Basha-Kryemadhi: Edi Rama hajdut, Prokuroria ta hetojë urgjent për Unazën e Re

Publikimi i fakteve në emisionin “Të Paekspozuarit” se firma kryesore që ka marrë tenderin e Unazës së Re ka falsifikuar gjithë dokumentacionin ka shkaktuar një stuhi reagimesh kundër qeverisë.

Krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi e cilësuan publikimin e këtyre fakteve si provën e qartë se pas vjedhjes prej 18 milionë eurosh është vet kryeministri Edi Rama.

Lulzim Basha kërkoi sot në një deklaratë për mediat që prokuroria të nis hetimet urgjent për atë që e quajti si aferën më të madhe korruptive në vend. Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se provat tregojnë se zullumi i qeverisë ka arritur në nivelin më të lartë. Ajo tha se për vjedhjen dhe shkatërrimin e pronave të banorëve duhet të mbajnë përgjegjësi gjithë zyrtarët, duke nisur nga kryeministri Edi Rama.

Pas publikimeve të dëshmive të flasin për mega korrupsion, dy krerët e opozitës u bënë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestave.

Video/Deklarata e Lulzim Bashës

Deklarata e plotë për media e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha:

“Të dashur bashkëqytetarë,

Tani është e qartë për të gjithë ju se projekti i unazës së re është një projekt vjedhjeje, dhe jo një projekt zhvillimi. Ai nuk bëhet për qytetin e Tiranës, nuk bëhet për njerëzit, porbëhet për xhepat e Edi Ramës.

Ne kemi dy muaj që e kemi thënë ditë për ditë këtë gjë, megjithëse cinizimi që ka mbirë kudo dhe helmimi nga propaganda e gënjeshtrat e qeverisë, i kanë penguar qytetarët të shohin të vërtetën.

Por më mirë vonë se kurrë: sot të gjithë po shohin Edi Ramën e vërtetë, Edi Ramën siç është, pa maskë dhe pa fasadë: një hajdut të ftohtë dhe të pamëshirshëm që nuk ndalet para asgjëje për xhepat e tij.

Një hajdut që për të mbushur xhepat e tij është i gatshëm të flakë në rrugë fëmijë, pleq, të sëmurë, gra shtatzëna. Arroganca, dhuna dhe këmbëngulja mizore dy mujore për të nxjerrë nga shtëpitë e tyre në mënyrë të paligjshme qytetarët frymëzohen nga makutëria e tij për para.

Mbrëmë këto fakte tronditëse u shfaqën në ekranet , në emisionin “Të paespozuarit” dhe më pas u mor nga një një i madh mediash, kanë treguar qartë dhe pa dorashka të vërtetën tronditëse.

Sot Edi Rama ka nxjerrë sot ARRSH-në që të bëjë mashtrimin e rradhës.

Së pari, ARRSH-ja e Ramës duhet të dalë e gjitha para drejtësisë sepse në vend që t’i shërbejë ligjit dhe shqiptarëve, është kthyer në një vegël për vjedhjet marramendëse të Edi Ramës.

Të gjitha koncesionet që ka hartuar dhe kontraktuar ARRSH-ja në rrugë janë akte korrupsioni dhe asnjë nga zyrtarët e ARRSH-së të përfshirë nga më i thjeshti, tek më i larti nuk duhet të lihet i lirë por duhet hetuar dhe nxjerrë para drejtësisë.

Megjithatë ideatori, planifikuesi dhe përfituesi kryesor i vjedhjes së Unazës, dhe i të gjitha projekteve të tjera, i vjedhjes së koncesioneve të rrugëve, i koncesionit të check-upit, të koncesioneve të incineratorëve dhe të çdo vjedhje të tjetër masive që po i bëhet Shqipërisë është Edi Rama.

Shqiptarët më në fund po e shohin të vërtetën siç është: Edi Rama është hajdut.

Ai ka plot 20 vjet që vjedh pa pushim shqiptarët dhe nuk ngopet.

Sepse ai ka vetëm një vlerë dhe një moral: paranë.

