Drejtori i “Konrad Adenauer” në Shqipëri: “Do të vijë momenti kur do keni një qeveri, por jo më popullsi”

Nga Stephanie Gebert/ Deutschlandfunk

Tarifa të përballueshme, më shumë para për arsim, luftë kundër korrupsionit: Prej ditësh studentët po protestojnë në disa qytete shqiptare. Ndërkohë, atmosfera e protestës është përhapur edhe në pjesë  e tjera të popullsisë, thotë Walter Glos i Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri.

Stephanie Gebert: Shqipëria është prej 4 vitesh kandidati zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Europian, por ka ende shumë kushte që vendi në skajin perëndimor të Gadishullit Ballkanik, duhet të përmbushë, për shembull në luftën kundër korrupsionit. Kjo gjithashtu vërehet edhe në sistemin arsimor. Dhjetëra mijëra studentë kane dale prej dhjetë ditësh në rrugët e kryeqytetit, Tiranë. Ata kanë hartuar një katalog me kërkesa. Ndër të tjera, ata duan që universiteti të bëhet i përballueshëm financiarisht.

Walter Glos është drejtori i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri dhe po ndjek protestat, disa prej të cilave ndodhin direkt poshtë ballkonit të zyrës së tij. Përshëndetje, Z. Glos!

Walter Glos: Po, pëshëndetje të përzemërta  nga Tirana, Shqipëri!

Gebert: Sot, studentët kanë marshuar përsëri nga i gjithë vendi. Deri tani nuk ka pasur dhunë. A mendoni se këto protesta do të mbeten paqësore?

Glos: Kjo është e vështirë për t’u thënë. Kjo varet para së gjithash nga mënyra se si qeveria do t´i trajtojë kërkesat e studentëve. Dje kam biseduar me disa përfaqësues të studentëve dhe organizatave rinore dhe ata po përpiqen që ngjarjet dhe protestat të jenë të qeta dhe paqësore.

Gebert: Çfarë saktësisht i ka ndezur protestat e studentëve?

Glos: Protestat kanë lindur si pasojë e shumë pakënaqësive të studentëve të cilët duhet të paguanin tarifa të larta për provimet e përsëritura. Përveç kësaj, tarifat për semestrin janë sigurisht tepër të larta. Nëse i krahasoni me Gjermaninë, mund ta kuptoni këtë gjë.

Gebert: Sa të larta janë ato?

Glos: Ndonjëherë shkojne deri në 2.600 euro për një vit, dhe me një pagë mesatare, e cila këtu është rreth 300-350 euro në muaj, kjo është shumë e shtrenjtë, dhe ne këtu kemi dhënë bursa. Studentët që përzgjedhim shpesh qajnë, sepse e quajnë veten me shumë fat kur, për shembull, një fondacion politik gjerman u jep atyre një bursë.

Gebert: Një gjë që kërkohet është mundësia për të përballuar pagesën e studimeve. Ndoshta ju do të zgjidhni dy gjëra të tjera, që janë gjithashtu të rëndësishme për studentët.

Glos: Sigurisht, edhe prania e studentëve në organet e rëndësishme vendimmarrëse, për dekanë dhe rektorë, pastaj edhe dyfishimi i buxhetit në buxhetin e shtetit për arsimin, si  edhe situata katastrofike në konvikte, e cila është me të vërtetë tepër e keqe. Unë kam pasur vetë rastin t’i shikoj ato, dhe në qoftë se 40 studentë të rinj ju tregojnë se si ata duhet t´ia dalin me një banjë dhe një dush, dhe ju supozoni se qelitë e burgut gjerman janë më mirë se akomodimi këtu në konvikt, atëherë ju mund të kuptoni mirë se çfarë kërkojnë studentët.

Tema mbizotëruese e korrupsionit

Gebert: Tani kërkesat e BE janë bërë, sepse siç u përmend, Shqipëria do t’i bashkohet BE-së. Ndër të tjera, bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit. Ky korrupsion është gjithashtu shumë i përhapur edhe në arsim.

Glos: Po, kemi pasur një bashkëpunim me gjashtë shkolla të mesme, dhe çështja mbizotëruese ka qenë korrupsioni në radhët e mësuesve, dhe e njëjta gjë vlen edhe për universitetet. Studentët duhet të paguajnë për provime, ata duhet të paguajnë për transfertat, ata duhet të paguajnë për pranimin në universitete, dhe sigurisht kjo është një pikë që luan një rol krahas kërkesave të tjera.

Gebert: Sa e madhe është mbështetja për këto kërkesa në popullatë, dhe a e ka kjo protestë potencialin për të përfshirë shtresat e tjera të popullsisë?

Glos: Po, është, në qoftë se pyesni njerëzit se çfarë ata mendojnë për të, unë nuk kam takuar një të vetëm që ka thënë se ai nuk e kupton ose nuk do e mbështeste, në qytete të tilla të rëndësishme si Gijrokastra, Vlora, Shkodra, Elbasan , edhe aty të gjithë studentët u janë bashkuar protestave dhe përveç kësaj janë zhvilluar papritur edhe protesta të tjera, kundër çmimeve të larta per ushqimet, kundër çmimit të lartë të naftës, benzinës, që janë më të larta se në Gjermani, dhe kështu mund të vërehet që në këtë moment, ka një atmosferë të vërtetë të madhe proteste në vend.

Gebert: Largimi i të rinjve është një problem i njohur në Shqipëri, edhe sepse ka një papunësi të lartë të të rinjve. A e ka qeveria këtë detyrë në fokus apo është më tepër e përkushtuar ndaj problemeve të tjera?

Glos: Ajo duhet, ajo duhet ta ketë, ajo nuk mund ta anashkalojë këtë, sepse të gjithë e dinë se në pesë vitet e fundit më shumë se 400,000 të rinj janë larguar nga vendi dhe në një popullsi që ishte diku 3 milion, kjo është një shifër tepër e lartë, dhe kjo tregon se kjo çështje duhet marrë seriozisht, përndryshe do të vijë momenti, kur do të kemi një qeveri, por jo më nje popullsi.

*Titulli në origjinal: Atmosferë e madhe proteste në vend. Përktheu. Politiko.al