtë fjalor. Autori i fjalorit është Profesor Andrew Dalby, një studiues shumë i njohur anglez i lindur në Liverpul në vitin 1947. Ai njihet si gjuhëtar, historian e përkthyes dhe ka botuar shumë libra me një gamë shumë të gjërë, që nga historia e gjuhëve klasike deri tek ajo e ushqimeve. Profesor Dalby ka studiuar latinishten, frengjishten dhe greqishten në Universitetin e Kembrixhit dhe është fitues i shumë çmimeve sidoms për librat e botuara rreth gjuhëve të “vdekura”, atyre të folura sot dhe të kulinarisë. Dalby është marrë shumë me gjuhët e mbijetuara dhe mënyrat sesi ato kanë ardhur deri në ditët tona. Një rëndësi të posaçme ai iu ka kushtuar gjuhëve të “vdekura” dhe e quan humbje të madhe “shuarjen” e një gjuhe jo vetëm për kombin që nuk e flet dot më, por edhe për tërë njerëzimin. Në librin e tij “Gjuha në Rrezik” ai përqendrohet tek humbja e larmisë gjuhësore dhe rreziku kanosës ndaj tyre, duke u ndaluar pikërisht tek hegjemonizmi teknologjik i anglishtes së ditëve tona.
Paralel me studimin e gjuhëve të tilla si ajo e Burmës dhe disa të tjerave nga Indokina, ai ka botuar edhe transkriptime të dorëshkrimeve të koleksioneve të vjetra skoceze. Po ashtu ai është marrë me Sanskrishten dhe me Hinduishten.
Në studimet që i bën Iliadës dhe Odisesë në librin e tij “Rizbulimi i Homerit” Dalby këmbëngul se Homeri duhet parë si një autor që i takon të njejtës botë si ajo e poemave të hershme lirike greke por në një formë më aristokratike. Duke parë sesi janë skalitur në memorje dhe në shkrim këto poema, autori hedh një dyshim sikur poeti të mund të ketë qenë jo Homeri që “njohim” ne por një grua që e ka krijuar gjithë atë vepër.
Andrew Dalby, si një njohës i shumë gjuhëve të huaja e gjen si modelin e vet heroin persiano – armen Mithridates, Mbreti i Pontus – it, 132 – 63 p.e.re., i cili luftoi kundër romakëve por u mposht nga Pompeu. Ai fliste 22 gjuhë të ndryshme dhe është e para figurë historike e famshme për aftësitë e jashtëzakonshme në njohjen e gjuhëve. Le të shohim sesi e ka parë dhe studiuar Gjuhën Shqipe ky personalitet i shquar i gjuhësisë botërore.
Një ndër punët e tij më të vyera është “Fjalori i Gjuhëve” i botuar në vitin 1998 i pasuar nga një liber tjetër i tij “Zhdukja e Gjuhëve”, botuar në vitin 2002. Profesor Dalby, në këtë fjalor merret me studimin e 400 gjuhëve të botës. Parakushti për të hyrë në këtë fjalor, sipas tij, ishte që gjuha të flitej të paktën nga një milion njerëz. Studimi i tij demografik e çon tek shqipja e cila e plotëson këtë kusht siç do ta shohim në studimin e tij.

