Ahmetaj: Në thelb nuk po e shkatërrojmë Teatrin

Me rinisjen e seancës së parlamentit, ministri i Financave Arben Ahmetaj teksa mbron draftin e Qeverisë për Teatrin Kombëtar deklaroi se në thelb nuk është duke u shkatërruar asgjë.

“Në thelb nuk është duke u shkatërruar asgjë, por në thelb është duke u ndërtuar teatër Kombëtar në favor të aktorëve”, tha Ahmetaj në parlament.

Sipas tij, “sipërfaqja e Teatrit do jetë po ajo dhe pas përfundimit të Teatrit. Metrat publike do të mbeten po ato dhe mbi këtë pronë do të ndërtohet pjesa tjetër. Ky ka qenë propozim i artistëve. Sot nëse ndërtesa 1126 metra katrorë dhe është konceptuar se nuk është funksionale, çfarë merr në këmbim shteti? 9 mijë metra katror ndërtim nga 1126 metra katrorë! Buxheti i Shtetit harxhon zero lekë. Në të të njëjtën pronë”, vazhdoi me deklaratën e tij, Arben Ahmetaj.

Ahmetaj i ka kthyer përgjigje 40 pyetjeve të LSI-së për projektligjin për Teatrin Kombëtar.

“Natyrshëm unë e mirëkuptoj debatin që eksremizohet me debat politik, pastaj ekstremizim me sharje e fyerje. Është histori tjetër besoj nuk është vendi për të shkëmbyer sharje e fyerje por domosdoshmëri për të sqaruar. Do marr parimin e draftligjit dhe pastaj do kaloj tek pyetjet duke u munduar të sqaroj publiku, artistët në pension apo aktivë për çfarë është duke përfituar bota e artit dhe qytetarët.

Pyetja e parë: Në thelb çfarë është duke ndodhur. Nuk është duke u shkatërruar asgjë. Në thelb është duke u ndërtuar Teatër Kombëtar në favor të qytetarëve dhe aktorëve. Se di kur ka qenë hera e fundit që keni qenë në teatër por ajo godinë në aspektin fizik është ezauruar dhe në aspektin funksional nuk i përmbush kushtet për t’u ushtruar art.

Po kaloj në terma shifrash. Prona e teatrit është 5522 metra katrorë. Brenda kësaj prone ka ndërtesën e teatrit që është 1126 metra ndërtim. Çfarë po ndodh me këtë pronë?
Kjo pronë i ngelet sërish shtetit edhe si metra katrorë tokë dhe nëse i referohemi draft ligjit, neni 4 thotë paragrafi i dytë: Sipërfaqja që përbën pronën e teatrit do të jetë po ajo dhe pas përfundimit të Teatrit Kombëtar. Ky diskutimi që u mor teatri u shkatërrua teatri jo.

Po vij tek faza e dytë e diskutimit. Çfarë propozohet? Ka qenë kusht i artistëve dhe aktorëve. Kjo pjesë e shkruar si vijë e kuqe ku interesi publik mbrohet në rritje. Nëse ndërtesa sot ka brenda 1126 metra katrorë kanë rënë dakord që nuk është funksionale. Çfarë merr në këmbim shteti, teatri, qytetarët? Në këmbim merr 9 mijë metra katrorë ndërtim me zero lekë. Buxheti i shtetit harxhon zero lekë. Në të njëjtën pronë. Seancën e sharjeve t’ia lëmë momentin të fundit”, sqaroi ministri Ahmetaj.

Ai tha se artistët përfitojnë 4 salla, një sallë është më 600 vende, 2 salla të tjera me nga 100 vende dhe ka dhe një sallë tjetër, amfiteatër jashtë në katin e tretë dhe nuk ka më asnjë vend privati.

“Cili është thelbi i këtij draftligji që qytetarët përfitojnë mbrapsht të njëjtën pronë por gati 8 herë më të madh, më funksional, më modern. Artistët përfitojnë 4 salla. Një sallë me 600 vende dhe dy salla të tjera me pak më pak. Pra cili është thelbi i këtij draft ligji. Pra qytetarët përfitojnë një teatër të madh dhe modern. Nuk ka marrje prone dhe shkëmbim prone. Ka rritje të vlerës së pronës në favor të qytetarëve. Teatri do ndërtohet pa asnjë kosto në buxhetin e shtetit. Pyetja dy që ju keni bërë. Leja e parë i merret komshiut të pronës. Këtu bashkia kërkon të bëjë zhvillim të integruar të pronës. Vija e kuqe është se buxheti nuk jep asnjë lekë për teatrin. Prona publike nuk cenohet. Teatri do jetë aty më i madh dhe më modern. Do ketë një proces negocimi, si inxhinerik, financiar dhe me logjikën e artistëve. Nuk shkelët e drejta e pronës publike. Kemi një pronësi të caktuar dhe logjika është se do bëhet konkurs mbi kokën e dikujt tjetër?”- deklaroi Ahmetaj.