Bisedime me Kosovën për tarifën, Rama: Pse duhej?

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë përpara gazetarëve ditën e dielë, një ditë pas protestës për taksën e “Rrugës së Kombit”, deklaroi se “policia ruajti gjakftohtësinë përballë një tufe vandalësh që do të marrë ndëshkimin që meriton”.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte diskutuar me Kosovën për tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit, u shpreh se nuk kishte arsye për ta diskutuar, ndërsa shtoi se pagimi i kësaj tarife është patriotizëm.

”Kush ishte arsyeja që duhet të konsultoheshim? Së pari nuk është taksë. Këtu dëgjoj njerëz që thonë janë rritur taksat, sepse quhet taksë pagesën e dritave dhe ujit. Së dyti, nuk kemi arsyeje të konsultojmë sepse nuk është një tarifë e vendosur politikisht. Çfarë do të diskutonim ne me qeverinë e Kosovës? Kjo nuk është tarifë patriotizmi. Patriotizëm është ta paguash tarifën. Të japësh kontribut për atë që të takon. Ato historitë që këtu do të ndërpriten flukset, janë qesharake. Asgjë nuk do të ndërpritet, përkundrazi. Kushdo që vjen do të vazhdojë të vijë. E thotë studimi. Tarifa nuk këtë javë. Tarifa ka dy vjet”,-tha Rama.