Pse ish-ministri Saimir Tahiri sulmoi ministrin Fatmir Xhafa?

Në daljen e kësaj të enjte të Saimir Tahirit si deputet i Kuvendit, pra në konferencën e shtypit, ra në sy që sulmet i kishte të baraslarguara njëlloj si për opozitën ashtu dhe për pasardhësin e tij në Ministrinë e Brendshme, Fatmir Xhafaj.

Bile dukej se gjithë mllefin e kishte me ministrin Xhafaj, i cili ka dëshmuar luftë të pa kompromis ndaj krimit dhe bandave të drogës. Siç duket ministri, si proamerikan, ka shkatërruar krejt bazat e ish-ministrit Tahiri. Kjo i ka djegur me shumë ish-ministrit se sa fakti që mund ta ketë shitur kryeministri Rama.
Sajmir Tahiri kishte dy rezerva kryesore ndaj pasardhësit e tij. E para, se përse Xhafaj kritikoi policët e inkriminuar. Sipas Tahirit akuzat e ministrit ndaj policisë janë të njëjta me opozitën.
Kritika e dytë, lidhet me procesin e Vettingut në radhët e Policisë së Shtetit, që sipas ish-ministrit është i gabuar.
Pas këtyre sulmeve dhe të tjerave me nënkuptime që kishte deklarata e Saimir Tahirit linin jo pak pikëpyetje.

Çudia është se Tahiri mund të kishte një mal me ankesa për kryeministrin Edi Rama dhe bashkëpunëtorë shumë të afërt të tij në PS, por në vend të tyre zgjodhi të sulmojë egër dhe fort pasardhësin e tij në postin ministror Fatmir Xhafaj. Kryeministrin e ruajti me kujdes, ish-ministri. Nuk e sulmoi, ndonëse bëri ca tangente të vogla. Por me ministrin Xhafaj kishte tmerrsisht mllef e inat.
Logjika e këtij sulmi është e thjeshtë dhe ka të bëjë me ato që ndodhën në Policinë e Shtetit pas largimit të Tahirit. Fatmir Xhafaj e mori detyrën në situatën më të vështirë për forcat e rendit. Një raport i SHISH në dorën e kryeministrit Edi Rama thoshte se 128 oficerë të lartë policie ishin pjesë bandave të trafikut të drogës. Alarm më serioz për sigurinë kombëtare sesa kaq nuk ka. Raportet ndërkombëtare e nxinin Policinë e Shtetit si institucion më problematik. Segmente të saja, në vend të siguronte rendin ishte bërë aksionerë me krimin dhe trafikantët e hashashit. Perceptimi publik për oficerët e policisë nuk ishte më ai i njerëzve të ligjit, por i anëtarëve të bandave që kontrollojnë miliarda euro. Për këtë situatë ende nuk e dimë nëse ka përgjegjësi ligjore Saimir Tahiri, por morale sigurisht që ka, pa asnjë dyshim.
Në këtë klimë, me polici që ishte njollosur si segmenti më i korruptuar i shtetit, e mori detyrën Fatmir Xhafaj. Vendimi i parë që iu desh të merrte ishte verifikimi i të dhënave për njerëzit që gjeti në krye të Policisë së Shtetit. Një pjesë e tyre, ata 12 drejtorët që hanin darka me ish-ministrin, rezultuan se kishin lejuar në 12 qarqe kanabisin duke ndarë fitimet me krimin. Sot një pjesë e drejtorëve të policisë janë në kërkim për trafik droge. Kjo është prova më e qartë se akuzat nuk ishin pa bazë. Sepse nëse do të ishin të pastër do të përballeshin me drejtësinë për të pastruar emrin nga akuzat. E jo të iknin nga Shqipëria ish-drejtorët e ish-ministrit.
Me imazhin e një policie që shkonte vadiste rrënjët e hashashit për llogari të bandave nuk mund të vazhdohej më. Sepse nuk ka asnjë vend partner në rajon dhe botë që mund të ofrojë bashkëpunim me një polici të tillë. Ndaj Ministria e Brendshme u detyrua të nis operacionin e vetëpastrimi duke bërë vettingun. Është një procedurë sfilitëse për trupën policisë dhe me jo pak probleme burokratike. Por është e vetmja mënyrë për të ndarë se kush duhet të jenë në anën e ligjit duke veshur uniformën e policisë dhe kush duhet të vazhdojë punën me bandat dhe shkelësit e ligjit. Mënyrë tjetër nuk ka për larguar gjethet e hashashit nga uniforma e policisë.
Së fundi, Ministria e Brendshme ka nisur dhe një aksion kundër goditjes së grupeve kriminale. Janë të paktën 42 grupe të hetuara në gjithë vendin. Është një operacion që nuk kryhet vetëm me fjalë, por kërkon edhe mbështetje politike dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Është një aksion ku shumë paraardhës të Fatmir Xhafajt dështuan. Janë të njëjtat grupe kriminale që këto vite kanë mbjellë drogë, janë pasuruar me krime dhe kanë “korrur” vota për politikën  si dhe kanë mijëra fije që arrijnë në çdo segment të shtetit.
Ndaj të sulmosh sot Ministrin e Brendshëm, aq më tepër kur sulmi vjen nga radhët e mazhorancës dhe ish-ministrave, është njëlloj si të dalësh në krah të paligjshmërisë dhe të bëhesh zëdhënës i anti-shtetit.

Megjithatë sulmi i ish-ministrit i bëri nder Ministrit Xhafaj sepse tregoi se janë dy botë të ndryshme.

Sonte ish-ministri Tahiri do jetë te Top Channel te emisioni i Ylli Rakipit përballë dy gazetarëve Armand Shkullaku dhe Andi Bushati.

LEXONI EDHE