Mashtrimi nga DSIK për verifikimin e kandidatit për ministër i jashtëm

Ndër argumentat e shumta të Presidentit të Republikës, Ilir Meta për mos dekretimin e kandidaturës së Gent Cakaj është se ai ka shkelur ligjin për marrjen e Certifikatës së Sigurisë, pasi qëkur është emëruar zv/ministër i jashtëm në korrik 2018 dhe deri me 3 janar 2019 nuk ka pranuar verifikimin sipas ligjit. 

Kur Edi Rama publikoi emrin e Cakaj për ministër i jashtëm brenda 24 orëve janë nisur shkresat nga ministria e jashtme te DSIK dhe më pas prapë në ministri, ku DSIK na e nxjerr të “pastër” Gent Cakaj. Sipas rregulloreve dhe ligjit duhej që DSIK ta verifikonte me shkresa dhe dokumenta “virgjerinë” e kandidatit për ministër, pasi do të ketë në dorë sekrete shtetrore të nivelit të lartë, por DSIK për 24 orë jep përgjigje se “është i pastër”(!), ndërkohë që Gent Cakaj para një viti ka marrë nënshtetsinë shqiptare dhe se duhej që DSIK të merrte të dhëna zyrtare nga Kosova si dhe dy shtetet Belgjikë dhe Hungari, ku ai ka qëndruar disa vite.

Por DSIK, duke shkelur ligjin e plotësoi për 24 orë Certifikatën për Gent Cakaj, vetëm se pse ia kërkonte kryeministri. Saktësojmë se kishte korrik 2018-3 janar 2019 që zv/ministri nuk pranonte të firmoste deklaratën për verifikim, dhe DSIK kur i duhej kryeministrit e “vertetoi” për 24 orë!

Nga i mori të dhënat DSIK për 24 orë nga Kosova, Belgjika dhe Hungaria se si është Gent Cakaj? Nuk ka patur asnjë verifikim, por shkresa zyrtare e DSIK është jo ligjore dhe e bërë formalisht si një biletë ndeshje.

Ja se ç’shkruan përgjigja e Presidentit për këtë rast flagrant (ndër të tjera):

2. Procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK brenda një dite (04 01.2019), duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligji nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar dhe VKM nr.188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”.

Në formën se si është kryer, procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klafisikuar (DSIK).

Sipas shkresës nr. 09/1 prot, datë 8.01.2019 të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, ka plotësuar aplikimin për certifikatë sigurie pranë kësaj Ministrie vetëm më datë 03.01.2019, edhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillon nga marrja e detyrës si Zëvendës Ministër i MEPJ.

Aplikimi i z. Gent Cakaj është përcjellë nga MEPJ brenda ditës në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar me shkresë nr. 35 prot., datë 03.01.2019. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka lëshuar certifikatat e sigurimit të personelit për z. Gent Cakaj 1 (një) ditë më vonë dhe me shkresë nr. 18 prot, datë 04.01.2019, ja ka përcjellë këto akte Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Nga informacioni i DSIK, përcjellë Presidentit të Republikës me shkresë nr.87 prot, dt. 07.01.2019, konfirmohet se: “Z. Genc Shkëlzen Cakaj, lindur në Prishtinë më 06.07.1990, është i pajisur me CSP të nivelit “Tepër Sekret”, për njohjen e informacionit të klasifikuar “Sekret Shtetëror”; “Cosmic Top Secret” për njohje të informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe “EU Secret/Sekret UE”, për njohjen e informacionit të klasifikuar të BE-së. Këto CSP janë lëshuar më datë 04.01.2019 dhe janë të vlefshme deri më datë 03.01.2024.”

Pra rezulton se, procesi i verifikimit, i kryer në këtë rast nga (DSIK) si Autoriteti i Sigurimit Kombëtar në Shqipëri është realizuar brenda 1 (një dite) që referuar fakteve, dhe të dhënave të Gent Cakaj, tregon qartë se nuk është kryer një proces i mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në Rregulloren e Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr. 188, datë 04.03.2015.

Z. Gent Cakaj, mban dy shtetësi, ai është shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe shtetas i Republikës së Shqipërisë. Ai ka kryer studime jashtë territorit të dy vendeve (Shqipëri-Kosovë), respektivisht në shtetet Hungari dhe Belgjikë, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë.