Atentatori i Hajdarit “Qytetar Nderi”. Berisha: Të shporrim horrin Rama

Në foto: Azem Hajdari dhe Gafurr Mazreku, 18 shtator 1997

Me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste, Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli sot Gafurr Mazrrekun “Qytetar Nderi” të Hasit. Motivacioni për dekorimin e Mazrekut është “Personalitet Intelektual, në kontributin e pashoq në Pushtetin Vendor”. Gafurr Mazrreku njihet si deputeti i PS që në vitin viti 1997 qëlloi në drejtim të rivalit të tij demokrat, Azem Hajdari, duke e plagosur atë.

Vendimi i Këshillit Bashkiak të Hasit ka sjellë reagime të forta nga demokratët. Deputetë dhe drejtues të kësaj force politike thanë se dekorimi i Mazrekut është një “vrasje e dytë për Azem Hajdarin”. Ditën e sotme, pak pasi u dha lajmi i dekorimit, në media nga grupi i PS-së u njoftua se Edi Rama kishte qenë kundër dhënies së këtij titulli. Në mbledhjen e deputetëve të PS-së, Rama ka deklaruar se nuk kishte dijeni për këtë procedurë të pushtetit vendor në Has. Megjithëse jozyrtarisht Edi Rama nuk e ka përkrahur fakti është se titulli për Gafurr Mazrekun u votua nga këshilltarët e PS. Gjithashtu, Edi Rama ende nuk ka dalë zyrtarisht kundër apo të kërkojë anulimin e këtij titulli.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot se dokorimi i atentatorit të Hajdarit është një vepër direkte e Edi Ramës. Sipas tij, kryeministri e ka bërë enkas për të provokuar demokratët këtë vendim.

Në një mesazh në Facebook, Berisha u bënë thirrje demokratëve të reagojnë ndaj këtij dekorimi që ai e cilëson të turpshëm. Ish-kryeministri shprehet se qytetarët shqiptarë duhet të largojnë “horrin Edi Rama”.

Deklarata e plotë e ish-kryeministrit Sali Berisha:

“Edvin Kristaq Rama ekzekutoi sot për së dyti tribunin legjendar Azem Hajdari!

Të dashur miq, sot përfaqësuesit e Edvin Kristaq Ramës me porosi të tij, në një akt unik në historinë e botës demokratike, shpallën qytetar nderi të Hasit kriminelin Gafurr Mazreku, vrasësin që, pasi e provokoi, derdhi breshëri plumbash në sallën e Parlamentit mbi deputetin Azem Hajdari, tribunin legjendar të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990.

Sot, pas këtij akti kriminal, të denje vetëm për narkoshtetin e Norieges, ky i fundi që kishte urdhëruar dy javë më parë vendimin e sotëm, për të larë duart si Pilati deklaroi se ky është një turp dhe se ai nuk dinte gjë!? Me këtë deklaratë Edi Rama dëshmon se është një mashtrues faqezi, që pasi i shpalli luftë opozitës, nderoi dhe përligji krimin politik dhe vrasjen, tani kërkon të lajë duart si pilati, mbrohet për krimin e tij të shëmtuar! Aktin e sotëm jo vetëm e ka urdhëruar ai vetë, por gjatë këtyre ditëve lajmin për vendimin e sotëm e kanë dhënë prej disa ditësh çdo ditë të gjitha mediat, edhe ato që paguhen prej tij!

Ky akt kriminal dhe luftë ndaj opozitës shqiptare është një apel për vendimet më të mëdha për qytetarët shqiptarë, që me revoltën e tyre të largojnë me çdo kusht horrin, vrasësin për së dyti të Azem Hajdarit, kreun e meduzës që e shndërroi Partinë Socialiste në parti droge, bandash, vrasësish, kriminelësh dhe ndërtoi narkoshtetin dhe shndërroi në Shqipëri krimin në sistem për të shtypur shqiptarët dhe dekoruar vrasësit dhe kriminelët! Sb”.