Lefter Koka bojkotohet nga PS
Shpërthimi i Lefter Kokës tregoi pjesën e dukshme të situatës mes Partise Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, lëvizje që tregojnë temperaturën në rritje të tensionit mes Metës dhe Ramës.
“Këta njerëz tashmë të interesuar qoftë nga të ardhurat apo qoftë nga pushteti kanë vetëm një lajtmotiv, si do mundemi të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë pushtet. Janë eksponentë të caktuar që kanë ardhur nga qytete të ndryshme për të drejtuar policinë e shtetit, nuk kanë asnjë lidhje me policinë, janë mjeshtër ndoshta të bërjes së punëve që ata dinë mirë t’i administrojnë. Kjo jam i bindur do të sjellë ndoshta dhe zgjedhje të deformuara”, ka thënë Lefter Koka dje në Ora News.
Një ditë më pas ministri Lefter Koka ishte vetëm të shtunën paradite në Shijak në dhënien e certifikatave të legalizimit ku duhet të ishin dy përfaqësues të lartë të qeverisë, por ata munguan zyrtarisht për shkak të ndryshimeve në agjendën e tyre.
Artan Lame kishte zgjedhur të shkonte në Lezhë, ndërsa ministrja Gjermeni tha për Top Channel se nuk e kishte konfirmuar pjesëmarjen dhe nuk ishte e detyruar të shkonte në Shijak. Koka edhe nga Shijaku vazhdoi me akuzat.
“Është e thjeshtë si ekonomia e një shtëpie. Nuk mundesh dot në një shtëpi të kërkosh një televizor me ngjyra, kur nuk ke gjërat më bazike për të jetuar. Dhe shpesh në fakt kjo ka ndodhur në disa qytete të Shqipërisë po ndoshta dhe në bashkinë e Durrësit. Ne sigurisht e duam qytetin të bukur, dhe fasadën e bukur po që të kemi një fasadë të bukur duhet të kemi një rrugë e cila nuk mbytet”, tha ai. TCH
KOHA JONË SONDAZH

