Negociatat, Agron Shehaj: S’ka mundësi të hapen as në qershor

Ish-deputeti i PD Agron Shehaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” u shpreh se beson se  negociatat nuk do të hapen as në qershor. Shehaj u shpreh se rekomandimi nuk është lajm i ri, pasi ka ndodhur edhe më herët, por hapja e negociatave nuk ka ndodhur.

“Nuk është ndonjë gjë e re. Negociatat nuk i hap KE, por vendet anëtare. Unë uroj që Shqipërisë t’i hapen sa më shpejt negociatat. Mirëpo ka vende të cilat fatkeqësisht nuk dua të hapen negociatat me vendin tonë. Fatkeqësisht ka shumë pak mundësi që të hapen negociatat në qershor me Shqipërinë. Për të mos folur pastaj për mashtrimin e Ramës qershorin e kaluar, që tha ‘u hapën’.

Unë kam lexuar The Economist dhe në shkrim thuhej se ka disa arsye se përse nuk hapen negociatat. Arsyeja kryesore është lidhja e politikës me krimin dhe bandat. Janë tre vende që kanë folur qartë se janë kundër hapjes së negociatave e këtu hyn edhe Gjermania. Opozita nuk është kundër hapjes së negociatave, por për fat të keq me këtë qeverisje kjo s’po ndodh. Në PE vetëm fjalë pozitiv thonë për shkak të mirësisë së tyre ndaj nesh, por se nuk po hapen. Kjo është hera e tretë që rekomandohet hapja e negociatave. Në dy herët e para janë kundërshtuar rekomandimet dhe nuk u hapën.”, deklaroi ish-deputeti Shehaj.

Shehaj theksoi se kjo qeveri po grabit shqiptarët me koncesione rrugësh, që për të janë skandaloze. Ai nënvizoi se Rama dhe të tjerë duhet të ishin sot përpara drejtësisë për korrupsion.

“Nëse marrim rrugën Orikum – Dukat. Kjo rrugë nuk është se është ndonjë rrugë që ka nevojë për ndërtim. Sidoqoftë, qeveria ka shpenzuar 70 milionë euro për 17 kilometër rrugë dhe kjo është për të vjedhur, pasi janë shumë para. E njëjta gjë ndodh edhe me rrugën Milot – Balldren. Janë shpenzuar 250 milionë euro për 17 kilometër rrugë. Ka qenë vetëm 1 kompani dhe nuk kishte as konkurrencë. Procedura ka qenë skandaloze, pa asnjë lloj transparente.

Unë jam i bindur se korrupsioni do të dalë. Duhet që të ndiqen penalisht dhe të dënohen të gjithë ata që abuzojnë dhe vjedhin. Ligji i PPP është bërë i tillë që mos dënohen ata që fitojnë këto koncesione të tmerrshme. Unë jam i bindur se këto vjedhje galoponte do të hetohen. Janë vjedhje të shumta, më shumë se 2 milionë euro. Kemi skandal të madh, kemi të bëjmë me grabitje. Kjo është e tmerrshme.

Prokuroria duhet të hetojë. Rama sapo ka humbur miliona euro  me Bechettin. Kemi të bëjmë me skemë mashtruese skandaloze. Të gjithë kryeministri, drejtorët etj. duhet të dërgohen përpara drejtësisë. Edhe projekti i Unazës së Re është skandal korruptiv. Është e qartë se ka përfshirje të administratës. Kemi të bëjmë jo vetëm me korrupsion, por edhe me pastrim parash.  Kjo sepse paratë janë dërguar në Amerikë dhe Prokuroria duhet ta zbulojë se ku shkuan paratë. Këta mendojnë se kanë gjithçka, por do vijë një ditë që Prokurorinë nuk do e kenë të veten, as policinë e do përgjigjen”, tha Shehaj.