Protestë në Rrugën e Kombit. Rama: Barbarët do arrestohen. Kryemadhi: Fundi i Qeverisë filloi!

Foto arkiv, Prill 2018: Protesta e banorëve të Kukësit kundër vendosjes së taksës.

Rruga e Kombit sot në tym e flakë. Përplasje, dhunë, zjarr dhe destabilitet nga përballja protestues-polici.

Situata në Rrugën e Kombit ka dalë jashtë kontrollit. Protestuesit që kundërshtonin vendosjen e taksës për kalimin e saj janë përplasur me policinë. Situata është tensionuar që në nisje të protestës, kur protestuesit janë përplasur me forcat e policisë. Protestuesit kanë thyer xhamat në sportelet për pagesën e taksës dhe më pas i kanë djegur ato. Qytetarët thonë se dhuna u provokua nga forcat e rendit. Nga përplasja mes policisë dhe protestuesve mësohet se ka edhe persona të lënduar.

Në mëngjes, policia bllokoi automjetet që vinin nga Kosova për t’u bashkuar në protestën kundër vendosjes së taksës për Rrugën e Kombit. Nëse policia shqiptare do të lejonte hyrjen e kosovarëve për në protestë, sot të bëhej nami, dhe jo vetëm djegia e sporteleve të pagesës, por edhe mund të kishte edhe djegie të tjera….

Rreth dy orë pas protestës kanë ardhur dhe reagimet e para të drejtuesve të qeverisë. Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e dhunshme në Kukës, ku qytetarët kundërshtuan vendosjen e taksës nga qeveria. Në një koment në Facebook ai premton se autorët e dhunës do të marrin përgjigjen e merituar. Ai e cilëson protestën si një sulm ndaj pronës së përbashkët.

Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se i’a dalin dot mbi ligjin!”,- shkruan Edi Rama.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një reagim për ngjarjen tha se qytetarët dëshmuan se fatet e kombit nuk janë pjesë e lojërave të Ed Ramës. Kryetarja e LSI thotë se revolta e Kukësit është shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen.

Sot qytetarët e Kukësit dëshmuan qartas se fatet e një kombi nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e lojërave perverse të një kryeministri të papërgjegjshëm. Ata që kanë humbur besimin te drejtimi i qeverisë, tek ekonomia që po shkatërrohet sepse Edi Rama do të kënaqë orekset e oligarkëve, sot janë shumica dhe me të fortë se kurrë. Revolta e tyre në Kukës është shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen, që po rrënon çdo ditë familjet shqiptare dhe që ndoshta sot mund të kuptojë që revolta ka qenë dhe mbetet fundi i çdo regjimi që sundon me dorën e krimit dhe korrupsionit”,- shkruan Kryemadhi.

Për situatën e krijuar ka reaguar dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një koment në Facebook, Berisha shprehet se populli i tha jo vjedhjes së Edi Ramës.

Populli i thote JO ‘plaçkes Rama’! Protesta te fuqishme kunder ‘plaçkes Rama’ ne Rrugen e Kombit, dhune e turpshme policore ndaj protesuesve, shume qytetare te plagosur. sb”- shkruan Berisha.

VIDEO E POSTUAR NGA SALI BERISHA NË FACEBOOK

FOTO/Protesta kundër taksës në Rrugën e Kombit

 

Protesta për taksën. Dajak dhe dhunë në Rrugën e Kombit (VIDEO/FOTO)