Gjuha Shqipe
5 milionë folës në Shqipëri, ish- Jugosllavi, Itali, Greqi

Gjuha Shqipe thotë Dalby, formon një degë të veçantë të gjuhëve Indo-europiane, krejt e ndryshme në zhvillimin e saj nga greqishtja dhe gjuhët tjera moderne fqinje. Ajo është gjuha zyrtare e Shqipërisë e folur edhe prej shumicës së banorëve të Kosovës dhe prej minoriteteve të vendosura prej kohësh në Itali dhe në Greqi.
Emërtimi prej vendasve i gjuhës vjen nga emri i vetë vendit, pra Shqipërisë dhe gjuha quhet “Shqipe”. Ky është një emërtim i lashtë për atë vend i cili mbijeton me emrin që folësit e shqipes japin vetvetes, në Itali “Arbëresh”, në Greqi “Arvanitis” dhe në Ballkan emra të tillë si “Arnáut”. Nga të huajt emri i Shqipërisë ka dalë nga shekujt si Albania ndërsa gjuha quhet Albanian në përdorimin në gjuhën angleze dhe ndërkombëtare.
Ku ishin saktësisht folësit e gjuhës shqipe gjatë mijra viteve që kanë kaluar që kur dialektet e para Indo – evropiane filluan të rriteshin veç e veç?- pyet autori. Emrat dhe disa fjalë të tjera nga gjuhët e Ballkanit antik kanë qenë shënuar prej autorëve latinë dhe grek. Disa prej këtyre gjuhëve, siç është ilirishtja janë reminishenca të shqipes, por asnjëra nuk është identifkuar si pararendës i gjuhës moderne.
Shqipja vetë nuk gjëndej e shkruar deri në kohët e vona moderne. Perveç ndonjë fjale të vetme, e para dëshmi e shkruar mbetet “Formula e Pagëzimit”, e shkruar në vitin 1462. Po ashtu një rrjesht në shqip është thënë për heroin e një drame të shkruar në latinisht nga Thomas Medius’s Epirota dhe e luajtur në Venedik në vitin 1463, me titull: “Burri nga Shqipëria”. Në vitin 1555 u shtyp një libër lutjesh në gjuhën shqipe. I shkruar prej Gjon Buzukut, një prift nga Shkodra, ai përbën librin më të vjetër të njohur deri më sot nga vetë Shqipëria. Ndërsa publikimi i parë në gjuhën shqipe vjen nga Siçilia, si një libër lutjesh dhe i takon vitit 1592.
Letërsia shqipe përbëhet kryesisht nga poezia. Ajo përmban epikën gojore, e krahasueshme me atë në serbisht nga fqinji boshnjak. Këto dhe poema më të shkurtëra ishin frymëzim për poezinë që u shtyp në gjuhën shqipe në Itali në shekullin e 17 – të, 18 – të dhe 19 – të. Rilindja Kombëtare në fundin e shekullit të 19 – të kërkonte pavarësi politike dhe zhvillimin e një gjuhë letrare të unifikuar bazuar në një alfabet të ri.
Fjalori Latin – Shqip i përpiluar nga Bardhi del në dritë në vitin 1635. Studiuesi J.H. Xylander, i cili publikoi një fjalor në vitin 1835, tregon sesi shqipja është një gjuhë Indo – evropiane. Ai vuri re modele të rregullta siç janë ato korresponduese të shqipes si psh gj në shqip – s në latinisht, h në greqishten e lashtë. Një shembull ilustrues është fjala gjarpër që në latin është serpens, në greqisht hérpyllos, ose truma zvarranike. Fjalori bazë i shqipes është Indo – evropian: Shembull: Ne, në Latinisht bën nas, krimb, në irlandishten e vjetër bën cruim; ëndër, në greqisht bën óneiros; darkë në greqisht bën darpon; i parë, në sanskrisht bën pürvah.
Shqipëria një herë e një kohë ishte pushtuar prej Perandorisë Romake pastaj ra nën atë Bizantine dhe më pas për pesëqint vjet ra nën Perandornë Otomane. Gjuha shqipe ka huazuar fjalë prej latinishtes, greqishtes, dhe turqishtes; P.sh, fjala djall në shqip, në greqisht bën diábolos; fjala këndoj në shqip, në latinisht bën canto, etj. Shumica e shqipfolësve janë të besimit musliman, prandaj një numër fjalësh janë huazuar prej arabishtes nëpërmjet të gjuhës së Kuranit.
Një tipar i rrallë i shqipes është përdorimi i shprehjeve perifrazike (eufomizmave) për të shmangur një fjalë tabu P.sh. për fjalën “ujk” tjetri thotë mbyllizogojën, mbyllja o Zot gojën, ndërsa për “Zanën” thuhet shtojzavalle që do të thotë Shtojua o Zot vallen!

