Aretha Franklin, e sëmurë rëndë

Aretha Franklin raportohet të jetë në gjendje “të rëndë” shëndetësore. Mbretëresha e “soul”-it, sot 76-vjeç, rrethohet nga familja e saj në Detroit, të cilët kanë kërkuar për lutje dhe ruajtje privatësie për legjendën e muzikës, e cila është përballur me disa probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit.

Aretha ka qenë ende aktive duke performuar më së fundi vitin e kaluar, por verën e 2017-s ajo u detyrua të anulonte një seri koncertesh, për shkak të “urdhrave të doktorëve”. Performanca e saj e fundit është regjistruar më 2 nëntor të vitit 2017, për fondacionin “Aids” të Elton Johnit në Nju Jork.

Performanca e fundit përpara publikut, ndërkohë, është mbajtur në “Mann Center” të Philadelphias, në gushtin e vitit të kaluar. Në fillim të atij viti, ajo do të bënte të ditur se 2017-a do të ishte i fundit aktiv i saj.

“Do të vazhdoj të regjistroj muzikë, por ky do të jetë viti im i fundit nëpër koncerte”, njoftoi ajo gjatë një interviste radiofonike në shkurt të vitit të kaluar.

Ikona e muzikës “soul” ka vuajtur përgjatë të gjithë jetës së saj nga problemet me peshën, ndërsa është përballur edhe me alkoolizmin, por edhe me duhanpirjen.

Edhe pse vijonte të jepte performanca të magjishme edhe në të 70-at e saj, superylli kishte anuluar në disa raste disa të tilla për shkak të trajtimeve mjekësore të pazbuluara në publik. Megjithatë, ajo ka mohuar të ketë luftuar tumorin në pankreas gjatë vitit 2011, edhe pse të 3 vëllezërit apo motrat e saj kanë qenë prè e tumoreve.

Vëllai i saj Cecil, i cili ishte edhe menaxheri i saj, ndërroi jetë nga tumori në mushkëri në dhjetor të vitit 1989. Motra e saj Carolyn u nda nga jeta një vit më herët, në prill të 1988-s, nga tumori në gji, ndërsa motra më e madhe, Erma, humbi jetën në shtator të vitit 2002 nga turmoi në fyt.

Karriera legjendare e Arethës ka ndihmuar në shkrimin e historisë amerikane. Ajo ka performuar në funeralin e Martin Luther King Jr. në vitin 1968, ndërsa i ati i saj kishte organizuar një nga marshimet më të mëdha për barazi racore në Detroit, aty ku Luther Kingu do të jepte për herë të parë fjalimin e titulluar “Kam një ëndërr”. Por, kur iu drejtua kombit dy muaj më vonë nga Uashingtoni, në vitin 1963, turma do t’ia kalonte asaj të regjistruar në Detroit.

Aretha ishte e para femër e përfshirë në Hollin e Famës së “Rock and Roll”-it në vitin 1987, ndërkohë që ka kryesuar edhe listën e “artistëve më të mirë të të gjitha kohërave” të “Rolling Stones”. Ajo ka fituar 20 çmime “Grammy” gjatë karrierës së tij, përfshi edhe 3 nderime speciale: çmimin e legjendës (1991), çmimin e arritjeve jetësore (1994) dhe personi i vitit nga “MusiCares” në vitin 2008.