Tinka Kurti mbush 85 vjeç. Rrëfimi i aktores: Historia e puthjes së parë në kinematografinë shqiptare

Rrëfimi i aktores së madhe të skenës shqiptare: Vazhdoj të interpretoj role. Dashurinë për skenën, nuk kanë forcë ta ndalin vitet

Nga Zenepe Luka

Përvjetorin e 85-të Tinka Kurti e feston në Shkodrën e saj të dashur. Drejtorja e Teatrit “Migjeni” Rita Gjeka e ka ideuar bukur festën, duke e etiketuar “Tinka e Përjetshme”. Pjesë të festës do të jenë shumë aktorë me origjinë nga Shkodra, por edhe të tjerë që kanë interpretuar në skenën e këtij teatri. Në një farë mënyre, ditëlindja e Tinkës, do të jetë festë e artistëve shqiptarë të të gjithë moshave.

 Aktorja përjeton emocione të mëdha , jo vetëm pse është një vit jubilar, ku vjen me një rol të ri, por edhe për shkak se festa bëhet në qytetin e saj, që e do marrëzisht. “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”-thotë Tinka, përpara se të nis bisedën.

Jeta dhe karriera

 Lindi në Sarajevë, më 17 dhjetor të vitit 1932, ndërsa në skenë do të ngjitej për herë të parë në moshën 14 vjeçe. Që nga vitit 1949 ajo është aktore e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, ku interpretoi mbi 120 role. Aktorja shkëlqen në role protagoniste si tek “Gjaku i Arbërit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, “Fisheku në pajë”, “Fejesa e Cehovit” etj. Tinka Kurti ka interpretuar mbi 35 role edhe në kinema, duke startuar me filmin e parë me metrazh të gjatë shqiptar”Tana”, në vitin 1958. Rruga e saj artistike fiksoi në historinë e kinematografisë shqiptare rolet e spikatur si Nënë Pashako tek filmi “Yjet e netëve të gjata” në vitin 1972, Nëna tek filmi “Çifti i lumtur”në vitin 1975, Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës” etj. Gjatë karrierës së saj ka marrë një varg çmimesh. Është bërë Artiste e Popullit në një moshë fare të re, ndërsa mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” në prag të 80-vjetorit të lindjes, akorduar nga ish Presidenti i Republikës prof. Bamir Topi. Tinka Kurti është vlerësuar edhe me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, nga ish Presidenti Bujar Nishami..

 

Cilat role do t’i konsideronte më të spikatura, “të mëdhenj” Tinka Kurti?

Unë kam pasur fatin të kem tërë kohën role parësorë në skenë dhe filma, por veçoj rolin e Lokes tek “Toka Jonë”, nënë Pashakoja tek “Yjet e netëve të gjata”, rolin e nënës tek “Gjaku i Arbrit,” tek “Streha e të Harruarve” dhe deri tek i fundit në filmin “Yjet e së ardhmes”, që po shfaqet këto ditë. Në të vërtetë për aktorin, por edhe artëdashësin ka role të vegjël, që vlerësohen të mëdhenj, për nivelin e interpretimit, mesazhin që përcjellin.

Tinka Kurti është artistja e parë, që realizoi puthjen në film, madje në filmin e parë shqiptar. Si e keni përjetuar?

Kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla, që tashmë janë të zakonshme. Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë, që shkela çdo besëtytni për të realizuar rolin. Duhet të jemi objektivë, se këtë nuk e bënte çdo femër aktore.

Pak kush e di, që Tinka Kurti jep një kontribut edhe në shoqërinë civile. Ju jeni zv.Presidente e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, mundet nga goja juaj, diçka më konkretisht?

E them gjithmonë, madje me zë të lartë, që ky Fondacion, ku bën pjesë gruaja e shquar, përfshi edhe shumë aktore si unë, Margarita,Roza, Edi, Irini etj, i ka rënë botës rreth e qark, duke bashkuar zërin e gruas shqiptare. Ne artistet bëjmë punën tonë, recitojmë, interpretojmë, duke dhënë e marrë emocione. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme për 15 vjet dhe nuk besoj se do të ndalet ky Fondacion, sa kohë ka në krye një grua, që nuk përmbahet, sikurse je ti, Zenepe Luka.

Nga këto veprimtari, që e bëjmë vullnetarisht, kemi caste shumë të bukra, që nuk mund të harrohen.E tillë ishte prania jonë në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti i vitit 2008, ditë e acartë, por që na ngrohu shpirtin, një ditë e shumëpritur. Kam fiksuar në foto çastin kur një shqiptar i ardhur nga Australia më vendosi një qylaf në kokë dhe më mbështolli me flamurin e Kombit. E kam të shtrenjtë atë foto.

