Tirana ka nevojë për shenjat e veta të historisë!

Nga Luan Rama* 

Në fakt prej kohësh, madje prej shumë kohësh, kjo sallë e Kuvendit është shndërruar në teatrin më të shëmtuar, e ne aktorët; me ministra e kryeministrin në krye të tyre në rolet kryesor, e ne të tjerët, deputetët e popullit, dikush në role të dyta e ca në role eposodikë, jemi bërë turpi i këtij vendi, aq sa unë nuk arrij të kuptoj se përse qytetarët nuk vijnë të na përlajnë e të na përzenë si të padenjë për të qenë përfaqësuesit e tyre!

Një javë më parë, këtij Kuvendi, iu imponuar me dhunën e kartonmaxhorancës një nismë me procedurë të përshpejtuar, për një projektligj që nuk ka asgjë të veçantë për t’u shqyrtuar e miratuar me këtë procedurë!

Ajo seancë ishte vetëm akti i parë, e sot jemi në aktin e dytë, kur Kuvendi gjendet para provës së madhe për të vendosur: të nënshkruaj të vjedhë apo të bëhet barrikadë, siç në fakt ia do nderi e siç ia imponon Kushtetuta!

Përse me procedurë të veçantë, pra përse me ligj të veçantë, kur ne kemi ligje që normojnë, që kodifikojnë, pra që rregullojnë çështjet që kanë të bëjnë edhe me projektimin apo zhvillimin qytetës, edhe me perspektivat e tij.

Fakti që qeveria vjen me këtë projektligj, fakti që ky projektligj vjen me ngutje të madhe e shoqërohet me nervozizëm e padurim, më e pakta na japin të drejtën të dyshojmë!

Dyshojmë, sepse që prej 18 vjetësh dëgjojmë të njejtin refren, mbi të njejtin objekt e me të njejtin synim; Teatrin Kombëtar!

E kam thënë edhe më parë në këtë sallë, e po e përsëris sërish, qëndrimi ndaj teatrit, shpreh karakterin e një qeverie.

Teatri nuk është vetëm i artistëve.

Më së pari, ai është i qytetarëve, ndaj mbrojtja e teatrit është përgjegjësi qytetare!

Ndërsa transparenca e dialogu me artistët është detyrim i qeverisë.

Teatri e ka fisnikëruar njerëzimin. Teatri ka gdhendur njeriun dhe e ka çliruar nga egërsia. Teatri ka meritën kryesore për ndryshimin e mendësisë njerëzore, për qytetërimin e shoqërisë njerëzore.

Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë, mbase edhe në Botë, pa një teatër dinjitoz, dhe unë që e dua teatrin, nuk jam kundër idesë së një teatri të ri, të denjë e që të bëhet një referencë kulture dhe arti për qytetin dhe banorët e tij e t’ju dëshmojë brezave të ardhshëm kohën tonë, vizionin tonë.

Po përse duke prishur, përse duke fshirë një referencë që na vjen prej historisë si dëshmi e kohës së vet dhe si bartëse e saj?!

Përse duhet ta lemë Tiranën pa shenja kujtese?

Përse duhet t’ia zhdukim Tiranës edhe ato pak gjurmë të biografisë së vet si qytet?

Kur mendoj se Roma ka ujësjellës që punon prej 2000 vjetësh, ndërsa Tirana ndërtesën më të vjetër e ka më pak se 200-vjeçare, më duket se e kam gjetur shpjegimin se përse Shqipëria mbetet vendi më i varfër në Europë.

Dhe pse ajo nuk pasurohet, por varfërohet edhe më shumë.

Jo se e ka dënuar natyra apo Zoti, por se në Shqipëri sundon vetëdija e shkaterrimit.

Meqë zoti Kryeministër i ka kaluar disa vjet në Paris, dhe meqë në politikë e qeverisje vjen si njeri i artit, duhet të ketë parë se si janë sjellë francezët me ndertesat historike, kur qyteti është rritur dhe ato janë zvogeluar. Si janë sjellë me sallën “Plejel”, për shembull, me sallën e koncerteve të Listit, Shopenit dhe kompozitorëve të tjerë të mëdhenj.

Ata ndërtuan sallën e re “Plejel” duke e ruajtur të vjetrën brenda saj. Dhe sot, koncertet elitë zhvillohen në sallën e vjetër “Plejel”.

Nuk është vetëm çeshtje sentimenti çeshtja e teatrit. Mund të mendoni se sa emocione janë arkivuar në atë ndërtesë. Njerëzit kanë duartrokitur, kanë qeshur, kanë qarë, kanë pranuar, kane refuzuar.

Jeta e kryeqytetit është e lidhur me këtë ndërtesë, sado modeste te duket.

Mirëpo qeveria kërkon ta presë e ta vrasë këtë lidhje, siç në fakt ka prerë e ka vrarë edhe shumë lidhje të tjera!

19 vjet më parë kam qenë në këtë sallë e bashkë me disa kolegë deputetë të Partisë Socialiste kam votuar një ligj për t’i dhënë Ministisë së Kulturës me ministër Edi Ramën, 400 mijë dollarë amerikanë për rikonstruksionin e kinema Republikës, edhe pse kompozitori Limos Dizdari, në atë kohë deputet ishte kundër e na paralajmëroi se ato para do të humbnin!

Dhe kinema Republika nuk është më sot e bashkë me të humbën a u vodhën edhe 400 mijë dollarët!

Në vend të kinema Republikës, është ndërtuar një pallat, siç është ndërtuar pallat edhe atje ku ishte kinema 17 nëntori!

Pra, qytetit iu vodhën kinematë, për t’u bërë pallate, e i njejti njeri na vjen sot të vjedhë teatrin, emrin, tokën, historinë, emocionet e tij për të bërë pazar!

Unë nuk jam kundër; nëse subjekti privat i interesuar do që t’i dhurojë Tiranës një teatër, le ta bëjë duke rindërtuar nga e para sipas projektit të 1939-ës, me qëllim që qyteti të mos e humbasë këtë shenjë të historisë së vet, njësoj siç humbi Sheshin Skëndërbej, i cili nuk është më ai i kohës së Zogut, njësoj siç humbi bulevardin që e përshkonte Tiranën si jë arterie e vetme prej Universitetit tek Stacioni i Trenit!

Jo shtatëdhjetë e ca deputetë, por edhe nëse pesëdhjetë apo njëqind milionë njerëz mbështesin një marrëzi, ajo njësoj mbetet, NJE MARREZI!

*Fjala në Kuvend e zv.Kryetarit të LSI-së, Luan Rama