Rrethimi i dytë i “Koha Jone”

3

Nga Nikoll Lesi.

-Reagim inatçor i njërëzve të kryeministrit Rama pas shkrimeve kritike ndaj qeverisë dhe zyrtarëve të korruptuar të administratës ekzekutive.

-Një kujtesë për kryeministrin Rama: Gazeta “Koha Jone” ka provuar e përballuar dhunën dhe djegien e pushtetit të ish-presidentit Berisha si dhe presionin dhe gjyqet e ish-kryeministrit Nano. Ndaj kujdes zoti Edi Rama, pasi dikur keni qenë edhe vetë gazetar dhe analist i kësaj gazete të lirë. Kështu e filluan marrjen e pushtetit edhe Berisha (1992-1997) dhe Fatos Nano (2003-2005), me sulm direkt dhe që në fillim ndaj gazetës së parë të lirë në Shqipëri, por u rrëzuan…

Nuk donim të ndodhte kjo që ndodhi, kur redaksia e gazetës “Koha Jone” u rrethua me polici, sikur të ishte një vend kriminal apo një organizatë terroriste. Kishte shumë makina e forca policie të policisë së shtetit. Ndonëse ishte një pretekst nga pushteti se gjoja po bënim një “ndërtim pa leje”, por në thelb ishte për të treguar dhëmbët ndaj “Koha Jone”, pas shkrimeve kritike ndaj një pjese të ministrave dhe kryeministrit Rama. Në një kohë që një pjesë jo të vogël të medias e ka futur nën kontroll interesash lejesh ndërtimi dhe interesa të tjera financiare, gazeta “Koha Jone”, pa pretenduar për kohët e saj të arta kundër Berishës së I-rë dhe Nanos së II-të, është munduar të jetë realiste. Por me sa duket qëndrimet editoriale të “Koha Jone” nuk janë pëlqyer nga Edi Rama. Na ishte thënë  nga këshilltarët e tij se “po kaloni vijën e kuqe ndaj kryeministrit”, por nuk besonim se do arrinte deri këtu, që të rrethojë redaksinë me polici. Ishte si në filma, dje.

U sqaruan policët se ishte një shkallë prej hekuri për emergjencën e punonjësve dhe gazetarëve (në rast zjarri) dhe se kishte leje të firmosur nga drejtori i përgjithshëm i drejtorisë së planifikimit dhe zhvillimit urban në bashkinë e Tiranës, zoti Ditjon Baboçi. Iu tregua urdisë së policisë, leja e firmosur nga Bashkia, por ndërhynë duke bërë kontrolle në mjediset e zyrave, sepse sipas tyre “leja nuk ështe e rregullt”! Deri këtu nuk kishte ndonjë gjë për tu shqetsuar, pasi mund të ishte verifikim dhe shumë mirë që bëhet, ndonëse prezenca me kaq shumë makina policie, mu para redaksisë së gazetës, të krijonte një shije jo të mirë. Pas insistimit të palës së gazetës se derisa leja është në rregull nuk keni pse bëni spektakël me sirena policie e uturima makinash nga policia, ku natyrisht nuk mungonin edhe makinat e policisë bashkiake të Tiranës.

U thamë që të lidhen me bashkinë e cila ka dhënë lejen për këto shkallë hekuri ( të cilat janë të zmontueshme) për raste zjarri, brenda territorit të redaksisë, por përgjigja ishte se “ dyshojmë se është fallso” dhe më pas “se kjo leje nuk na ka ardhur ne si kontroll”! Ç’punë kemi ne si redaksi të njoftojmë çdo institucion në Shqipëri se Erion Veliaj na ka dhënë leje për këto dreq shkallësh prej hekuri! Nëse ka ndonjë gjë me garancinë teknike, nuk përgjigjem unë, por firma e ndërtimit e cila ka liçensë nga shteti dhe që ka kaluar skanerin e kontrollit nga drejtoria përkatëse në bashki. Ç’punë kishin me mua si drejtor dhe pronar i godinës së gazetës! Njëherë mendova, në çast, se a është më mirë të veprojë si disa botues e pronarë mediash, të cilët e kanë mirë me kryeministrin dhe marrin leje ndërtimi për pallate me shumicë, resorte, etj ose që edhe ndërtojnë pa leje, sepse lejen e marrin pasi kanë mbaruar punë; por prapë e shkunda veten. Me mirë po rri me këtë shkallë hekuri të thjeshtë!

