Kryeministri mbledh në mënyrë të fshehtë dhe urgjente qeverinë

Me urgjencë dhe në mënyrë të fshehtë kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Qeverinë për të diskutuar për kërkesat e studentëve që po zhvillojnë protesta masive.

Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar zyrtarisht VKM nr 288 pika numër 4, e cila parashikonte tarifa për provimet e mbartura në bazë të krediteve. “Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet”, thuhej në pikën 4.

Firma në dokument është e kryeministrit Edi Rama dhe e ministres Lindita Nikolla. Kjo do të thotë se sot është zhvilluar mbledhje qeverie jashtë radhe, e cila nuk është njoftuar për mediat.

Presioni i studentëve dhe protestat kanë detyruar kryeministrin që brenda një ore të thërrasë mbledhjen e kabinetit. Por pavarësisht se pika në VKM është anuluar, studentët kanë dhe një sërë kërkesash të tjera dhe protesta do të vijojë.