Enver Hoxha i dhuroi Nikita Hrushovit shpatën e argjendtë të Bib Dodës

RUBRIKA “SHQIPTARËT DHE BARBARËT”

Objekti i rrallë që ja kishte dhuruar 100 vjet më parë Perandori i Francës Princit Bib Doda

Gjet Ndoj

Nga Gjet Ndoj

Ndërkohë që në ditët e para të qershorit të vitit 1959 bëri një vizitë në Shqipëri një delegacion qeveritar i Bashkimit Sovjetik, i kryesuar nga lideri komunist, Nikita H. Krushov, pritja për të nga udhëheqja komuniste e Shqipërisë ishte shumë e veçantë dhe historike. Delegacioni sovjetik vizitoi disa qytete si në: Tiranë, Durrës, në Jug të vendit- Vlorë, Lushnjë, Gjirokastër, etj. Natyrisht vizita kishte si qëllimin e saj kryesor çështje politike e strategjike, në interes të Bashkimit Sovjetik dhe të Kampit Socialist, ku Shqipëria ishte pjesë integrale e këtij kampi dhe e “Traktatit të Varshavës”.

Përveç kësaj axhende duke qenë se lideri komunist Hrushov, në profesion ishte agronom, u interesua për kushtet dhe mundësitë që kishte Shqipëria për zhvillimin e ekonomisë bujqësore, duke parë nga afër mundësinë dhe resurset e tjera natyrore. Ai vizitoj edhe qendra të rëndësishme të trashëgimisë materiale e kulturore të shqiptarëve si në Durrës (Amfitetarin Antik të Dyrrahut) etj. Kuptohet që Enver Hoxha, duke pritur liderin e Bashkimit Sovjetik u përpoq ta shfrytëzonte këtë vizitë në dobi të forcimit të pozitës së tij në pushtet, ndërkohë që klima politike pas vdekjes së Stalinit (viti 1953), kishte ndryshuar në Bashkimin Sovjetik, duke e dhënë efektin në të gjithë vendet e Kampit Socialist. Kështu me rastin e kësaj vizite, me 3 qershor të vitit 1959, u bë përurimi i fillimit të punimeve të Pallatit të madh të Kulturës në Tiranë, një ndërtesë me arkitekturë e stil rus, ku Nikita Hrushovi vendosi tullën e parë të themelit. Natyrisht ishte një ndërtesë që prishte harmoninë e “Ansamblit Urbanistik e ndërtimor” në rendin godinave të Ministrive, etj, si pjesë e një trashëgimie të një stili e kulture tjetër, kryesisht italiane. Më vonë pjesë e prishjes së kësaj harmonie (në Sheshin Skënderbej) do të ishte dhe shkatërrimi i kishës katolike në themelin e së cilës u ndërtua “Hotel Peza” dhe më në lindje u shkatërrua dhe kisha ortodokse si pjesë e këtij ansambli, pranë së cilës u ndërtua një objekt tjetër.

Bibe Doda

Pikërisht në këtë vizitë Enver Hoxha, nuk kurseu ti dhuronte Hrushovit gjërat e suveniret nga më të çmuarat, ndër to dhe shpatën e argjendtë të Bib Dodës. Është shpata që Princi Katolik i Veriut Bib Doda e kishte marrë si dhuratë nga Perandori i Francës Napoloni i III.

Po ç’përfaqësonte kjo “shpatë- dhuratë”? Pse ja kishte dhuruar shpatën Bib Dodës, Perandori i Francës? Kush ishte Bib Doda? Ç’histori fshihej pas asaj shpate? A duhet ta kishte vendin kjo shpatë në vitrinat e Muzeut Historik Kombëtar, apo ishte normale të përdorej edhe si dhuratë?  Le ta zhvillojmë më tutje këtë temë, duke u përpjekur të japim përgjigje pyetjeve të shtruara, duke përshkruar e analizuar disa aspekte:

 