Gjithsesi orët kalonin dhe policia nuk ikte. Redaksia vazhdonte e rrethuar dhe çdo njeri që kalonte rrugës pyeste “Çka ndodhur që ka ardhur gjithë kjo polici? Kanë  vrarë ndonjë gazetar?”.

Nuk durova nga kjo skenë teatrale policie dhe presioni, sepse nuk donin të hanin pykë dhe mora personalisht në telefon kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. I sqarova, pasi mund të kishte njëmijë punë si kryebashkiak. Nuk e dinte, siç më tha, por do pyeste, ktheu përgjigje. Ndërkohë policia ruante të rrethuar redaksinë. Nga orët e darkës mora prapë kryebashkiakun Veliaj dhe më tha se ka një proces verifikimi nga policia e shtetit. Se çdo verifikonte policia e shtetit te “Koha Jone”, lejen e Erion Veliajt, këtë vetëm pushtetarët tanë e dijnë!

Nuk dha rezultat as ndërhyrja te Erion Veliaj, duke i thënë se leja është dhënë nga bashkia e Tiranës dhe nuk ka asnjë shkelje ligji, siç vertetohet kur më morën në komisariat, dëshminë, dhe ku “proces verbali” nga vetë  IMT (Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit) shkruan se “ nuk ka asnjë shkelje”. Bile kjo që po bëjë, pra shkallët e emergjencës mbetet një gjë e mirë, jo vetëm e ligjshme, por që duhet bërë në çdo godinë për rastet e emergjencave, si zjarre, etj. Kur i thashë para disa muajve, kryebashkiakut Veliaj ( natyrisht për lejen) me tha se kjo duhet bërë në gjithë Tiranën. Eshtë normë dhe detyrim jashtë shtetit. Të paktën kështu me tha Erion Veliaj.

Para se të më merrnin në komisariat dëshminë time si pronar dhe si botues i gazetës “Koha Jone”, gjëndja përreth redaksisë u acarua, sepse u shtuan forcat e policisë së shtetit. Ishte një gjendje shtetrrethimi ndaj gazetës, ku një pjesë policësh zgërdhinin dhëmbët gjithë inat e ironi ndaj gazetarëve. Ishin rreshtuar gjithë gazetarët përballë policisë. Fatmirësisht u treguam të qetë dhe nuk e hëngrëm që më pas të na akuzonin për “pengim të forcave të policisë” apo ndonjë shkak tjetër që të na merrnin si redaksi gazete në polici. E kishim provuar në shkurt 1996 kur policia dhe SHIK-u i Berishës na mori përdhunisht nga zyrat e gazetës 33 gazetarë dhe na futën në birucat e drejtorisë së policisë së Tiranës.

Ndërkohë forcat e policisë morën dy nga punonjësit  që punojnë në godinën e “Koha jone”, pavarësisht se kisha folur me një mori shefash policie në Tiranë që leja është e rregullt dhe se këtë e konfirmon edhe vetë kreu i IMT, zoti Skerdi Drenova. Dhe më pas edhe Erion Veliaj, i cili u tha se leja është në rregull. Nuk kishte se si ndodhte ndryshe, pasi ne e njohim ligjin, sidomos kur shkruan kundër qeverisë me kritika! Policia shoqëronte njërëzit e “Koha jone” për në komisariatin numër dy në Tiranë dhe po më vinte radha edhe mua. Nuk ishte ndonjë frikë apo problem, pasi kam provuar policinë dhe shikun e pushtetit të Berishës së I-rë dhe dhunën e gjyqet e ish-kryeministrit Nano, por gjithsesi një fyerje e madhe, ishte. Të shkoje në polici për “vepër penale” (!) ndërkohë që zbaton ligjin dhe je korrekt më të, ishte paksa siklet, por mu duk si një rikthim në kohët e vjetra. Më lanë kastile duke pritur te polici-roje në komisariat mbi një orë, por e kapërdiva fyerjen, gjithsesi. Ndërkohë që më mbanin nën shoqërinë e policit të komisariatit numër dy në Tiranë, të paktën me dhanë leje të flisja në telefon.

Ishte një gjest bujarie policor!