Ballkani: Konvergjeca dhe Substrakti i Gjuhëve

Shqipja ka ngjashmëri të habitshme me gjuhët ballkanike, bullgarishten, serbishten, greqishten dhe rumanishten: P.sh, në shqip thuhet treg, në serbisht trg, në rumanisht tirg; Tjetër: Në shqip thuhet shtrungë, në rumanisht strungǎ, në bullgarisht strǎga, për vendin ku bëhet mjelja e deleve; Ose, fjala i shtrembër në shqip, në rumanisht bën strîmb, ndërsa në greqisht strabós. Fjala shqipe mëz, në rumanisht bën mînz. Ndodh shpesh që e njëtja fjalë latine të përdoret në këto gjuhë me një kuptim të tjetër: P.sh në latinisht paludem, që do të thotë kënetë, në rumanisht bën pǎdure, të tria me bazë fjalën shqipe pyll. Disa tipare janë të njejta edhe me turqishten, hungarishten dhe rumanishten.
Gjuhët të cilat përkojnë me një kulturë dhe shpesh janë të përdorura krah për krah, rriten së bashku në rrjedhë të kohës. Kjo ësht arësyeja përse anglishtja, qysh nga koha e pushtimeve normane duket se ka më shumë ngjashmëri me frengjishten madje më shumë sesa e afërmja e saj gjermanishtja. Ashtu si frengjishtja dhe gjermanishtja, gjuhët ballkanike janë të lidhura vetëm për së largti në kuptimin gjuhësor të fjalës. Dhe prapë se prapë ngjashmëritë midis tyre janë befasuese deri në atë masë sa të kërkojnë edhe disa shpjegime rreth tyre. Ato duken jo vetëm në fjalët veç e veç por edhe në tiparet bazë, siç janë përcaktorët. Ato kanë forma të ndryshme në gjuhë të ndryshme e prapë se prapë tek të gjitha ato vendoset një prapashtesë tek emri: P.sh në rumanisht fjala zi, që do të thotë ditë e pashquar, merr formën ziua – dita, e shquar; në bullgarisht tzaritsa që do të thotë mbretëreshë e pashquar, merr trajtën tzarisata – mbretëresha, e shquar.
Shumë gjuhëtar konsiderojnë se një “substrakt” gjuhësor, ashtu siç shfaqej, si një gjuhë më e vjetër, njëherë e një kohë e folur në të tërë rajonin, para se të zhdukej ndikonte tek të gjitha gjuhët e mbijetuara në të njejtën mënyrë. Disa e konsiderojnë Latin substraktin kryesor gjuhësor të Ballkanit, i cili në shekujt e fundit të Perandorisë Romake e deri tek koha e pushtimeve sllave ishte folur me siguri gjerësisht nëpër Ballkan.
Ka të tjerë që argumentojnë se udhetimet, migracioni, endjet sezonale të çobanëve me bagëtitë që i kullosnin nga një vend në tjetrin, përdorimi i dy-gjuhëve midis popujve të Ballkanit, i cili ka zgjatur për një periudhë shumë të gjatë (të paktën që nga koha e Perandorisë Romake deri në kohët e sotme) i solli të gjitha gjuhët më afër njëra tjetrës. Rumanishtja, veçanërisht ajo arumune, midis shqiptarëve dhe rumunëve në veçanti, ishin përgjithmonë në lëvizje.

