Bomba në Ambasadën Sovjetike, si u ekzekutuan pa gjyq 22 intelektualë

Masakra e pashembullt e 19 shkurtit 1951: U kërkua të arrestoheshin 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 të rëndësishëm do të pushkatoheshin pa gjyq

Nga Halil Rama

Gjashtëdhjetepesë vjet më parë, më 19 shkurt 1951, në orën 17 e 47  minuta u hodh në oborrin e ish ndërtesës së Ambasadës Sovjetike në Tiranë një sasi e vogël dinamiti me potencial të reduktuar. Një krisje e fortë dhe disa xhama të thyer. Asgjë më shumë. Alarm në Ministrinë e Brendshme dhe në qarqet e larta politike të Tiranës. Shqetësimin në Ambasadën Sovjetike të Tiranës dhe në Ministrinë e Jashtme të BS.

Plenumi i KQ të PPSH i ndërpreu përkohësisht punimet në paraditen e datës 20.02.1951, sepse u mblodh urgjentisht Byroja Politike e KQ të PPSH, që mori në shqyrtim incidentin e rëndë në Ambasadën Sovjetike.

Në seancën e datës 20 shkurt 1951, Byroja Politike e KQ të PPSH dëgjoi raportimin e ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu. Ai e cilësoi këtë ngjarje, “Një politikë të kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”.

Masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”!

Pas të ashtuquajturës “bombë në Ambasadën Sovjetike” klika kriminale në krye të PPSH e qeverisë komuniste urdhëroi marrjen e masave të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”! Mehmet Shehu që urdhëroi një represion të tillë të paparë do të shprehej se, “Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, d.m.th kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi”. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë, pa bërë hetime për ngjarjen dhe pa gjetur provat për personat e pandehur.

U kërkua të arrestoheshin 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 të rëndësishëm të pushkatoheshin pa gjyq. Përveç kësaj, Mehmet Shehu do të kërkonte që, “Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji”.

Ministria e Brendshme dhe sigurimi i shtetit përpiloi listën e vdekjes, arrestimin dhe pushkatimin e 22 viktimave (edhe këto nga datat 19-26 shkurt 1951)

Kush i përpiloi tri listat me 22 persona  të zgjedhur për t’u ekzekutuar pa gjyq?

Kryetari i degës së dytë të Sigurimit të Shtetit, kapiten Rasim Dedja, hartuesi i listave ka rrëfyer se, “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zv.ministrat Kadri Hazbiun dhe Mihallaq Ziçishti”

Akuza

Akuza e Prokurorit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Siri Çarçani mban datën 25.02.1951 dhe është firmosur prej tij.

Akt akuza fillon me emrin e të pandehurit Tefik Shehu dhe mbaron me emrin e Sabiha Kasimatit. Gjithsej 22 persona të akuzuar. Për çdo akt akuzë, për çdo të akuzuar, shënohen gjeneralitetet, shtresa shoqërore dhe data e arrestimit. Asgjë tjetër.

Akuza kolektive

“Akuzohen se: Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste, duke u bërë agjentë të rregullt të tyre. Kanë furnizuar spiunazhet e huaja me informata me karakter sekret ushtarak, politik dhe ekonomik në dëm të Republikës sonë Popullore;

Janë bërë anëtarë të një organizate terroriste.

Kanë propaganduar për rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano-anglezë dhe satelitëve të tyre.

Fajet e mësipërme sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Siri Çarçani parashikoheshin nga nenet 2 e 3 Nr.10,7 dhe 8 të Ligjit 372 datë 12.12.1946 mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit dhe dënohen nga neni 4 i po këtij ligji.

Duke qenë se ky proces konsiderohej me rëndësi të posaçme, ai kërkoi që “Në bazë të nenit 12 të paragrafit të dytë të ligjit të sipërpërmendur të gjykohen në seancë të parë e të fundit direkt nga Gjykata e Lartë Ushtarake dhe, mbasi të dërgohen para gjyqit dhe të provohet fajësia e tyre, të dënohen sipas dispozitave të sipërpërmendura”.

Proces me “rëndësi të posaçme” dhe një akuzë vetëm 10 rreshta

Ky proces me “rëndësi të posaçme” dhe 22 persona të pandehur ngre një akuzë vetëm 10 rreshta.

