Kryebashkiaku i Kukësit: Nuk e takoj Ramën pa u liruar të arrestuarit!

Kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu deklaroi në një konferencë për shtyp të dielën se nuk do të takohet me kryeministrin Edi Rama nëse më parë nuk lirohen qytetarët e arrestuar për protestën në “Rrugën e Kombit”. “Sot jam në krah të qytetarëve të Kukësit, pa dallime politike. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar. I bëj thirrje Edi Ramës që të lirojë të arrestuarit dhe të ulet e të dëgjojë qytetarët e Kukësit. Unë nuk shkoj në takim me Ramën nëse nuk lirohen ata që janë arrestuar”, tha Shehu.

“Kur populli cënohet ekonomikisht, unë jam gjithmonë me qytetarët”, shtoi kreu i Bashkisë së Kukësit.

“Lironi djemtë tanë! Lironi djemtë tanë!” – thërrasin fuqishëm dhe pandërprerë familjarët e 23 të arrestuarve përballë Komisariatit të Kukësit.

Me çadra hapur dhe mbështetjen simbolike të deputetëve të opozitës së pranishëm aty, familjarët e të arrestuarve kaluan orën e katërt përballë Komisariatit. Kauza për të cilën u protestua ditën e djeshme, për ta është legjitime. Tarifa 5 euro për të kaluar në Rrugën e Kombit i dëmton ata më së shumti.

Por më tepër ata janë të tronditur për mënyrën se si policia shkelmoi dhunshëm dyert e banesave në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke arrestuar, siç thonë ata, edhe persona që nuk kanë qenë fare të pranishëm në protestë.

Sali Berisha ka qenë tepër aktiv në Facebook duke postuar denoncime me mesazhe dhe video për situatën në Kukës.

Facebook