Speciale/ Shqipja në Greqi, mësuesit: Fëmijët e emigrantëve po harrojnë gjuhën amë, ja arsyet

Seminari për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Diasporë, flasin mësueset e Shoqatës “Nënë Tereza” në Greqi: Shteti të kushtojë vëmendjen e duhur

Bashkëbisedoi: Herion Mesi

Shqiptarët që jetojnë në Diasporë kanë humbur interesin për të mësuar gjuhën shqipe, duke shkaktuar kështu një rrezik për humbjen e lidhjeve me shtetin amë. Në takimin e përvitshëm 4-ditor mes Shqipërisë dhe Kosovës që u zhvillua këtë javë në Tiranë u kërkua që politika  të bëjë më shumë për Diasporën, siç është regjistrimi i mësuesve dhe pajisja me tekste të unifikuara në gjuhën shqipe. Një shqetësim i tillë u pohua në ditën e parë të seminarit edhe nga vetë ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko i cili deklaroi se shqiptarët në Diasporë po shkojnë drejt harresës së gjuhës shqipe, pasi vetëm 10% e nxënësve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mësojnë gjuhën shqipe. Përveç ministrave të arsimit të Shqipërisë Lindita Nikolla dhe të Kosovës Shyqiri Bytyqi, të pranishëm ishin edhe mësues shqiptarë që japin mësim në gjuhën shqipe në Diasporë.

Në punimet e seminarit të XIV mbarëkombëtar “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Diasporë” të realizuar në Tiranë në 31 korrik – 03 gusht 2018, mori pjesë edhe Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” në Greqi, e cila u përfaqësua nga 6 mësueset dhe aktivistet: Jonida Mema, Aurela Konduri, Brunilda Toshkësi, Keti Toromani, Saimira Gjapi, Valbona Hystuna. Mësimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe është një ndër aktivitetet kryesore të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” që në fillimet e saj. Në një bashkëbisedim për “Koha Jonë” mësueset e shqipes në Greqi rrëfyen problemet dhe sfidat që ato hasin gjatë ushtrimit vullnetar të profesionit të tyre.

“Së pari, parashtrojmë problemin e mungesës së hapësirave gjuhësore dhe kulturore në mjediset ku jetojnë, si dhe shkalla e ulët e informimit të komunitetit për burimet e caktuara që ekzistojnë për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në Greqi. Së dyti, problem përbën niveli i organizimit dhe pjekuria e komunitetit për të ofruar mësimdhënien e shqipes dhe për të ruajtur kulturën. Së treti, pengesë bëhet hapësira politike (kuadri ligjor) që të ofron vendi pritës për të realizuar projekte mësimore si dhe mundësitë reale që ka vendi i origjinës për të realizuar këto projekte. Së katërti, por njëkohësisht problem tepër parësor mbetet furnizimi me bazën materiale, si dhe veshje dhe kostumet popullore, të cilat shërbejnë për promovimin e kulturës tonë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër për të inkurajuar vetë nxënësit në pjesëmarrje. Së fundmi, njohja e diplomave të universiteteve shqiptare pengon procesin e zyrtarizimit të gjuhës së prejardhjes në Greqi, për shkak të mungesës së akreditimit të universiteteve shqiptare. Ky ngërç i bën mësuesit tanë të ndihen më të pasigurt për të kërkuar të drejtën e tyre në ushtrimin e profesionit”- pohuan mësueset për “Koha Jonë”. Por pavarësisht problemeve, qeveria shqiptare në këtë seminar i garantoi se së shpejti pritet që të nisë regjistrimi i mësuesve që japin mësim për nxënësit shqiptarë. Gjithashtu, ato ndihen të inkurajuara se bashkë më këtë nisëm do të lançohet edhe çertifikimi i nxënësve që mësojnë shqipen.

Çfarë është Shoqata juaj dhe cili është roli i saj në përditshmërinë e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi?

Valbona Hystuna: Kjo shoqatë është krijuar në prill të vitit 2004 nga një grup emigrantësh në Selanik me qëllim organizimin e komunitetit për përballimin e problemeve të tij. Shoqata jonë ka marrë pjesë vazhdimisht në këto seminare me qëllim ngritjen profesionale të mësuesve tanë si dhe cilësinë e mësimdhënies ndaj fëmijëve të komunitetit. Mësimet e gjuhës dhe kulturës shqipe zhvillohen çdo të djelë pranë Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” në Selanik dhe numëron afro 1300 nxënës, të cilët kanë kurorëzuar kursin e gjuhës dhe kulturës shqipe nën udhëheqjen e 28 mësuesve vullnetarë. Roli kyç që luan shoqata jonë në shërbim të komunitetit është vendosja e marrëdhënieve me organizmat vendorë për ruajtjen e identitetit dygjuhësh dhe dy kulturor të fëmijëve shqiptarë. Ka organizuar dhe bashkë-organizuar konferenca dhe seminare shkencore, trajnime të mësuesve, ka kryer hulumtime dhe studime në fushën ruajtjes së identitetit gjuhësor si dhe merr pjesë në festivale ndërkulturore duke promovuar veshjet, meloditë dhe vallet e bukura shqiptare.

Cilat janë problematikat që has mësimdhënia në Greqi?

