Vetëm prangat në qeveri për vjedhjen e 18 milionë eurove qetësojnë publikun

Opinionit publik ka përpara syve këto 24 orët e fundit vjedhjen më të madhe që është bërë ndonjë herë me firmat dhe vulat e qeverisë shqiptare. Emisioni i gazetarit Ylli Rakipit, “Të Paezkspozuarit”, ka shfaqur parë shqiptarëve disa të vërteta të frikshme për mega korrupsionin në projektin e Unazës së Re.
E thënë me pak fjalë, projekti i Unazës së Re, për të cilin 400 familje po nxirrem me shkelma në rrugë pa u dhënë asnjë lekë, është fituar nga një kompani gjasme amerikane, që të gjitha dokumentet e tenderit i ka të falsifikuara. Zyrtarisht kompania Dunwell Haberman është fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe. Kjo kompani ka fituar shumën më të madhe të parave, nga 40 milionë euro që janë ndarë mes tre kompanive. Por edhe pse kemi të bëjmë me emrin e një firme amerikane, në fakt gjithë dokumentacioni i saj është i falsifikuar. Kompania është regjistruar në zonat offshore dhe pronari i saj nuk dihet kush është realist. Është falsifikuar data e regjistrimit në SHBA. Është falsifikuar historiku i saj dhe kompania është hapur disa muaj më parë dhe jo 20 vjet më parë siç pretendohej. Janë falsifikuar dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Është falsifikuar pjesëmarrja e saj në garë, si dhe gjithë procedurat tenderuese, sipas ligjeve shqiptare. E vetmja gjë që nuk është falsifikuar është fakti kokëfortë se kompania ka marrë 18 milionë euro nga qeveria shqiptare për të ndërtuar një projekt të dyshimtë.
Në këtë listë skandalesh shtohet dhe fakti që dihet publikisht se rruga prej 2.2 kilometrash po ndërtohet me shifrën e pajustifikueshme 40 milionë euro. Pra, firma që ka marrë pjesën kryesore të projektit, 18 milionë euro, rezulton se është krijuar vetëm për të vjedhur 18 milionë euro. Nuk ka as pronar të ligjshëm, as projekt dhe asnjë dokumentacion që e justifikon. Është thjesht një “xhep” i sajuar për të derdhur 18 milionë eurot që do merren nga buxheti i shtetit.
Projekti i Unazës së Re ka nxjerrë në rrugë prej më shumë se një muaji rreth 400 familje që u prishën shtëpitë. Qeveria thotë se nuk ka para nga taksat për të paguar vlerën e plotë e banesave. Ndërkohë që faktet po tregojnë se paratë po shkojnë lumë në korrupsion dhe kompani fantazmë që vet qeveria i ka marrë për të ndërtuar këtë projekt.
Ndërkohë në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme edhe pse dyshimet për korrupsion me këtë projekt kanë muaj që përfliten, vetëm sot deklaroi se do niste hetimet. Më shumë se reagim ligjor duket se është reagim nga frika se falsifikimi i vulave të shtetit amerikan nga një kompani fiton tender në Shqipëri do të vërë në lëvizje FBI-në amerikane. Kemi të bëjmë me një krim që është kryer në dy vende. Në SHBA janë falsifikuar vulat e Departamentit të Shtetit në shtetin Delaware. Ndërsa në Shqipëri falsifikimi ka përfshirë thuajse gjithë shtetin dhe buxhetit i kanë vjedhur 18 milionë euro. Më shumë se kaq para dhe në mënyrë kaq idiote asnjë zyrtar dhe asnjë qeveri nuk ka pasur guximin e marrë të vidhte më parë.
Është një skandal që kalon çdo imagjinatë dhe tregon se korrupsioni në Shqipëri është kthyer jo në fenomen, por në model qeverisës. Nëse në SHBA u falsifikuan firmat, në Shqipëri janë të paktën tre institucione që ose kanë dorë në vjedhje dhe duhet të dënohen, ose më e pakta drejtuesit e tyre të ikin nga zyra që tani.
Si fillim, Agjencia e Prokurorimit Publik që organizon tenderat dhe është në varësi dhe në të njëjtën godinë me Kryeministrinë e Edi Ramës, ka pranuar një dokumentacion 100% të falsifikuar. Drejtuesit e ose janë totalisht të paaftë ose kanë pjesën e tyre në 18 milionë eurot?
Së dyti, Autoriteti Rrugor Shqiptar që ka tre muaj që mburret se ka sjellë në Shqipëri një firmë amerikane, tani duhet të dalë para shqiptarëve dhe të sqarojë se çfarë pune bën realisht ky institucion. Verifikon anën ligjore të projekteve, kompanive apo ka marrë përsipër rolin e sekserit?
Së treti, Ministria e Transporteve dhe kushdo nga ky institucion duhet tu shpjegojë shqiptarëve sesi nën hundën e tyre, një kompani fantazmë u vodhi 18 milionë euro.
Dhe në fund, Kryeministri Edi Rama që për këtë projekt të Unazës futi rreth 130 protestues në burg, plagosi një policie, lejoi dhunimin e banorëve protestues dhe të vet forcave të rendi sot duhet të flasë. Ka përgjegjësi jo vetëm morale për atë që ka ndodhur, por edhe ligjore. Më e pakta drejton institucione sharlatane ku një kompani pa adresë vjen dhe i merr me letra fallso 18 milionë euro. Ndërsa më e keqja është që për gjithë këtë llumë dhe korrupsion kreu i qeverisë të ketë pasur dijeni.
Por ky skandal nuk mund të mbyllet vetëm me sqarime. Justifikimet dhe hetimet pa autor nuk i hyjnë në punë askujt. Zullumi është aq i madh sa reagimin e qytetarëve dhe revoltën e banorëve të Unazës së Re, vetëm prangat në qeveri mund ta qetësojnë.      Qamil Xhani