Nuk ka marrëveshje Rama-Basha. Megjithatë Rama: Ju pres deri në darkë!

Tre orë bisedime mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha kanë përfunduar pa marrëveshje konrekte politike mes palëve. Burime pranë takimit mes dy liderëve të mazhorancës Edi Rama dhe opozitës, Lulzim Basha konfirmojnë se nuk është arritur një pakt konkret, por nuk hedhin poshtë mundësinë e vijimit të negociatave.

Sipas burimeve tona bisedimet kanë dështuar pasi Basha nuk është tërhequr nga dy pikat kryesore: zgjedhjet minimumi në shtator dhe së dyti dorëheqja e Ramës për ti hapur rrugë qeverisë teknike.

Kryeministri nuk ka dashur ti vërë pikën përfundimtare negociatave. Pavarësisht se në publik bën të fortin duke lëshuar ultimatume: “Deri sot në darkë e pres Bashën, nesër është vonë”, Rama ka dashur të lërë një shteg hapur. Para se të ngrihej nga tryeza ai ka thënë: “Këto janë maksimimi i pikave ku mund të lëshoj unë. Merrini mendojini dhe më thoni” (ende nuk bëhen te ditura këto pika ). Pasi ka bërë këtë lëvizje të fundit kryeministri është ngritur për tu larguar dhe është nisur me këmbë drejt çadrës dhe kryeministrisë.

Megjithatë fakti që nuk ka deklaratë publike nga Rama dhe Basha si dhe nga dy selitë politike tregon se akoma dera mbetet e hapur për një të fundit sonte në darkë. Edhe PD duket se e do largimin nga çadra, pasi po te ishte ndryshe Lulzim Basha mezi do priste qe pas presidencës të turrej te çadra dhe të bënte thirrje për Kavajën ditën e dielë. Basha pas takimit me Ramën ka shkuar te zyra e ish-kryeministrit Berisha. Duket se po negociohet, pavarësisht se akoma nuk ka firmë dhe konkluzion final.

Në takim ishin të pranishëm edhe krerët e grupeve parlamentare PS-PD. Negociatat kanë qenë të bazuara në platformën e David Mcallister.

Mësohet se PD ka kërkuar që zgjedhjet të zhvillohen në shtator, ndryshe nga maxhoranca që kërkon fundin e korrikut. Pika tjetër që nuk ka mundësuar nënshkrimin e marrëveshjes, është kushti i PD-së për dorëheqjen e Ramës dhe emërimin e një kryeministri teknik.

Megjithatë “tymin e zi” nga çatia e presidencës akoma nuk e ka lejuar Bujar Nishani, ndonëse e kanë gati tymin! Ndërsa kryeredaktori i gazetës RD pas largimit të Bashës nga presidenca ka postuar këtë tekst në facebook dhe kuptohet niveli i bisedimeve Rama-Basha.

Presidenca zbardh takimin Rama-Basha

Zyra e Presidencës ka dhënë detaje për takimin mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. “Me ftesë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani sot u zhvillua një takim midis Kryeministrit të vendit z. Edi Rama dhe Liderit të opozitës z. Lulzim Basha. Gjatë takimit palët prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj. Presidenti i Republikës vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.

 “Dështimi i tryezës” Rama-Basha, Ruçi takohet me Metën

Pas takimit Rama-Basha me Presidentin në detyrë Nishani, kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi është takuar me presidentin e sapo zgjedhur, Ilir Meta.  Mendohet se në fokus të takimit është situata politike dhe mos arritja e një marrëveshjeje Rama dhe Basha gjatë takimit me Nishanin.  Ndërsa pasi është larguar nga Presidenca, Basha është drejtuar për në selinë e PD-së.

Lulzim Basha mbledh aleatët e PD

Pas takimit Rama-Basha me Presidentin në detyrë Bujar Nishani, Lulzim Basha ka thirrur në takim aleatët e Partisë Demokratike.

Komenti i parë i Ramës pas takimit me Bashën…për Juventusin

Takimi tre orësh në Presidencë nuk u përmbyll me asnjë marrëveshje për zgjidhjen e ngërçit politik. Ndërsa kur doli nga Presidenca s’pati asnjë deklaratë, Kryeministri Rama pak minuta pas takimit me kreun  e demokratëve fokusin e  vëmendjes e ka zhvendosur te ndeshja që Juventusi luan sonte në mbrëmje.  “Sonte në fushën e blertë të kryeministrisë çdo juventin është i lutur dhe çdo antijuventin është i mirëpritur”, ka shkuar Rama në postimin e tij në Facebook.