Shkodranët, Ramës: Po të presim o trim i madh! Hajde edhe me antiplumb!

Nga Mark Krepi/Shkodër/

Sot kryeministri Rama ka lajmëruar një miting në orën 18:30 mu në zemër të qytetit të Shkodrës, një veprim ky sfidues ndaj kryebashkiakes, demokratëve dhe shkodranëve në përgjithësi.

Siç është bërë e njohur nga kryebashkiakja Ademi, kërkesës së PS-së për një miting të tillë, i kanë dhënë përgjigje negative, pasi nuk ka fushatë elektorale, sipas dekretit të Presidentit Meta. Ndërkohë policia e shtetit ka vendosur kontrolle poshtë urave në krejt aksin Lezhë-Shkodër si dhe janë mobilizuar mbi 1100 forca policie, pa llogaritur agjentët civilë të policisë dhe SHISH. Partitë opozitare me në krye kryebashkiaken shkodrane kanë paralajmëruar se nuk do lejojnë një manifestim të tillë elektoral nga ana e kryeministrit.

Në çdo hyrje të qytetit shkodran ka forca policie të cilët kontrollojnë për armë apo mjete të tjera piroteknike, sikurse në tarracat e pallatëve përreth ka snajperë dhe agjentë policie.

Momentalisht Shkodra ndodhet në shtetrrethim të plotë.

Por opozita e ka vendosur të marshojë kundër kryeministrit dhe pasionit të tij për të sjellë konflikt në qytet dhe në vend. Sipas burimëve nga Shkodra sheshi ku do jetë mitingu i kryeministrit po kontrollohet nga qentë antiminë si dhe specialistë të antiterrorit. Që mbrëmë në pikat kufitare janë kontrolluar çdo njeri që hyn në Shqipëri me origjinë të huaj si dhe ka helikopterë që kontrollojnë zonën.

Opozitarët shkodranë kanë lëshuar në rrjete sociale thirrjen që të mblidhen kundër kryeministrit Rama në shesh për ta zbuar nga qyteti, gjë që ka rrezik për konfrontime të forta sonte. Po kështu shumë prej demokratëve shkruajnë: Po të presim o trim i madh! Hajde edhe me antiplumb!