1- Pjesëmarrja e Mirditës në Luftën Ruso-Turke në Brigjet e Detit të Zi

Ka qenë një kohë kur Mirdita dhe krenët e saj (sidomos në kohën e Kapidanit Bib Doda), merrej vesh me shtetet e tjera si fuqia me fuqinë. Mirdita vetëm formalisht njihej nën sovranitetin e Perandorisë.  Bib Doda ishte dëgjuar sidomos si drejtues i veprimeve luftarake në Lindje, në Krime, në Ballkan, por dhe në Bosnjë, në betejat kundër Malit të Zi që solli dhe mbrojtjen e Kelmendit nga një shfarosje e sigurt prej trupave malazeze. Por ajo që i dha më shumë emër dhe e mbuloi me lavdi Bib Dodën qe Lufta Ruso –Turke, që u quajt ndryshe Lufta e Krimesë, në vitin 1854. Bib Doda me Mirditën në këtë luftë mbajtën anën e aleatëve: Turqi, Francë, Angli dhe Piemonte. Me një qëndresë që i dalloi mirditasit mes të gjithë të tjerëve, Mirdita fitoi një vend të lavdishëm në historinë europiane, duke u nderuar nga fuqitë e asaj kohe dhe veçanërisht nderimin e Francës, e cila atëherë e mbrapa mbajti nën mbrojtje Mirditën dhe prijësit e saj.

Preng Bibe Doda

Dom Ndoc Nikaj, një personalitet i rëndësishëm i Kombit Shqiptar, klerik-historian, ish sekretar e avokat i Preng Bib Dodës (të birit të Bib Dodës), në dorëshkrimet e tij të përmbledhura në librin e tij “Kujtime të një jete të kalueme”, për Bib Dodën dhe Luftën e Krimesë shkruan: “Në luftën që u ba në Sebastopull, Bib Doda por si Kapidan i Mirditës ishte gjetë aty me trimni… kët pjesë historie më ra ma vonë kur kjeshë i rritun me e ndigjue me veshët e mi nga tata (baba) jem, qi aso kohe, kje gjetë dhe ai në Sevastopull bashkë me disa shokë të vet shkodranë, në shërbim të ushtrisë franceze…. ushtria Franko-Turke patne mësy Sebastopullin. Qendra e madhe në e ushtrisë madhe gjindej n’anën tjetër të Tunës (Danubit), ndërsa disa rrema ushtrie patnë kapërcy Tunën e dalë përballë Sebastopulit. Në krah të ushtrisë turke gjindej dhe Bib Doda me 4000 mirditas të gatuem për luftë. Të mësyemet e para i pat ba ushtrija franceze, e përmbrapa saj vijshin ushtritë turke bashkë me mirditas. Mbas nji lufte të përgjakshme , në njenën anë dhe në tjetrën, ushtritë ruse qi ishin më të shumta në numër vunë para (mësynë) para francezt e mbas tyne edhe turqit, të cilët shkuen gjithnji e tue u zmbramsë , por kur mbërritën në fushat përballë Tunës (Danubit) e panë se ishte e pamundun për ta me kalue ujin me barkat e tyne dhe ishin të shtrënguem në atë turr (mësymje): o me u mbyt n’ujë, ose me u dorzue rob lufte.

Mirdita që kishte qenë mbrapa ushtrisë turke n’at ditë e pshtoi ushtrinë Turko-Frënge me një dredhi (taktikë) lufte të përdurun nga Kapidani i tyne Bib Doda, i cili tue vërejtë se rusët, vijshin tue u afrue, rreshtoj 4 mijë mirditasit e vet përballë rusve e me shpejtësi rrufe i urdhnoj: “Në shpinë meca (djem) dhe larg shoqi-shojt”. U larguen njani prej tjetrit dhe të gjithë njëheri ranë në shpinë përdhe. Bataret (breshëritë) e pushkëve të rusve kalojshin përpjetë e nuk mund ti merrshin ata të shtrimë përtokë, ndërsa këta , ashtu të shtrimë mbushnin pushkët shtrimas në njanën bri dhe porsa cojshin kryet me shinjue pushkën të mbështetun tek gryka në skjep (cep) t’opengës (këpucës) , merrshin drejtim dhe pushkatojshin ushtarët rus qi ishin në kambë tue shti n’francez e n’turq, të cilët të shkapërdamë kërkojshin me kapë barkat e ardhuna në ndihmë për me kalu Danubin e me dalë në bregun tjetër. Të shtimet e mirditasve e të mbushunat brinjas kjenë në një rresht dhe pa dame dhe aq të hapun sa mujshin me përfshi 4 mijë vetë e të shtrimun aty përdhe, që shqetsuen keq rust dhe i ndaluen derisa derisa pjesa e ushtrisë turko- frange pat kalue Tunën e u rreshtue në bregun përtej , ku me ndihmat e ardhuna nga qendra ushtarake me topa e vegla lufte të tjera i banë ballë rusve ma së miri. Mbasi e gjithë ushtria tjetër kje vu përballë rusve përtej bregut, nuk pat mbet tjetër në anë të rusve vec Kapidanin me mirditas. Atëhere Kapidani brofi në kambë dhe u briti (dha urdhër): “Në kamë meca (djem)! Gërmuqas (përkulur) të kapim bregun te barkat qi na presin”! Te gjithë me pushkë të mbushuna në dorë , me shtat të përkulun për me u ik plumbave qi porsi breshni kalojshin në synim të ushtrive në bregun tjetër, kapën barkat e sandallat e kaluen përtej Tunës (Danubit), të pritun me gëzim e brihori të madhe prej t’gjithë ushtrisë, qi i përshëndeti por si shpëtuesit e nji dege të madhe të ushtrisë dhe të erzit e të nderit të dy mbretnave të mëdhenj Sulltanit të Stamollës e Napolonit të Tretë të Francës.