Alfabeti shqip

E vetmja kopje e mbijtuar e librit të lutjeve të Buzukut, dalë në dritë në vitin 1555, me disa faqe që i mungojnë, gjëndet në Bibliotekën e Vatikanit. ‘Ky është libri i parë në gjuhën tonë dhe ka qenë shumë e vështirë të bëhëj’ të thonë shqiptarët. Buzuku dhe disa shkrimtarë gegë, para shekullit të 19 – të, e përdorën alfabetin romak me germa të veçanta me disa bashkëtingëllore jo aq të njohura në tekstet e herëshme në toskërisht, te cilat gjënden nganjëherë të shkruara në alfabetin grek. Por letërsia shqipe edhe nga veriu edhe nga jugu shpesh shkruhej dhe shtypej në të njejtin alfabet, atë arab, pasi përdorej në gjuhën turke si gjuha sunduese e para shekullit të 20 – të, në Shqipëri.
Alfabeti modern i cili u themelua në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit, pas një debati të fortë, u pranua të ishte me 36 germa. Qeveria turke e kundërshtoi me forcë përpilimin e tij. Kjo mosmarrëveshje i kontribuoi shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Turqia, më 28 Nëntor 1912. Autori Dalby boton edhe listën alfabetike të “shqipes së Manastirit” që nga germa “a” tek “zh” duke nënvizuar dyshkronjëshat e tij.
Harta e Alfabetit Shqip

Dy grupet e mëdha dialektore Gegë dhe Toskë janë mjaft të ndryshme nga njëra tjetra. Ato janë aq të ndryshme sa disa i konsiderojnë si dy gjuhë të ndryshme konstaton, ndoshta jo krejt me të drejtë Profesor Dalby. Gegnishtja, thotë ai, ka më shumë zanore së sa ajo toskërishte, pra jo vetëm shtatë që janë të regjistruara në alfabetin shqip, por edhe pesë hundore të cilat mund të ishin shkruar me gërmat â, ê, î, ô, ý. Gegnishtja veçanërisht, ajo e folur në jugun e saj, në Elbasan, ishte përcaktuar qartë si standart në fillimin e shekulllit të 20 – të. Por që nga viti 1945 është toskërishtja ajo që i ka zënë vendin gegnishtes. Gegnishtja është gjuha e folur e 1.750.000 shqiptarëve në veri të Shqipërisë pa numëruar ata shqiptarë që jetojnë në Kosovë dhe viset shqiptare përrreth. Toskërishtja flitet në jug të Shqipërisë, në pjesët qendrore të Greqisë dhe në rajonet e banuara prej arbëreshëve të Italisë. Dialekti toskë i Siçilisë dhe i jugut të Italisë është i njohur si Arbëresh ndërsa ai i Greqisë si Arvanitika. Po ashtu ka folës të toskërishtes në Bullgari, Ukrahinë, afër Melitopolit. Bashkësi gegënisht – folëse të quajtur Arbanasi gjënden afër Zarës në bregdetin dalmat. Shqiptarët në jug të Italisë dhe në Greqi janë aty prej shumë shekujsh por që numerikisht ndryshojnë sipas valëve migratore. Në përpjekjet e tij për të ilustruar Gjuhën Shqipe autori jep edhe një vjershë të gjuhës shqipe e cila numëron mbrapsht që nga numri dymbëdhjetë për muajt e vitit deri tek dy lulet e vashës. Kjo këngë është rregjistruar në shumë variante në fshatra të ndryshme, thotë autori.. Disa thonë: Muaji i dhjetë e kap pushkën, ndërsa disa të tjerë: “dy molla i ka vasha”.
Autori bazohet tek studimet e Max Lambertz, Lehrganddes Albanischen part 3 (Halle: Niemeyer, 1959) p.p. 219-25 Eric P. Hamp, ‘Albanian’ in Indo – European numerals ed. Jadranca Gvozdanovic (Berlin: Mouton De Grunter, 1992) pp. 835 – 927.

Ky studim i thellë shkencor ka rëndësi pasi hedh teza të reja në lidhje me shtratin e gjuhës tonë dhe të mardhënjeve të saj me ato ballkanike. Një studiues me njohuri kaq të gjëra shkencore për aq shumë gjuhë të botës ka sjellë në atë fjalor aq të madh teza shumë interesante. Studimi përbën një vlerë të jashtëzakonëshme pasi gjëndet në një fjalor shumë prestigjioz në gjuhën angleze. Fjalori gjëndet në Bibliotekat Amerikane duke filluar nga Libraria e Kongresit dhe Biblioteka Publike e New Yorkut deri nw Oxford e Cambridge.