“3.4 mln € në Toyota Yaris”, Gjykata e Tiranës regjistron padinë e Ballës për Bashën

Gjykata Penale e Tiranës ka regjistuar padinë e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Padia përfundoi në Gjykatën e Tiranës pas shpalljes së moskompetencës nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Seanca e parë për këtë padi do të zhvillohet në mes të tetorit, bëjnë me dije burime për Report Tv. Padia e Ballës do të shqyrtohet nga gjyqtari Gerd Hoxha. Hoxha është njëherazi kryetari i Unionit të gjyqtarëve të Shqipërisë. Shkak për një afat kaq të gjatë kohor është bërë ngarkesa e krijuar për gjyqtarët pas pushimeve dhe dosjeve të prapambetura.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kallëzoi penalisht kreun e PD-së, Lulzim Basha, pas akuzave që ky i fundit i bëri për një sasi prej 3.4 milionë eurosh, e kapur në portin e Durrësit në muajin qershor.

Balla e kallëzoi penalisht Bashën dhe dosja i kaloi Gjykatës për Krimet e Rënda. Më pas, Krimet e Rënda shpallën moskompetencë për këtë dosje, duke ia kaluar kështu Gjykatës Penale të Tiranës. Dy akuzat e Ballës për kryedemokratin janë “nxjerrje e sekretit hetimor”  dhe shpifje.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit më 21 qershor 2018, tha se shumë shpejt një sasi parash e lidhur me Taulant Ballën do të kapej. Dhe më datë 24 qershor 2018, u sekuestruan 3.4 milionë euro në portin e Durrësit gjatë një superoperacioni të policisë. Pas kapjes së parave, Basha akuzoi Ballën se ishte ai garant i dërgesës së parave të sekuestruara nga veprimtari të paligjshme në Evropë, që tentuan të hynin në vendin tonë, në dy makinat Toyota Yaris. Për dosjen e 3.4 mln eurove deri tani të arrestuar janë; Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri, ndërsa në kërkim janë dy porositësit, kushërinjtë Vladi. Kreu i PD, Lulzim Basha, nga akuzues i Taulant Ballës për ngarkesën e 3.4 milionë eurove, është akuzuar nga kreu grupit parlamentar socialit se ka njohje me vëllanë e Alfred Vladit, njërin prej dy personave të shpallur në kërkim.