Triumfi i Isa Sakjës, i kthen PD-së bastionin: Bashkoj qytetin, rikthej “dy gishtat”
Fitorja e ngushtë e Isa Sakjes për Bashkinë e Kavajës, në kampin e djathtë ka sjellë një dozë të vogël entuziazmi, pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Bashkia e Kavajës i rikthehet të djathtëve pas qeverisjes 6-vjeçare të Elvis Rroshit, duke i besuar demokratit Isa Sakja, një mandat 2-vjeçar. PD rikthehet kështu në krye të Bashkisë së Kavajës pas ndërprerjes së mandatit të kryetarit Elvis Rroshi nga ligji i dekriminalizimit.
Për Sakjen, kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme, e luftuar deri në votën e fundit. “Falenderoj çdo njeri, të majtë e të djathtë, që besoi se Kavajës i duhet ndryshimi. Falenderoj popullin e Kavajës, Luzit, Golemit, Synejt që e kuptuan se Kavajës i duhet një energji tjetër, një energji pozitive”, tha Sakja.
Falenderimin e parë e ka për të majtët që votuan për të, duke u shprehur se për asnjë moment nuk e humbi besimin se Kavaja do t’i jepte një leksion të gjithëve e do rikthehej në rrënjët e veta. Fitoren ja dedikon PD, e cila nuk fitoi më 25 qershor, por në Kavajë sipas tij, tregoi se është parti e madhe.
“PD është parti e madhe në Kavajë dhe duhej të ishte forca kryesore, pavarësisht gabimeve shumë të mëdha që u bënë këtu. Ishte një revoltë që Kavaja bëri kundër krimit, një rebelim kundër trysnisë dhe presionit. Si Kavaja nuk ka në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka patur në ’90. Nuk kishte as në 2011 pavarësisht se ishte PD në pushtet, Kavaja u rebelua dhe s’mund të ishte ndryshe në 2017”, shprehet Isa Sakja, kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës.

Premtimi i parë që u dha kavajasve, Kryetari Sakja pas fitores ishte bashkimi i elektoratit dhe vënia në shërbim të qytetarëve: “Ne do ta bashkojmë qytetin, do ta bëjmë një, të majtë e të djathtë. Jemi në krye të bashkisë për t’i shërbyer qytetit. Boll i ka shërbyer qyteti atyre që kanë qeverisur”.
Rezultati për bashkinë e Kavajës i dha një dozë entuziazmi edhe Lulzim Bashës. Ai deklaroi se fitorja e kandidatit demokrat Isa Sakja në Bashkinë e Kavajës është “ngadhnjim mbi krimin, korrupsionin dhe terrorin e bandave”.
“Urimet e mia më të përzemërta qytetarëve të Kavajës për këtë ngadhnjim mbi krimin, korrupsionin dhe terrorin e bandave! Mirënjohje të thellë demokratëve të Kavajës dhe kryetarit Sakja për këtë fitore ogurbardhë! Nga Kavaja heroike e qëndresës, përballjes dhe fitores do të nisë ringritja e Shqipërisë”, lexohet në deklaratën e Bashës. Kavaja ka një histori të ndryshimit radikal të votës.
Historia përsëritet
Elvis Rroshi hoqi “Obeliskun e demokracisë” nga qendra e qytetit, edhe Isa Sakja do ta heqë “Obeliskun kuq e zi”. “Ai simbol nuk kishte të bënte vetëm me Kavajën, ishte lëvizje mbarëkombëtare që diktatura antikomuniste të merrte fund. Unë kam dhënë fjalën në fushatë dhe do ta mbaj. Unë aty do të hap një konkurs mbarë kombëtar për arkitektë skulptorë piktorë dhe aty do jetë një simbol që përfaqëson atë lëvizje”.

Çlirojmë Kavajën nga monopoli i krimit
Në një intervistë për gazetën, gjatë kohës që ishte në fushatën elektorale, Sakja u shpreh se vjen që të mos e ndajë Kavajën siç bëri Rilindja duke hequr nga lista e ndihmës ekonomike çdo kavajs me bindje të djathta.
“Ne vijmë të punojmë gjithë bashkë për Kavajën me zhvilim të qëndrueshëm duke nxitur sipërmarrjen e lirë në qytet të hapë vende të reja punë jo ta mbysim atë në gjoba politike, taksa e tatime. Ne vijmë ta çlirojmë Kavajën nga monopoli i krimit”,tha ai. Pas shpalljes së fitores, Sakja dhe Murati u përshëndetën me njëri-tjetrin, e i dhanë një mesazh politikës së madhe që debatet dhe retorikat e sulmeve, nuk i duhen vendit.
R.Shtylla
KOHA JONË SONDAZH