 Që at’ ditë Bib Doda e mirditasit e tij patnë nderime të vecanta . sulltani e emnoi Bib Dodën “Pashë” e Napoleoni e deklaroi “Princ” e n’at here e mbrapa Qeveria Franceze njofti Kapidanin për “Pashë” e “Princ” të Mirditës.

Në këtë kohë Shkodra (Vilajeti kishte dy Pasha, përfaqësues të mbretit, njani i degës ushtarake e tjetri i degës civile si sundimtarë e Prfekt i Vilajetit; Bib Doda për natyrë, guximtarë, ku për cdo qi i prekte në të drejtat e tij e të Mirditës që i njifte dhe i donte pa asnji mvartësi nga Shkodra, shumë herësh u kishte ra ndesh disa pretendimeve të pashallarëve të Shkodrës qi mendojshin me e shtri sundimin e tyre në disa dega ku pretendimet e të dy palëve përziheshin , por që Bib Doda nuk mendonte kurr me i shtru për bisedime e diskutim vendimet e veta për nën gjykimin e tyne”.

2-Jehona ndërkombëtare e Mirditës dhe e Bib Dodës pas “Luftës së Krimesë”

Intensiteti i marrëdhënieve të Mirditës me mbretëri e principata të ndryshme në vitet 1850- 1868, në kohën kur kreu i saj qe Bib Doda njohu nivele si asnjëherë më parë. Kështu, këto marrëdhënie qenë mjaft intensive me Turqinë, Francën, Principatën e Malit të Zi, Selinë e Shenjtë etj.

a-Me Turqinë marrëdhëniet dominohen më tepër nga tensionet se marrëveshjet, jo rrallë u karakterizuan dhe nga konflikte ushtarake. Gjithsesi, Turqisë nuk i pëlqeu një sukses kaq i madh i Bib Dodës (në luftën e Krimesë), pasi ai në fund të fundit, përfaqësonte një krahinë që nuk i ishte bindur Perandorisë dhe së shpejti mund të ishte bërthama e një shteti të pavarur shqiptar.

-Megjithatë për merita të veçanta në “Luftën e Krimesë”, Bib Dodës, Turqia qe e “detyruar” ti jepte titullin “Pashë” (Gjeneral – titull dhe detyrë njëherësh, që trashëgohej). Ishte hera e parë që këtë titull osman fisnikërie, arrinte ta merrte një shqiptar që i përkiste besimit krishterë- katolik. Më vonë marrëdhëniet e Bib Dod Pashës përkeqësohen në vijimësi me Qeverinë dhe me pushtetin Osman.

