Vështirësitë çnjerëzore të internimit: Ushqimi me krimba, zhvarrosja e…

Emisioni “Opinion”, trajtoi mbrëmjen e së hënës temën: “Fëmijët e diktaturës”, përmes rrëfimeve rrënqethëse të dy ish-të përndjekurve politikë, Sokol Mirakaj dhe Fatbardha Saraçi.

Kur familja e Sokol Mirakajt u transferua në kampin e Tepelenës, ai kujton shumë pak nga tmerri i atyre momenteve të para. “Na thonin gjithmonë se ne jemi të internuar dhe duhet t’i bindemi ligjit; ruheshim me armë kudo në kazermë. Askush nuk të lejonte të dilje nga kampi, ku mund të ishin rreth 500-600 familje, që jetonin brenda telave me gjemba”, e nisi ai rrëfimin e tij.

Ai shprehet se kushtet në kamp ishin çnjerëzore dhe jeta vështirësohej dita-ditës; kushtet ishin nën standardet minimale për jetesë, ushqimi nuk ishte në sasi të mëdha dhe sikur të mos mjaftonte, ç’nuk gjeje brenda.

“Kujtoj se të gjithë thonin që sa herë hanin bukë, gjenin miza e krimba në ushqim. Mirëpo familja ime jo! Më bënte gjithmonë habi kjo gjë, derisa një ditë mësuam se nëna, prej vendit ku merrte gjellën e deri në shtëpi, i pastronte mizat, ashklat e drurit etj që ne të mos i vinim re.”

Historia tjetër ishte ajo e Fatbardha Saraçit që preku studion e “Opinion” me historinë e një gruaje, Drane Jakjas, e cila kishte zhvarrosur të birin 2- vjeçar.

“Drane Jakja kur mori vesh lajmin se do të kthehej në vendin e saj, e zhvarrosi me duar fëmijën e vogël për ta varrosur më pas në Nikaj-Mërtur, në një ceremoni të denjë”, ka treguar ajo ndër të tjera në studion e emisionit.