Fjalimi frymëzues i Grida Dumës emocionon sallën (VIDEO)

”Gjëja që i mungonte më shumë këtij njeriu ishte të kishte një fëmijë. Ai shkrin gjithë artin e vet dhe bën një kukull prej druri, e cila për shkak se ishte mjeshtëria e tij më e madhe, di të flasë, di të ecë, di të gëzojë. Xhepeto kupton se brenda një nate shpirtin nuk mund t’ia japë, ndërgjegjen nuk mund t’ia japë”.

Ishte kjo një pjesëz e bisedimit të Grida Dumës me një grup të rinjsh, por jo vetëm, një komunikim ndryshe, që i mungonte dhe i duhej qindra njerëzve që vendosën të kenë varësi vetëm suksesin, të mos ndalen por t’ia dalin mbanë me çdo kusht.

Çfarë sekretesh na mëson jeta përtej bankave të shkollës? Si kam ecur unë deri këtu? Çfarë ndodhi dhe ku dështova? Kush jam unë?…Janë disa prej pyetjeve që Grida përpiqet t’u japë përgjigje në një fjalim motivues që të mban mbërthyer nga fillimi në fund.

“S’mjafton të kesh rezultate të mira në kartona diplomash, s’mjafton as t’ia hedhësh fajin sistemit që funksionon keq, e pastaj të përfundosh vetë akoma më keq; suksesi, kur e arrin, është shumë më tepër se kaq. Që t’ia dalësh mbanë sot nuk mjafton të ëndërrosh, as të bësh ca gjëra mirë; duhet të stërvitesh fort në mendje dhe në zakonet e përditshme. Zakone fare të vogla – nga ngrënia e mëngjesit, tek ecja në rrugë, tek veshja e duhur, e më pas stërvitja e trurit si qendër force”, shkruan ajo në Facebook, status i cili është komentuar pozitivisht dhe është shpërndarë nga qindra ndjekës.

Grida shprehet për “Anabel.al”, se ky “trajnim”, më saktë kjo bisedë që të frymëzon të duash arritjet e tua dhe të kërkosh për më shumë, do të organizohet në disa qytete të Shqipërisë pas suksesit të parë në Tiranë.

/Anabel/