Zoti Ylli Manjani, mos u lodhni me Arta Markun!

Arta Marku është kryeprokurore e përgjithshme. Thuhet e përkohshme, por gjasat janë se po luhet nga ODAT, EURALIUS, Donald Lu dhe Edi Rama që Arta Marku të zgjidhet nga e përkohshme në mandat kushtetues të plotë. Kjo duket hapur dhe nuk ka nevojë për të hamendësuar. Problemi shtrohet sa ajo do jetë e drejtë, ligjore dhe nuk do përdoret, sidomos nga kryeministri Rama.

Kjo është çështja zoti Manjani!

Ja se ç’shkruan ish-ministri i drejtësisë Manjani kur doli deklarata e shkurtër dhe e prerë e ambasadës amerikane.

”Ka shumë të drejtë Ambasada kur thotë “Kushtetuta dhe ligji janë të qarta..”. Çështja është se po aq QARTË të dyja u shkelën dhunshëm nga Rilindja! Doni prova? Lexoni ndryshimet në rregullore! Po legalizojnë shkeljet që bënë! Nuk mund të “lahen duart” kaq kollaj nga përgjegjësia”,- shkruan Manjani.

Reagimi i ish-ministrit të drejtësisë erdhi sapo doli kjo deklaratë amerikane: Kushtetuta dhe ligji janë për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit”, – thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.

Mënjëherë, si në njër orkestër, ka reaguar Kryeministri. Ai ka shkruar: “Përkthimi shqip-shqip i SHBA rrëzon përsëri leximin shqip-shqup të Kushtetutës për drejtësinë. Shumë keqardhje dhe pak shpresë për reflektim”, e ka komentuar Rama deklaratën e Lu.

Edi Rama ka thënë se Arta Marku është zgjedhur në mënyrë ligjore. Natyrisht sa kohë kryeprokurorja nuk prek ministrat e Ramës. Ndërsa PD-LSI kundërshtojnë, duke thënë se ajo u zgjodh në mënyrë antikushtetuese. Bile shtojnë se reforma në drejtësi po uzurpohet dhe drejtohet nga kryeministri Rama.

Por Don Lu, siç i pëlqen kryeministrit Rama ta thërrasë me afrimitet, mendon se Arta Marku u zgjodh në mënyrë korrekte. Dhe po përdor Xhonin dhe Ferdinandon, siç i quan deputeti Enkelejd Alibeaj.

Nga ana tjetër Arta Marku po bën spastrime të forta në prokurori. Opozita thekson se nuk ka mandat kushtetues për veprime të tilla. Bile dyshohet se ajo po luan që 6 anëtarët e KLP që do përzgjidhen nga prokuroria, të jenë njerëzit e Ramës e më pas zgjedhin Arta Markun për 7 vite nga KLP.

Një çorbë e madhe është krijuar. Mjeshtërisht lojën e bëri Edi Rama me KLP duke bllokuar anëtarin nga shoqeria civile, pasi nuk do ishte krijuar kjo rrëmujë dhe destabilitet politik.

Apo e përlan drejtësinë Kryeministri Edi Rama? Nuk ka nevojë për koment. Mjafton një përgjigje: Mjeshtërisht! Apo e ndihmon ambasadori Donald Lu, ish-ministri Manjani, shton: Sigurisht!

Një sugjerim zoti Ylli Manjani: Edhe me zotin Fatmir Xhafaj, ministrin e brendshëm mos u merrni. Edhe ai investim amerikan, është, bile krejtësisht. Nuk e ka emëruar Rama.

E fundit, kryeministrin Rama ose e rrëzon PD-LSI me protesta popullore, edhe të dhunshme nga varfëria ekonomike ose prisni të rrëzohet vetë Edi Rama nga mbipushteti, pasi i ka marrë të gjitha. Edhe futbollin po merr.

Për pak muaj edhe ujë me lejen e Ramës, do të pini. Edhe frymën me lejen e kryeministrin do e nxirrni!

Kurse Don Lu do rri e shikojë deri në gusht mbipushtetin e Edi Ramës dhe do dëgjojë, kur të ikë në SHBA, njëlloj si Marisa Lino rrëmujën dhe kaosin. Marisa Lino ishte në vitin 1997 ambasadore amerikane në Tiranë.

Spiten Prulli