Para parasë nuk vlejnë as njerëzit, as vendi, as familjet, as studentët, as e ardhmja. Asgjë.

E gjithë qeverisja e tij është një projekt gjigand për të plaçkitur për të vjedhur dhe për të zhvatur. Edi Rama as nuk ka patur dhe as nuk vullnet, as vizion për të punuar për njerëzit. Për të qeverisje do të thotë vjedhje.

Vjedhja është qëllimi dhe përmbajtja e qeverisjes së sotme. Çdo gjë tjetër është fasadë. Është propagandë.

Në fillim, ai përdori drogën dhe krimin për të bërë para dhe marrë pushtetin. Tani po përdor pushtetin për të grabitur paratë dhe pasuritë e shqiptarëve për të mbajtur pushtetin duke blerë çdo gjë, nga mediat tek zgjedhjet.

Sot nuk duhet të heshtë askush, pavarësisht bindjeve apo simpative politike.

Kam një thirrje të sinqertë si qytetar për median, për gazetarët e vendit tim: mos mbroni kriminelët në pushtet. Mos mbuloni vjedhjen. Hetoni korrupsionin dhe krimin. Është detyra bazë e medias të hetojë aktivitetin e qeverisë.

Bëjeni këtë gjë. Mos u bëni palë me të keqen. Shqiptarët nuk do t’jua falin nëse do të vazhdoni të punoni kundër tyre dhe të ardhmes së fëmijve të tyre.

Dua t’u them edhe një herë studentëve, banorëve të Unazës, dhe qytetarëve kudo ku janë: unë jam me ju, ne jemi me ju, demokratët janë me ju.

Ne jemi me njerëzit. Detyra jonë është të përfaqësojmë njerëzit dhe të luftojmë për drejtësi dhe mirëqenien e tyre. Ne japim mbështetjen tonë për përpjekjen tuaj, ne i bashkojmë zërin tonë zërit tuaj.

Ne nuk duam kurora, nuk duam lavde. Ne duam drejtësi, duam qeverisje të ndershme për të gjithë. Ne duam që të jenë qytetarët që të vendosin për qeverisjen e tyre dhe jo droga, as krimi dhe paratë e korrupsionit.

Askush nuk duhet të rrijë më i heshtur. Askush nuk duhet të rrijë më pa vepruar.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që t’u bashkohen të gjitha përpjekjeve për të ndaluar vjedhjet e Edi Ramës.

Ju bëj thirrje t’i bashkohen protestës së banorëve të Unazës, të Shkozës, të Bulevardit të Ri.

T’u bashkohen qytetarëve që protestojnë prej 10 muajsh për teatrin.

T’u bashkohen studentëve, bijëve dhe bijave që protestojnë për të drejtën e tyre për dije dhe arsimim.

Mos dëgjoni përccarësit. Mos u gënjeni nga njerëzit që paguan Edi Rama me paratëv që ju ka grabitur ju, për t’ju shkurajuare për t’ju helmuar me cinizëm dhe mosbesim.

Sot ka një fakt të thjeshtë: Edi Rama dhe banda e tij po e çojnë vendin në greminë. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë. Bashkë ne duhet ta ndalim me cdo mjet.

Vetëm kur njerëzit bashkohen, tregojnë kurajo dhe luftojnë të gjithë për të drejtën dhe të mirën, vetëm atëhere fiton populli, fiton e mira dhe mkundet e keqja”.

Video/Deklarata e Monika Kryemadhit

Deklarata për media e Kryetares së LSI  Monika Kryemadhi:

