“Kukësi në rrethim”, Basha: Rama të tërheqë forcat speciale

Pas mbledhjes me aleatët, kreu i PD-së Lulzim Basha, i bëri thirrje kreut të qeverisë, që të largojë forcat policore që kanë rrethur Kukësin.

Dënojmë dhunën barbare kundër protestuesve. Rama të largojë menjëherë forcat policore që kanë rrethuar Kukësin. Shqiptarët të mos gënjehen nga kryeministri i paskrupullt që i ka futur në varfëri këto 5 vite, Të kërkojnë të drejtat e tyre”, tha Basha.

Të pranishëm në takimin që u mbajt në selinë blu, ishin kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili, deputetja Klajda Gjosha, kreu i PR-së Fatmir Mediu si dhe deputetë dhe ish-deputetë të PD-së.

Lidhur me taksën për kalimin e rrugës, në emër të opozitës, Lulzim Basha tha se Rama duhet ta pezullojë plotësisht atë.

Reagimi i opozitës erdhi pas deklaratës së sotme të kryeministri Edi Rama. Kryeministri Edi Rama foli për protestën e dhunshme në Rrugën e Kombit. Rama foli për kazan polik që e përdori këtë protestë ndërsa tha se për të gjithë banorët e zonës do ketë abone me çmime të reduktuara. Rama iu përgjigj edhe ftesës së kryetarit të Bashkisë së Kukësit për të biseduar dhe do e takojë atë të hënën.

“Me qytetarët që e kundërshtojnë se është e lartë do sillemi siç na e do vizioni. Do bashkëbisedojmë, do dëgjojmë me vëmendje e do shpjegojmë me durim të gjitha të drejtat e shtrembëruara prej gënjeshtarëve dhe sharlatanëve të kazanit politik e mediatik”, tha ai.

Gjuha e benzinës dhe çizmja e dëshpërimit do marrin përgjigjen qershorin e ardhshëm, tha ai, duke u shprehur se është opozita ajo që qëndron pas ngjarjes së Kukësit.

“As populli i krejt Shqipërisë, as populli i vetë Kukësit, nuk ka asnjë lidhje me këtë shfaqje të ulët vandalizmi dhe asnjë lidhje me dëshpërimin tuaj agresiv. Dhe përgjigjen prej Kukësit dhe gjithë Shqipërisë gjuha e benzinës dhe çizmja e dëshpërimit që tërheq zvarrë opozitën do e marrë qershorin e ardhshëm, pa diskutim dhe më shembulloren se sa e morën qershorin e shkuar. Të tërë bashkë mbledhur në kazanin politik me votat e zakonshëm të këtij vendi, këta nuk mund të bëjnë asgjë tjetër përveç asaj që kanë bërë gjithnjë të tallen me pakicën për të nxitur rrëmuja e zjarr ndezje e për të bërë e hapur gropa në çdo fushë të jetës shqiptare sa herë janë në pushtet. Këtë të vërtetë të hidhur për ata e di mirë shumica dërrmuese e shqiptarëve të arsyeshëm që vetëm rritet në numër dhe në vetëdije se Shqipëria që duam nuk bëhet dot as me përralla, me gënjeshtra, logje Parlamenti po me reforma të thella, nganjëherë të dhimbshme, me durim e sakrifica. Fati i politikës mizerabël të përrallave dhe shkatërrimi me benzinë në gojë e çizme në dorë është i shkruar dhe mbetet vetëm ta lexojmë deri në fund. Kukësi nuk mund e nuk do të kthehet kurrë në mish për zjarrin që duan të ndezin kartat e djegura të politikës së Tiranës”, tha Rama.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës me krerët e opozitës:

“Ne dënojmë me forcë kërcënimet e Edi Ramës dhe kanosjet e tij histerike për raprezalje policore. Ne urojmë që ato janë trillim i gjendjes së tij të rënduar psiqike me të cilën ai u shfaq sot para shqiptarëve.

Ne shprehim mbështetjen tonë pa asnjë kusht ndaj qytetarëve të Kukësit, të Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë, të cilët preken dhe ndëshkohen nga tarifa e padrejtë dhe korruptive për udhëtimin në Rrugën e Kombit.

Ne dënojmë dhunën barabare kundër protestuesve dhe kërkojmë vënien para përgjegjësisë të cdokujt që ka ushtruar dhunë kundër tyre.