Dua të përmend faktin, aq më tepër që këtë bashkëbisedim e bëjmë me rastin e ditëlindjes, që Fondacioni ma ka festuar tre herë ditëlindjen. Njëherë teksa udhëtonim me avion në lartësinë 8000 metra, kur shkonim në Stamboll në kuvendin e 7-të të gruas së shquar, ku festa përfshiu edhe 75-vjetorin e lindjes sime. Emocione të paharruara solli më pas ceremonia e bukur me rastin e 80 vjetorit, ku morën pjesë gra nga disa vende, që drejtojnë degët e këtij Fondacioni

Si e kalon kohën Tinka Kurti?

Ditën e kaloj mes artdashësve, vargu i të cilëve nis sapo hedh shkallët e pallatit tim. Telefonata të pafundme më urojnë dhe më pyesin për shëndetin. Me kolegët dhe shoqet e skenës kalojmë një kohë të rëndësishme bashkë.

Por ne lëvizim shumë shpesh me Fondacionin, por jemi të kudondodhura në aktivitetet, që bëhen nga drejtoritë e teatrove. Rëndësi ka që ende interpretojmë role, role që i shkojnë moshës tonë. Kështu do të vazhdojmë sa kohë jemi mirë me shëndet. Është e vështirë të ndahesh nga skena, ku ke kaluar një jetë të tërë. Sigurisht, të ngrysesh dhe gdhihesh vetëm nuk është e lehtë, por ja që emigrimi ma mori djalin e vetëm. Sikurse e dini, unë kam një shtëpi të thjeshtë, pa komoditetin e kohës, por zonja e saj është një artiste, që ka sakrifikuar për të lënë si pasuri 110 vite punë. 60 vjet në teatër dhe 50 vjet në kinematografi. Ndaj them që kjo shtëpizë e varfër, të mbetet një muze i pasur. Është, e vetmja pasuri që kam në këto 110 vite punë e sakrificë. Ia kam lënë amanet tim biri që kjo banesë të jetë derëçelur përjetësisht. Aty do të evidentohet “pasuria” ime, vlerësimet, fotot, kasetat e CD me filmat e mi, veshje të roleve.

VLERËSIME TË PERSONALITETEVE TË ARTIT PËR TINKA KURTIN:

Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”:

Margarita Xhepa

“Jam e lumtur që do të jem në festën që i organizon Teatri “Migjeni”, koleges, aktores së famshme, shtylla e këtij teatri. Tinka është aktore e tragjikes dhe humorit, që me talentin e përvojën e saj, ka dhënë para publikut, një lojë realiste, emocionale e shpërthyese. Tinka Kurti, artiste e papërsëritshme. Mirënjohje të thellë për të që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë artit në teatër dhe kinematografi. Gëzuar 85 vjetorin e lindjes, kolegia, mikja ime, Tinka. Bashkë festofshim edhe 90 vjetorin”.

 Roza Anagnosti, “Nderi i Kombit”:

Roza Anagnosti,

“E kam njohur, qëkur isha fare e re në skenën e teatrit “Migjeni”. Ka qenë e mbetet idhulli im. Mjeshtëria e saj në interpretimin e roleve, që nis në dramën “Toka Jonë”, ku Tinka interpreton Loken dhe unë Filen, ka qenë shkollë për mua. Për Tinka Kurtin, këtë aktore të përmasave të mëdha, flasin rolet, karriera e saj brilante në teatër dhe kinematografi. Është një gur i rëndë themeli jo vetëm për teatrin e Shkodrës, por për teatrin e kinematografinë shqiptare. Yje të këtyre përmasave, sikurse është Tinka Kurti, ndriçojnë përjetësisht historinë e artit të një Kombi”.

Robert Ndrenika, “Nderi i Kombit”:

Robert Ndrenika

“E kam vështirë në pak fjalë të jap një opinion për një aktore të madhe, sikurse është Tinka Kurti. Gjëja e parë unë i uroj nga zemra të bëhet 100 vjeç. Shpresoj të jem mirë dhe të vij në Shkodër për t’u bërë pjesë e festës. Kur bëhet fjalë për një aktor, menjëherë çon nëpërmend rolet e tij, apo të saj. E pra, gjenialiteti i Tinka Kurtit, preket, lexohet tek interpretimi, se si dhe deri në ç’masë është shkrirë shpirti saj me rolin. Tek Tinka, është një dhe i pandarë. E kam peng, që gjatë karrierës, nuk kam mundur të jem partner i saj, por gjatë gjithë kohës kam qenë dhe jam admirues i roleve, që ka interpretuar aktorja e madhe Tinka Kurti”.

Koha Jonë