Mora Endri Fugën këshilltarin për mediat të kryeministrit Rama dhe natyrisht me një ton paksa të ngritur të komunikimit, i shpjegova se jam në polici në pritje të marrjes në pyetje për “vepra penale” (!) dhe i nisa edhe një foto me whatsapp, ku dukej fytyra e përvuajtur e një polici që thoshte se nuk na del rroga që na jep Edi Rama. Bile dëgjova edhe më shumë sa ndejta aty në komisariatin e policisë.

-Këtu vijnë disa hallexhi e njërëz pa përkrahje, mor zotni! Ca “të fortë” që merren me drogë i fusin brenda, ndonjëherë, por dalin shpejt se vjen udhër nga lart për ti nxjerrë- thonin aty, kurse polici po më shikonte si hallexhi!

Ndërkohë mora në telefon drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, zotin Haki Çako, i cili, pasi me dëgjoi me seriozitet e dashuri, me tha se nuk mund të ndërhyjë, ju lutem, pasi policia zbaton ligjin. E mbylla telefonin dhe mendova se sa nene të ligjit paskam shkelur me lejen e bashkisë në xhep.

I nisa prapë një sms zotit Endri Fuga, sepse durimi po kalonte çdo cak. Ndërkohë kaluan disa oficerë policie, civilë, nga brenda komisariatit, për të pirë kafen jashtë te një klub mu para meje dhe policit që më ruante.

-Aaa, ky është ai Lesi që shkruan kundër shefit të madh?!- më panë, psonisën dhe dolën për të rrufitur kafenë e darkës.

Dikur erdhi një oficer policie, një djalë i ri, korrekt dhe më mori në pyetje mua (shiko proces verbalin). Fola, firmosa dhe prita. Erdhën dy nga inspektoriati i IMT. Deklaruan dhe firmosën se leja është e rregullt nga bashkia dhe se personi në fjalë (pra unë) nuk ka bërë asnjë shkelje ( shiko proces verbalin). Kjo dihej që kur rrethuan redaksinë, por duhej të më çonin në polici që ta verifikonin!

Prita se mos më mbanin në komisariatin e policisë, por dikush kishte telefonuar se “nxirreni urgjent se do na bëjë zhurmë në  gazetë”! Dola. Te dera më pyeti polici:

-Pse të nxorën?!- dhe ngrysi vetullat.

-Nuk kishte vend sonte, pasi ishin plot e përplot dhomat e paraburgimit- i thashë- Por mund të më sjellin nesërmbrëma- fola dhe seç me hypi një dëshirë të flisja me këtë polic.

-Epo nesërmbrëma nuk e kam unë dezhurnin! E ka Sabriu!- tha polici dhe u ndamë.

Mora zotin Fuga, direkt këshilltarin e LartMdhërisë së Tij Edi Rama dhe i nisa me whatsapp se “dola nga policia, jemi 1 me 0 për ju. Por do barazoj shpejt!”.

Ika për në redaksinë e gazetës. Ndërkohë edhe dy të tjerët i lëshuan, pasi nuk kishim shkelur asnjë ligj.

Ishte thjesht një test presioni. Dhe kjo vjen pas një kontrolli dhe survejimi të agjentëve të SHISH, të Visho Ajazit, para disa javëve, fakt të cilin e publikuam. Agjentët u filmuan dhe fotografuan në barin e gazetës “Koha Jone”, te redaksia, ndërsa kishin pyetur se kush hyn e del në zyrat e gazetës “Koha Jone”, kush i bën shkrimet kritike si dhe ishin përpjekur për të marrë dokumenta nga administrata e gazetës. Këtë e denoncuam publikisht, ndërkohë video e agjentëve të SHISH ndodhet në zyrat e gazetës dhe do të bëhet publike se shpejti.

Pak a shumë kështu vepronin edhe pushteti i Berishës dhe i Nanos, dikur. Por ky, Rama, të paktën nuk të djeg apo nuk të hedh në gjyq!

Të paktën për momentin…

Nikoll Lesi

 

 

 

 

 

 

 

Në foto: Faksimile e IMT (Bashkia) para policisë se leja është e rregullt, ndaj nuk ka përse ndalohen punimet

 

Në foto: Dëshmia e drejtorit të “Koha Jone” para policisë në komisariat.