Napoleoni III

Në vitin 1855, ndërsa Bib Doda kishte kthyer në Mirditë, për të mbledhur ushtri të re shtesë, Turqia në kundërshtim me të drejtat e Mirditës, i hoqi “ushtrisë mirditase”, që ndodhej në Stamboll (nuk ishte kthyer akoma që kur kishin qene në fushatën antiruse në Krime), kostumet kombëtare duke i inkorporuar në Ushtrinë Turke. Lajmi mbërriti në Mirditë dhe pati konsekuenca të mëdha. Kjo sepse Mirdita këtë akt të Turqisë e konsideroi poshtërim të nderit të vet. Në këtë rast mirditasit mbledhin shumë njerëz nën armë, duke lëvizur drejt Zadrimës e duke u shtrënguar për luftë me trupat qeveritare ushtarake të Vilajetit Shkodrës e më gjerë. Për këtë situatë të krijuar, Mark Marleku në librin “Principata e Mirditës” ndër të tjera shënon: “Turqia me një djallëzi orientale kishte menduar se pasi u ba “Pashë” Bib Doda, njëherësh duke i hequr ushtrisë së Mirditës në Stamboll kostumin kombëtar, faji do të binte mbi Bib Dodën dhe ai do të akuzohej si tradhtar nga Mirdita. Por ajo lojë politike e djallëzore nuk ju realizua Turqisë, sepse populli e kuptoi se Bib Doda kishte qëndruar si i kishte hije, burrë mbi burra”.

Pas kësaj gjendja u acarua shumë, saqë u krijua një klimë lufte mes Provincës dhe autoriteteve ushtarake turke. Për situatën interesohet dhe ndërhyn edhe konsulli francez në Shkodër, ku me iniciativën e tij u formua një Komision Ndërkombëtar i përbërë nga: Konsulli francez, Ipeshkëvi i Lezhës, si dhe përfaqësues të Qeverisë Turke. Anëtarët e këtij komisioni, për të parandaluar krizën, u nisën për në Orosh, për të takuar Bib Dod Pashën. Ky padyshim ishte një eveniment politik me rëndësi, jo vetëm për Mirditën. Kjo tregonte se Mirdita me Bib Dodën princin e saj, ishte bërë faktor real në marrëdhëniet ndërkombëtare të saj.

Me 12/ 1/1855, mblidhen në Kuvend krerët e Mirditës dhe pasi marrin garancitë prej Komisionit Ndërkombëtar (anëtarët e së cilit ishin prezent), për kthimin e ushtrisë së Mirditës nga Stambolli, morën vendimin për pushimin (pezullimin) e çdo aksioni luftarak. Pak vite më vonë, në vitin 1862-64, kundër Turqisë pati një Kryengritje në Mirditë dhe zonat rreth saj, e programuar si një Lëvizje Nacionale. Programuesit e saj qenë:  Zef Jubani, Pashko Vasa, Pal Dodmasej, Abatit Gaspër Krasniqit, nën influencën edhe të Dora D’Istria (Elena Gjikës), të arbëreshëve të Italisë së Jugut si J. De Rada, etj. Sipas tyre do të clirohej Mirdita autonome (dhe zonat rreth saj) tërësisht nga Perandoria Osmane, duke krijuar një realitet të pavarur shtetëror, ku Kryetar do të ishte Bib Doda. Më pas sipas tyre, do të çliroheshin zona të tjera shqiptare dhe së fundmi do të krijohej një federatë (Shtet i përbashkët shqiptar). Ndonëse kryengritja dështoj tregoj se eksitonte dëshira dhe aspirata nacionaliste e popullit shqiptar për çlirim nga Perandoria Osmane.

b-Me Francën marrëdhëniet qenë shumë të mira.

Veçanërisht pas Luftën e Krimesë, sikurse e përmendëm më sipër, Bib Doda me ushtrinë e tij ngadhnjimtare në atë betejë, ku ndër të tjera shpëtoj dhe nderin e ushtrisë Franceze, tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e Perandorit Napoleoni III. Është kjo koha kur Napoleoni III, e mendonte fuqinë e Bib Dodës dhe të Mirditës me interes për tu mbështetur në planet e Francës në synimet e saj për interesat strategjike e politike në Ballkan. Po ashtu edhe Bib Doda e Mirdita kishte nevojë për mbështetjen e Francës në synimet për pavarësi nga Turqia. Kjo ishte koha dhe rrethanat kur Napoloni III, i dhuroj duke e nderuar me shpatën e argjendtë, pranonte të ishte kumbara i të birit të tij Preng Bib Dodës, si dhe ndikoj sadopak edhe tek Papa i Romës dhe Selia e Shenjtë për ta nderuar përsëri Bib Dodën, me Urdhrin e “Shën Gregorit”.

