Reagimi i PS pas mbledhjes së opozitës

Nga dy kampet PS dhe PD, në mungesë të plotë transparence për publikun, nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar se çfarë po ndodh me negociatat dhe krizën politike më të rëndë të viteve të fundit në vend.

Basha mblodhi aleatët në orën 21:00 dhe burime nga PD thanë se: “Nuk ka marrëveshje, pasi Rama nuk pranon shtyrjen e datës së zgjedhjeve dhe është tërhequr nga paketa McAllister”.

Pas këtyre qëndrimeve në PD, ka reaguar Partia Socialiste, e cila po me burime nga Kryeministria i përgjigjet Partisë Demokratike.

Më poshtë mund të lexoni sqarimi e dhënë për mediat nga burime të PS për dështimin e negociatave:

Lulzim Basha ka shpërndarë lajmin se Rama ka rrëzuar paketën McAllister.

Kjo, pasi sipas Bashës, Rama nuk pranon të shkojë më tutje se korriku për shtyrjen e zgjedhjeve. Basha kërkon që zgjedhjet të shtyhen deri në vjeshtë. Në fakt Basha po mashtron dhe kërkon t’ia lërë përgjegjësinë Ramës, për dështimin e radhës të arritjes së një marrëveshje që do e nxirrte PD nga çadra dhe do e fuste në zgjedhje. Paketa McAllister, nuk parashikonte në asnjë vend, shtyrjen e zgjedhjeve deri në vjeshtë. Pra, Rama nuk ka bërë asnjë tërheqje, pasi nuk ka thënë kurrë se do të pranojë shtyrjen e zgjedhjeve deri në shtator. Ai ka deklaruar se është gati të negociojë për paketën McAllister, por nuk mund të shkelë afatet kushtetuese për zgjedhjet. Ky eshte edhe qendrimi zyrtar i PS”.