Publikimi i pamjeve të prindërve, Gjosha: Rama shkeli ligjin dhe të drejtën e fëmijës së dhunuar
Dekonspirimi nga kryeministri Edi Rama i fytyrave të prindërve të vajzës së mitur që u përdhunua në grup nga disa adoleshentë në Kavajë, vijon të shkaktojë reagime të forta në radhët e personazheve publikë.
Reagimi i radhës vjen nga deputetja e LSI-së Klajda Gjosha e cila deklaron se e ka të pamundur të kuptojë një shtet ku kryeministri shkel të drejtën e një fëmije të dhunuar për privatësi dhe kjo thotë Gjosha, është e papranueshme dhe e dënueshme!
Reagimi i Klajda Gjoshës
Publikimi i imazhit të vajzës së mitur në Kavajë, me zë dhe figurë është shkelja më flagrante e ligjit “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”. Neni 17, Liria e jetës private, pika 3, e shpreh qartë se ‘privatësia e fëmijës respektohet në të gjitha fazat e procedurave gjyqësore apo administrative, duke përfshirë edhe publikimin e tyre në media’.
Unë mund të kuptoj çdo gjë në këtë shtet, por që kryeministri të shkelë të drejtën e një fëmije të dhunuar për privatësi, është e papranueshme dhe e dënueshme!
Do ta ftoja të gjithë shoqërinë, institucionet dhe mediat të reagojnë për këtë veprim të paprecedentë!
KOHA JONË SONDAZH