Në vitin 1868 dyshohet se Bib Dodën e helmuan turqit në një gosti që organizuar nga Valiu në Shkodër.  Pasi u krijua një situatë lufte në Shkodër (mes luftëtarëve mirditas e trupave qeveritare të Vilajetit), pas varrimit dhe sidomos pas rivarrimit, me ndërhyrjen energjike të Konsullit Francez në Shkodër, u mbajt situata nën kontroll. Armiqtë e tij turq, pasi e helmuan fshehtas Princin Mirditas, i organizuan një varrim madhështor, duke ja bërë të gjithë “respeket protokollare” të Shtetit, ndërsa pas varrimit e nxorën natën në fshehtësi kundërshtarët, duke e përdhosur kufomën e tij. Në një situatë të nderë, me ndërhyrjen përsëri të ndërkombëtarëve dhe në saj të udhëzimeve që vinin nga Stambolli, u bë një ceremoni madhështore, e panjohur në historinë e atij qyteti hijerëndë e plot histori sikurse ishte Shkodra- Qendër e Vilajetit.

E gjithë kjo histori, ndodhi pikërisht në atë kohë kur ai me gruan e tij Margjelën dhe të birin Prengën, po përgatiteshin për të shkuar në Paris për te pagëzuar Prengën kumbarë i të cilit ishte vendosur të ishte vetë Napoleoni III. Për fatin e keq, Bib Doda vdiq, ndërsa për rritjen dhe edukimin e të birit Prengës, Napoleoni i caktoi për Margjelën dy rroga mujore në vazhdimësi.

Në fakt kur shohim këtë histori të përshkruar shkurt na lindin natyrshëm disa pyetje:

Pse Enver Hoxha i dhuroj Hrushovit shpatën e Bib Dodës?

Po shembja dhe djegia e “Sarajeve të Kapidanit” pse u bë direkt sa erdhi në pushtet Partia Komuniste Shqiptare?

A ishte dhe shkatërrim deri në themele i Abacisë së Mirditës dhe i Konviktit të Oroshit etj, etj pjesë e së njëjtës një histori?

Në një kontekst të përgjithshëm kjo veprimtari barbare që tentonte të shuante deri në themele objekte që mbartnin një të shkuar historike të shqiptarëve (kryesisht histori europianiste), përcaktonte natyrën barbare bizantine –sllave, por dhe orientale në përgjithësi të “Pushtetit të ri Komunist” në Shqipëri, në krye të të cilit vetë sllavët kishin caktuar Enver Hoxhën. Ndërsa egoizmi i skajshëm i tij për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin e bënte atë të ishte më i skajshëm se vetë barbarët në dëm të trashëgimisë materiale e shpirtërore të Nacionalitetit dhe të Etnisë tonë europiane.

Ndërsa më në detaje për kuptimin e këtij akti dhurimi, duke qenë brenda këtij konteksti mendoj:

-Me dhurimin e shpatës Nikita Hrushovit, Enveri realizonte dy synime:

Së pari, i jepte një dhuratë luksi dhe që e mrekullonte Liderin e madh Komunist, pasi ajo shpatë ishte një dhuratë që e kishte dhënë Perandori i Francës Napoleoni i III një Prijësi shqiptar.

Së dyti, kjo dhuratë mbartte një histori domethënëse dhe fituese të luftës që kishin bërë shqiptarët kundër Rusisë (Beteja e Krimesë), por që Enveri tregonte gatishmërinë për ta zhdukur duke ja dorëzuar pikërisht një “Perandori të Rusisë”. Kështu u zhduk si shumë objekte të tjera muzeale shpata e Princit Katolik Shqiptar, që duhet të ishte pjesë e inventarit të Trashëgimisë Materiale e historike të Kombit Shqiptar.

Kur njihesh me veprime të tilla, mendja dhe gjykimi të thotë:  “Lavdi zotit” që shpata, përkrenarja dhe vula e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ruhen në Europë (në Vjenë) dhe jo në Shqipëri që vazhdon të qeveriset e administrohet edhe pas vitit 1912 e deri në ditët tona, nga misionarë e barbarë- shqipfolës të Lindjes. Zot na i largo djajtë qafet, të cilët nuk lodhen duke na varfëruar në gjithçka kemi!