“Përshëndetje, dalim sot në këtë qëndrim të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të bërë të qartë edhe një herë që të gjithë qytetarët, të cilët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre dhe pronat e tyre gjatë gjithë kohës së periudhës së tranzicionit në Shqipëri,  janë tashmë pronarë të pronave, të banesave, të godinave dhe të tokave të tyre. Dhe këtë të drejtë, nuk ja u ka dhënë politika, por këtë të drejtë ja u ka dhënë ligji në vitin 2006. Kjo është më se e qartë, dhe tashmë sot dua t’a ritheksoj edhe një herë që çështja e “Unazës së Re” është një çështje, e cila duhet të zgjidhet përfundimisht për banorët e “Unazës së Re”. Pronarë nuk i bën banorët e “Unazës së Re”, as Artan Lame, as Afrim Qendro, as Erion Veliaj dhe as Edi Rama, pronarë banorët e “Unazës së Re” i ka bërë ligji i vitit 2006, të cilin ne si politikë apo si institucione e kemi shkelur me të dyja këmbët. Pabarazia përpara ligjit që ka krijuar një përçarje midis shqiptarëve nga pikëpamja kushtetuese quhet diskriminim. Kjo është qeveria që bën qeverinë më të mundshme raciste që kemi parë ndonjëherë në këto 27 vjet. Tenderi i “Unazës së Re” i cili dje u faktua nga një emision, ku kishte të falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregon edhe njëherë që ka kaluar çdo shkallë dhe çdo normë morale dhe ligjore të kësaj qeverie. Tenderi i “Unazës së Re”, jo vetëm që është një vepër korruptive, por është një ndasi sociale që përbën diskriminim ndaj qytetarëve. Prokuroria e ka veprën penale tashmë dhe nuk ka më se çfarë pret, për të filluar hetimin e kësaj vepre korruptive, por jo vetëm korruptive, por edhe diskriminuese dhe raciste dhe të shkeljes së ligjit, e cila është bërë haptas ditën me diell.

Tashmë, Prokuroria ka përpara korrupsionin e tenderit, ka përpara dokumente të falsifikuara, ka përpara korrupsion në projektim, ka përpara falsifikim dokumentesh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj nuk mbetet gjë tjetër që të tregojë angazhimin e saj, për të treguar edhe njëherë që ne kemi bërë Reformë në Drejtësi. Shpërblimi i drejtë, sipas ligjit është më e pakta që mund të bëjë qeveria shqiptare. Nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar që një projekt për një rrugë që është 2.2 kilometra dhe kushton 48 milionë euro dhe ka zero para për banorët për dëmshpërblimin e rrugëve të saj.

Prandaj, edhe njëherë i bëj thirrje Prokurorisë shqiptare që të nisë sa më shpejt procedimin penal ndaj të gjithë hartuesve të këtij projekti famëkeq dhe grabitës disa herë të qytetarëve shqiptarë. I bëj thirrje të gjithë atyre të cilët janë të përfshirë në këtë zullum vjedhjeje që të kthejnë sytë nga qytetarët, sepse është e drejta jonë t’u shërbejmë qytetarëve dhe të luftojmë për ta. Sepse ajo qëndresë për më shumë se një muaj e atyre banorëve është një mësim i mirë për politikën, është një mësim i mirë për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e shtetit, e qeverisjes sepse ky vend nuk mund të drejtohet më me interesa të vogla, por ky vend duhet të drejtohet në shërbim të qytetarëve.

Ky vend dhe ky shtet duhet të mendojnë për njerëzit e tij. Sot, më shumë se kurrë të gjithë ne pa dallim bindjesh politike, feje, krahine dhe ideje duhet të jemi kompakt për të ndaluar njëherë e përgjithmonë këtë diskriminim, këtë përçarje të qytetarëve shqiptarë përpara ligjit. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, sepse e vetmja mënyrë që Shqipëria të ecë përpara është kjo. E vetmja mënyrë që shqiptarët të jetojnë në lumtur në Shqipëri është që të gjithë të jenë të barabartë. E vetmja mënyrë që ata studentë që protestojnë sot, të jenë të barabartë.

Nuk mundet më kjo qeveri, e cila me arrogancën e saj, e cila me të gjithë fuqinë e saj e harxhon për propagandë, e harxhon për të intimiduar dhe për të kërcënuar njerëzit, nuk mund ta vazhdojë dot më gjatë.

Prandaj, i bëj thirrje Prokurorisë shqiptare dhe njëherë që të fillojë hetimin dhe të ndalojë projektin famëkeq, përçarës, diskriminues, grabitës të pronave të banorëve të unazës së Re dhe të gjithë banorëve të tjerë, të cilët kanë qenë viktima të këtyre”.