Ne i bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin provokimet e dhunshme, por ta kërkojnë të drejtën e tyre vendosmërisht me çdo mjet demokratik.

Edi Rama duhet ta kuptojë mirë sa nuk është vonë, se zgjidhja e situatës arrihet me dialog dhe jo me kërcënimin e raprezaljeve dhe armëve. Qytetarët nuk mund të detyrohen të paguajnë një taksë të rëndë dhe korruptive me grykën e pushkës për llogari të Edi Ramës dhe xhepave të tij.

Për këtë qëllim, i bëjmë thirrje Edi Ramës të largojë menjëherë forcat policore që kanë rrethuar Kukësin. Dërgimi i forcave speciale është një provokim frikacak dhe i rrezikshëm i Edi Ramës.

Forcat policore duhet të jenë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar, trafikantëve të drogës dhe kapjes së qindra kriminelëve që kërkohen nga drejtësia shqiptare dhe ato të vendeve europiane.

Në gjendjen e sundimit të plotë të krimit që ka sjellë Edi Rama në Shqipëri, policia duhet më shumë se kurrë të luftojë kriminelët dhe jo popullin.

I bëjmë thirrje cdo punonjësi të policisë të refuzojë urdhrat për të ushtruar dhunë ndaj banorëve të Kukësit dhe i paralajmërojmë se do vihen para përgjegjësisë personale për cdo akt të tillë.

Ne i përsërisim Edi Ramës kërkesën e prerë të pezullojë menjëherë zbatimin e tarifës.

Korrupsioni i Edi Ramës dhe grabitja për përfitime vetjake nuk janë ligj dhe të mira publike. Pazaret korruptive të Edi Ramës do të hetohen dhe dënohen.

Edi Rama duhet të bëjë transparencë dhe të japë llogari para taksapaguesvë shqiptarë se ku shkojnë çdo vit 200 milionë euro që shqiptarët paguajnë për taksën e mirëmbajtjes së rrugëve. Do të mjaftonte një e dhjeta e kësaj takse për të mirëmbajtur Rrugën e Kombit pa asnjë tarifë shtesë.

Që kur ka ardhur në pushtet ai e ka trefishuar taksën e qarkullimit dhe ka mbledhur gati 800 milionë euro nga kjo taksë.

Edi Rama duhet të japë llogari pse shpërdorohet dhe nuk përdoret ky fond për mirëmbajtjen e rrugëve, që është qëllimi i vetëm kushtetues dhe ligjor i vendosjes dhe mbledhjes së taksës së qarkullimit.​

Ne i kërkojmë Edi Ramës të ndërpresë menjëherë pagesat prej miliona eurosh që ai u jep çdo vit koncesionarëve të plehrave dhe shëndetësisë për punë të pabëra, dhe kalimin e këtyre fondeve për zbutjen e varfërisë në zonën e Kukësit dhe zonat e tjera të varfëra të vendit.

Së fundmi, ne ju bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të mos gënjehen nga mashtrimet dhe përgjërimet e shtirura të një kryeministri manipulator dhe të paskrupull që i ka gënjyer, varfëruar dhe zhytur në papunësi, drogë dhe në krim çdo ditë, këto katër vjet, por të kërkojnë të drejtat e tyre dhe një qeverisje të mirë dhe të denjë”.

VIDEO LIVE/ Edi Rama nuk tërhiqet: Asnjë mëshirë për zjarrvënësit

LAJME TË TJERA PËR PROTESTËN

“Luftë” në Rrugën e Kombit

Presidenti Meta: Të evitohet dhuna, duhet dialog

Rama nuk tërhiqet: Asnjë mëshirë për zjarrvënësit

Basha: Qytetarët i thanë ”Ndal”

Kryemadhi: Revolta në Kukës, fillimi i fundit të qeverisë

Xhafaj flet për protestën: Do ketë përgjigje të fortë ligjore

Qytetarët: Mos luaj me zjarrin se do digjesh Edi Rama!

Berisha: Populli i thotë JO “plaçkës Rama”

Manjani: Arroganca e shtetit meriton ndëshkim popullor!

FOTOLAJM/Protesta e dhunshme në Rrugën e Kombit

Përleshjet në “Rrugën e Kombit”, një polic i plagosur

Bilanci i protestës, policë e qytetarë të plagosur

Këshilli Bashkiak i Kukësit: Aktet e dhunës filluan nga FNSH

Prokuroria nis hetimet për protestën në Kukës