Debati për Teatrin/ Flasin Robert Ndrenika, Gëzim Kame dhe Altin Basha

-Robert Ndrenika: Unë dua Teatër e jo Muze…

-Altin Basha: Teatri Kombëtar, e kaluara apo e ardhmja?

-Gëzim Kame: Të zhduket ajo barrakë e vjetër….

Redaksia e gazetës “Koha Jone” hap një rubrikë në lidhje me debatin për Godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar. Do jenë vetëm pjesa e komunitetit të artistëve në këtë debat dhe jo politikanët.

Pyetjet janë dy dhe të përbashkëta për të gjithë ata që do të flasin për këtë debat në “Koha Jonë”. Rubrika shërben edhe qartësim për publikun para se Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, të hedhë firmën për ta miratuar apo rrëzuar apo kaluar në heshtje ligjin për teatrin.

Pyetje 1: Përfundimisht a jeni dakort që godina e Teatrit Kombëtar duhet shembur apo rikonstruktuar?

Pyetje 2: Nëse jeni për shembjen e tij si e mendoni ndërtimin e Teatrit të Ri? 

Në foto: Altin Basha

Altin Basha, regjizor. Ai përgjigjet:

Përgjigje 1: Prej viteve 50-60 problemet e sallës së Teatrit Popullor (sot Kombetar) kanë qenë objekt i ankesave të stafit dhe trupës artistike.

Ndërhyrjet dhe përpjekjet e pjesshme për ta rikonstrukonstruktuar thjesht shtynin kohën e amortizimit të pandalshëm.

Sot jemi në kushtet kur struktura dhe infrastruktura e objektit janë me gjendje degradimi të pakthyeshëëm. Sipas specialistëve rikonstruksioni është i pamundur.

Nga ana tjetër produksionet teatrore të sotme janë mbështetur plotësisht  në teknologji moderne të cilat nuk aplikohen fare në atë sallë teatrore. Nga rikonstruksioni do përfitonim një sallë me kushte të përmirësuara për spektatorët, por aspak të përshtatshme për shfaqje me standarte të larta profesionale.

Për këto arësye unë mendoj se na duhet një Teatër i Ri Kombëtar.

Përgjigje 2: Teatri i Ri Kombetar duhet të ndërtohet me paratë e taksapaguesve  shqiptarë dhe në truallin ku gjendet sot Teatri Kombëtar. Problemi i trashegimisë mund të zgjidhet me një hapësirë të dedikuar dimensionit historik të ndertesës së vjetër, krijimtarisë dhe artistëve që kanë punuar aty.

Mendoj se salla e re do të kenaqte të gjithë artistët që me të drejtë dëshirojnë një sallë me infrastrukturë bashkëkohore që të realizojmë me cilësi të lartë krijimtarinë e tyre artistike. Financimini i ndërtimit të sallës me para nga buxheti do të zhdukte çdo dyshim se ndërtimi i Teatrit të ri po bëhet për arsye përfitimi. Kjo do të qetësonte të gjithë qytetarët të cilët  shqetësohen për mënyrën e përdorimit të prones publike.

Në foto: Robert Ndrenika

Robert Ndrenika, aktor i madh i Shqipërisë përgjigjet duke na ridërguar sqarim për këtë çështje, të cilën e ka dhënë për një media tjetër, porse insistoi se kjo mbetet përgjigja e tij. Ndonëse shtoi një fragment enkas për “Koha Jone” kur tha se “ Unë dua Teatër dhe jo Muzeum.. por nëse kanë lekë le ti bëjnë të dyja”.

Përgjigja e Robert Ndrenikës:

Kam qenë (prej vitesh) dhe jam për një Teatër Kombëtar të ri dhe bashkëkohor te cilin e ka për DETYRË ta bëjë shteti shqiptar (paratë le ti marre ku të dojë, ndoshta dhe atje ku i merrte Josif Broz Tito)!

Këtë gjë nuk e kam mbajtur të fshehtë, por ua kam bërë të ditur prej kohësh kolegëve të mi, por kur ka qenë rasti dhe në opinion publik. I vetmi lëshim që kam bërë ditët e fundit është se kam pranuar P.P.P. me kushtin e vetëm që përveç godinës (Teatër) që do të ndërtohet në favor të P.P.P. nuk do lëshohet asnjë cm katror nga TOKA e TEATRIT KOMBËTAR!

Të kanë gënjyer do të thotë dikush dhe unë përgjigjem po BESA e shqiptarit ku vete???

Së fundi ju bëj të ditur se nuk jam JEZU KRISHTI bile as BARABA dhe gojën nuk e kam vetëm për të ngrënë kos (pa yndyrë) dhe të pi ilaçe por e kam edhe për të FOLUR !!!

Në foto: Gëzim Kame 

Gëzim Kame, regjizor i njohur përgjigjet:

Përgjigje 1: Duhet teater i ri .Mundesisht të zhduket sa me shpejt imazhi i asaj barake të turpeshme , për autorët , regjisorët , skenografët,  aktorët dhe publikun .

Përgjigje 2: Projekti i teatrit te ri , për deshirat e mija të jetë godinë klasike e plotë ,kurse kushtet e brendëshme si teknologji të jetë më e avancuara sot në Europë . Por dhe projekti i arkitektit te talentuar danez (modern ) qëndron shumë bukur në atë zonë që do të zhvillohet me koncept modern bashkohor