Marrëveshja për detin, Basha: Negociatat kanë nisur në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses…

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh i bindur se negociatat me Greqinë kanë nisur. Basha tha se qeveria Rama gënjen kur thotë se nuk kanë nisur negociatat.

“Nga pala greke ne mësojmë se negociatat kanë nisur, ndërsa qeveria shqiptare e mohon. Negociatat po zhvillohen në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Basha. Lidhur me Artur Meçollarin, i propozuar në grupin negociator me Greqinë, Basha tha se shqiptarët meritojnë të dijnë se ccfarë ka negociuar Bushati me Kotzias, pse ishin të pranishëm ushtarakët e marinës në këto negociata, ccfarë pazare janë bërë, pasi ekziston mundësia që Shqipëria të humbasë zona që kanë gaz dhe naftë.

“Ne duam marrëdhënie të mira me Greqinë, marrëveshja e detit duhet të zgjidhet duke shkuar në gjykatën ndërkombëtare dhe natyrisht vija e kuqe është vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në ekipin negociator duhet të zgjidhen persona me integritet.

Suksesi në arritjen e marrëveshjes përcaktohet nga transparenca, respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhja në grupin negociator të personave me integritet”, tha Basha.