Spaho: Situata mund të eskalojë, të ndaluarit janë në Tiranë

Pas daljes nga Komisariati i Kukësit, deputetët e PD dhe LSI-së, janë shprehur se 24 banorët e arrestuar, kryesisht të rinjë, pas arrestimit janë dërguar në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar i PD-së, Edomnd Spaho u shpreh se Kryeministri duhet ti japë fund kësaj çështje, pasi mund të agravojë më tej.

”Atij i thamë që i ka prerë në besë qytetarët e Kukësit, pasi dje u është kërkuar që në këmbim të anulimit të protestës nuk do të arrestohet njeri. Gjatë natës si në diktaturë janë arrestuar 24 persona dhe janë lëshuar urdhër-arreste edhe për aq të tjerë. I kërkuam drejtorit ta ndërpresë këtë klimë, i kërkuam që të lirojnë të arrestuarit që i kanë çuar në Tiranë dhe t’i futemi rrugës së dialogut. Nëse vazhdohet kështu situata mund të eskaloj. Shpresoj që ky zë të jetë dëgjuar”,-tha Sapho.

Familjarët e protestuesve të arrestuar gjatë natës në Kukës kanë “rrethuar” paraditen e së dielës Komisariatin e Kukësit. Sipas tyre, policia ka ardhur në shtëpitë e tyre natën për të arrestuar pjesëmarrësit në këtë protestë dhe thonë se efektivët e policisë kanë ushtruar dhunë nëpër banesa.