Mesazhi i koduar i ambasadorit të BE për Kryeministrin Rama

Debati politik jo vetëm në Tiranë është fokusuar të emri që Kryeministri Edi Rama propozoi për Ministër të Jashtëm dhe që nuk u dekretua nga Presidenti Ilir Meta. Genc Cakaj nuk mori emërimin për shkak të probleme ligjore me certifikatën e sigurisë, ideve të tij pro copëtimit të Kosovës, por edhe për shkak të mungesë së përvojës në diplomaci dhe moshës së tij të re.

Në këtë debat të ashpër mes Kryeministrit dhe Presidentit ndërkombëtarët deri më sot nuk kanë ndërhyrë, të paktën direkt dhe në mënyrë zyrtare.

Por diplomacia është pjesa më delikate e një shteti dhe ndërkombëtarët që ndjekin zhvillimet në Shqipëri e thonë fjalën e tyre jo me qëndrime zyrtare, por me sinjale dhe qëndrime indirekte.

I tillë duket se është dhe mesazhi që ka dhënë ambasadori i BE në Tiranë, Luixhi Soreca. Diplomati i BE në Tiranë, ka zhvilluar sot një takim me Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë. Ky forum i rëndësishëm diplomatik mbledh rreth vetës ish-ministra të Jashtëm, ish-ambasadorë, profesorë të njohur të diplomacisë dhe njerëz që kanë përvojë të gjatë në institucionet e Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe në organizatat ndërkombëtarë ku kanë përfaqësuar interesat e Shqipërisë. Është një grup intelektualësh dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe rolit të shqiptarëve në rajon që mund të quhet ‘ajka’ e diplomacisë shqiptare.

Kreu i qeverisë asnjë herë nuk është takuar me këta diplomatë dhe as i ka marrë në konsideratë studimet, analizat dhe prognozat që ata kanë bërë për Shqipërinë, Kosovën, Rajonin dhe çështje të tjera gjeopolitike. Aq më pak asnjë prej tyre nuk është popozuar në detyra të rëndësishme që domosdoshmërisht kërkojnë dhe përvojë të spikatur në diplomaci. Në vend njerëzve të tillë që kanë drejtuar dhe institucione ndërkombëtare, kryeministri zgjedh kandidat për ministër të jashtëm, njerëz që, në rastin më të mirë, për diplomacinë vetëm kanë lexuar në libra.

Por mesa duket ata që nuk i vlerëson Rama i vlerësojnë diplomatët e BE. Jo rastësisht pas takimit, ambasadori Soreca, si në një mesazh të koduat për ato që po ndodhin sot në Tiranë, vlerëson veçanërisht përvojën e çmuar të këtyre diplomatëve.

Diskutim i shkëlqyer me Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë. Shkëmbyem mendime mbi gjendjen e procesit të integrimit në BE dhe rolin e Shqipërisë në nivel rajonal. Përvoja dhe këshillat e tyre janë të çmuara në këtë moment vendimtar për Shqipërinë🇦🇱 në rrugën e saj drejt BE-së🇪🇺“,- shkruan Soreca në një postim në Twitter.

Në foto janë vetëm disa nga emrat më të spikatur të diplomacisë shqiptare në 30 vitet e fundit, ish-ministra të jashtëm, ish-ambasadorë dhe akademikë të njohur si: Besnik Mustafaj, Arta Dade, Paskal Milo, Neritan Ceka, Ylljet Aliçka, Tonin Gjuraj, Arben Çejku dhe shumë të tjerë.

Duket se jo rastësisht ambasadori i BE ka zgjedhur të takohet dhe flasë për integrimin me këta emra dhe jo me “njeriun me të lexuar të të gjitha kohërave”, siç thotë Rama, Genti Cakaj.

Mili Xhani