Qeveria Rama, zyrtarisht qeveri mafioze

Të mërkurën gazeta gjermane “Bild” publikoi përgjimet e Dibrës duke u treguar shqiptarëve se vjedhja e votave nga Rilindja është bërë sipas një skeme kriminale, e cila nis nga zyrtarët e policisë dhe përfundon në krye të qeverisë. Ose më saktë nga kryeministri dhe zbret në çdo qelizë të qeverisjes. Vërtetësia e përgjimeve në të cilat ministra, drejtues policie, njerëz të botës dhe krimit dhe sipas “Bild” edhe vetë Kryeministri Rama janë përfshirë në këtë skemë, nuk vihen në diskutim. Përgjigjet nuk janë investigim i gazetarëve, por janë marrë nga prokuroria shqiptare dhe asnjë prej personave të përfshirë nuk e ka mohuar që bisedat dhe komunikimet kanë ndodhur realisht. Por, megjithëse jemi në rastet e rralla kur krimi elektoral në Dibër dihet që ka ndodhur dhe kur autorët e pranojnë në biseda se kanë manipuluar zgjedhjet, sërish prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor. Katër ditë pas daljes së përgjimeve, Prokuroria që ishte në dijeni të krimit që në kohën kur ka ndodhur nuk ka marrë asnjë masë. Asnjë prej drejtuesve të policisë, asnjë prej ministrave, deputetëve dhe personave që flasin për blerje të votave nuk është marrë nën hetim. Madje, asnjë prej tyre duke nisur që nga ata që s’kanë imunitet politik nuk është thirrur për të dhënë dëshmi formale, të paktën. Ashtu, si edhe në rastin e përgjimeve të bandës së Shijakut që rezultoi se edhe deputetët i caktonte vetë krimi, prokuroria është e shqetësuar për daljen e sekretit hetimor. Në kohën që duhet kishte nisur me arrestimet dhe me dërgimin e tyre në gjykatë, organi kryesor i akuzës në vend, kujdeset për prishjen e imazhit të qeverisë dhe jo për krimin alarmant që ka ndodhur ndaj zgjedhjeve dhe shqiptarëve. Përgjimet e publikuara nga “Bild”, në çdo vend tjetër me politikanë normalë, do të kishin sjellë rrëzimin e qeverisë. Një kryeministër i përgjegjshëm, të cilit i zbulohen në publik fakte që tregojnë se mban një pushtet të paligjshëm do të drejtohej para qytetarëve për të kërkuar zgjedhje të reja. Do të kërkonte ndjesë, do të distancohej nga ajo çfarë i dëgjojnë veshët në përgjimet e prokurorisë dhe do të kërkonte hetimin dhe ndëshkimin e bashkëpunëtorëve duke u treguar qytetarëve se nuk mund t’i drejtonte si kryeministër, pa pasur mandat të ligjshëm. Në Austri, për shumë më pak përgjime sesa ato të Dibrës dhe të Shijakut, qeveria shkoi në zgjedhje brenda 24 orëve. Në Shqipëri kanë kaluar 4 ditë dhe jo vetëm këto nuk kanë ndodhur, por skandali është thelluar edhe më tej. Për të zhbërë skandalin e vjedhjes së votave, qeveria shkon edhe më tej duke shkuar drejt zgjedhjeve pa opozitë dhe pa dekret presidencial për datën. Nuk mjafton që kapen me “presh në dorë” duke vjedhur zgjedhjet dhe duke blerë votuesit, por tashmë kërkojnë që t’u njihen të rregullta edhe zgjedhje pa kundërshtarë. Jo vetëm nuk i tremben drejtësisë, por kanë dhe pafytyrësinë që pas daljes së përgjimeve të pranojnë se bisedat janë bërë dhe i quajnë normale. Janë biseda ku ministrat, deputetë, flasin me drejtorë policisë dhe kriminelë për çmimet e votat dhe presionet ndaj votuesve. Nuk kanë frikë se do të ndëshkohen, por guxojnë dhe thonë se atë që bënë në Dibër do ta bëjnë prapë, pra do vjedhin sërish. Deri në këtë pikë, askush nuk është tallur kaq keq me shqiptarët. Skandalet vijojnë dhe më tej, kur mësohet se Prokurori që ka kryer përgjimet me urdhër të gjykatës, jo vetëm nuk është lënë t’i përfundojë hetimet, por rezulton se është shkarkuar nga Vettingu disa muaj më parë. Një lëvizje që jo vetëm tregon se emrat që janë në përgjime kanë ndërhyrë, por vë në pikëpyetje gjithë reformën në drejtësi. Një prej emrave që del në përgjimet e vjedhjes së votave është dhe Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe njeriu që ka marrë përsipër zbatimin e ligjeve në drejtësi. Pas publikimeve në “Bild”, Manja duhet të ishte marrë nën hetim, duhet të kish dhënë dorëheqjen dhe i duheshin kaluar në “Vetting” gjithë vendimet që ka dhënë për prokurorinë, reformën në drejtësi, si dhe propozimet ligjore. Por në vend të kësaj, bashkë me deputetët dhe ministrat e tjerë të kapur duke kryer krim elektoral, Manja vijon të bëjë fushatën duke premtuar se historinë e Dibrës do e bëjë prapë. Madje, çunat problematikë të Rilindjes shkojnë edhe më tej duke kërkuar dhe shkarkimin e Presidentit të Republikës që shmangu një përplasje civile duke shtyrë datën e zgjedhjeve. Janë të njëjtë ministra, deputetë dhe përfaqësues të Rilindjes që sot duhet të ishin në rresht para prokurorisë ose brenda në burg, të cilët dalin flasin për moral dhe ligje, kur në fakt janë faktuar si banditët më të mëdhenj të zgjedhjeve. Artikulli i “Bild” në gazetën gjermane pasqyrohej me titullin “Shqipëria në moçalin e mafies”. Zhvillimet pas daljes së përgjimeve po tregojnë se zyrtarisht Shqipëria ka një qeveri mafioze.

Ndërsa Lulzim Basha të shtunën në darkë shkoi edhe më tej. Ai tha se qeveria jo vetëm mafioze, por edhe biznesi që e mbështet ka lidhje dhe zgjidh punë me mafien e vendit.

Me mafien ose përdoret Ushtria, ose populli del në rrugë me çdo mjet!

Qamil Xhani