Saimira Gjapi: Problemet janë të shumta… Së pari, parashtrojmë problemin e mungesës së hapësirave gjuhësore dhe kulturore në mjediset ku jetojnë, si dhe shkalla e ulët e informimit të komunitetit për burimet e caktuara që ekzistojnë për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në Greqi. Së dyti, problem përbën niveli i organizimit dhe pjekuria e komunitetit për të ofruar mësimdhënien e shqipes dhe për të ruajtur kulturën. Së treti, pengesë bëhet hapësira politike (kuadri ligjor) që të ofron vendi pritës për të realizuar projekte mësimore, si dhe mundësitë reale që ka vendi i origjinës për të realizuar këto projekte. Së katërti, por njëkohësisht problem tepër parësor mbetet furnizimi me bazën materiale, si dhe veshje dhe kostumet popullore, të cilat shërbejnë për promovimin e kulturës tonë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër për të inkurajuar vetë nxënësit në pjesëmarrje. Së fundmi, njohja e diplomave të universiteteve shqiptare pengon procesin e zyrtarizimit të gjuhës së prejardhjes në Greqi, për shkak të mungesës së akreditimit të universiteteve shqiptare. Ky ngërç i bën mësuesit tanë të ndihen më të pasigurt për të kërkuar të drejtën e tyre në ushtrimin e profesionit.

A ka kontribut shteti shqiptar në aktivitetin e shoqatës dhe çfarë realizon konkretisht shteti shqiptar për t’ju ardhur në ndihmë?

Jonida Mema: Kontributi i shtetit shqiptar konsiston në furnizimin me materialet didaktike gjatë viteve të fundit, edhe pse jo sistematikisht në çdo vit shkollor, mbetet ndihmesë për komunitetin. Organizimi i seminareve vjetore nga bashkëpunimi midis Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës për kualifikimin e mësuesve është për t’u vlerësuar veçanërisht. Gjithashtu, duhen theksuar dhe vizitat e përfaqësuesve të shtetit shqiptar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë të Diasporës si dhe pjesëmarrja e përfaqësisë diplomatike në aktivitetet e komunitetit. Por sigurisht që jemi ende në krye të rrugës…

Si është menduar nga të dyja shtetet për të rritur kontributin në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Greqi?

Aurela Konduri: Së pari, nëse bazohemi tek ligji i vitit 1996 të legjislaturës greke për arsimin ndërkulturor, vëren qartë mundësinë e mësimit të gjuhës amtare për numrin më të madh të nxënësve të huaj në shkolla të veçanta publike greke. Por, ky kuadër ligjor nuk është aktivizuar, si rezultat krijon pengesa të jashtëzakonshme në zbatimin e projekteve për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat publike greke. Së dyti, njohim që para pak muajsh janë bërë takime intensive midis dy ministrave të jashtëm të të dy vendeve tona, ku është diskutuar çështja e përmirësimit të teksteve mësimore nga një komision i përbashkët ekspertësh, por deri më tani nuk jemi në dijeni për ecurinë e këtij procesi. Mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet mbi ndihmesën që organizma të ndryshëm vendor arsimor apo shoqëror na kanë dhënë që nga viti 2001, datë që shënon dhe hapjen e kursit të parë të gjuhës shqipe në Greqi.

A ka projekte konkrete për t’ju përfshirë në sistemin arsimor ju si mësimdhënës, edhe pse aktiviteti juaj konsiston në nisma vullnetare?

Brunilda Toshkësi: Ky mbetet një ndër shqetësimet primare që ngrihet në çdo seminar nga mësuesit dhe aktivistët tanë. Sipas ministrave të Diasporës dhe të Arsimit po bëhen përpjekje për regjistrimin në sistemin e sigurimeve shoqërore pavarësisht se ky proces po ecën me ritme tejet të ngadalta. Gjithashtu, shpresojmë që nga takimet e fundit, që u përmendën më lart, midis dy ministrave të jashtëm, do të marrim lajme të mira. Për sa i përket kontributit tonë vullnetar, duhet shpjeguar që në fillimet e punës së Shoqatës nevojitej organizimi i kurseve spontane për mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve. Angazhimi vullnetar i mësuesve emigrantë forcoi dëshirën e komunitetit, si dhe krijoi kushtet për të identifikuar problematikat, vështirësitë dhe nxitjet shkencore dhe ato shoqërore. Por, mungesa e vullnetit politik ka penguar marrëveshjen për aktivizimin e udhëzimeve qeveritare, për sa i përket angazhimit zyrtar të mësuesve profesionistë.

Në punimet e Seminarit të XIV të realizuar nga dy ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe të Kosovës çfarë risie solli ky seminar për ju si mësues të diasporës?

Keti Toromani: Si çdo vit edhe sivjet njohja me praktikat dhe përvojat mësimore të vendeve të tjera, mbetet një ndihmesë e madhe për mësuesit tanë. Praktikat e mira na japin mundësinë për të përfituar këndvështrime novatore mbi organizimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe edhe në Greqi. Një risi tjetër e këtij seminari ishte krijimi i kurrikulës së unifikuar së diasporës. Kurrikula e unifikuar pritet të zbatohet nga janari i vitit 2019 ku do të shohim dhe rezultatet.