-Së pari, sipas aktakuzës, të pandehurit “janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja, duke u bërë vegla të rregullt të tyre”.

-Kjo akuzë nuk mbështetet nga kryeprokurori me asnjë provë.

Së dyti, sipas aktakuzës, të pandehurit “janë bërë anëtarë të një organizate terroriste”. Në dosjen 1687 nuk posedohet asnjë provë për një organizatë terroriste apo ndonjë akt terrorist të saj, madje as nuk përmendet as hedhja e bombës në Ambasadën Sovjetike, pasi asnjë prej të pandehurve nuk kishte lidhje me këtë akt terrorist.

Nuk u provua të kenë lidhje me njëri-tjetrin, madje ata dëshmuan se as që e njohin njëri-tjetrin. Sipas Procesverbalit të gjyqit të gjithë mohojnë: “Nuk pranoj të kem bërë akt terrorit”/ “Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akte terroriste”/ “Nuk kam marrë pjesë në ndonjë organizatë terroriste”/ “nuk pranoj akuzën që të kem marrë pjesë në një organizatë terroriste”.

-Aktakuza e tretë e Prokurorit të Përgjithshëm: “Kanë propaganduar për rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano-anglezë dhe satelitëve të tyre”.

-Të gjithë të akuzuarit pranuan pjesërisht akuzën me këtë frazë: “Kemi shpresuar tek një ndërhyrje e anglo-amerikanëve dhe tek një luftë e re, që do ta ndryshonte situatën”, kjo fjali mendohet prej studiuesve të jetë shtuar nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, që kishin dorë të lirë të shkruanin çfarë të donin.

Gjyqi inekzistent

A u zhvillua ndonjë gjyq, qoftë dhe formal dhe a është marrë ndonjë vendim gjyqësor për dënimin me vdekje të 22 jetëve? Ekziston procesverbali, provë shkresore se është përpiluar pasaktësisht më vonë, pas pushkatimit të viktimave dhe pa gjykim? Në procesverbal thuhet se, çështja ishte shqyrtuar në bazë të ligjit të ri mbi organizatat terroriste, pa përmendur se cili ishte ai ligj, numri dhe data e daljes së tij.  Në procesverbal thuhet, se u lexua akuza dhe u morën në pyetje të pandehurit. Por, nuk thuhet se kush e lexoi akuzën, mbasi prokurori mungonte.

Në procesverbal nuk jepet trajtimi i çështjes nga kryetari i trupit gjykues, nuk jepet asnjë fjalë prej tij, nuk bëhet asnjë akuzë për ndonjë organizatë terroriste, apo akt terrorist, nuk sillet asnjë provë për fajësinë e secilit, nuk pasqyrohet asnjë lloj hetimi gjatë gjykimit, as ballafaqim midis të pandehurve, nuk është thirrur asnjë dëshmitar….

Nuk evidentohen në procesverbal pyetjet që bën trupi gjykues dhe përgjigjet e secilit për pyetjet. “En block” janë shkurt “reagimet” e secilit të pandehur për akuzën.

Nuk ka pasur dosje hetimore gjyqësore për ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike

Ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, Mustafa Qilimi ka deklaruar: “Sa kohë isha unë në Gjykatën e Lartë nuk ka pasur dosje hetimore gjyqësore për ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, për të cilën ekziston vendimi i pushkatimit të 22 personave”. Të gjitha janë shkelje të ligjit, që dëshmojnë se gjyqi nuk është zhvilluar fare. Procesverbalet janë plotësuar nga Gjykata e Lartë dhe Ministria e Brendshme, pas ekzekutimit të personave të arrestuar. Prova se procesverbali është falsifikuar është rasti i Jonuz Kacelit: vritet gjatë torturave, hidhet nga dritarja si i vetëvrarë – rast që merret si i pandehur në gjyq, pyetet nga kryetari, u përgjigjet akuzave dhe dënohet me vdekje, kjo provon se procesverbali është shkruar më vonë, gjyqi nuk është zhvilluar si fund të tij. Vendimi “me vdekje me pushkatim” ishte i formës së prerë, i paapelueshëm, i ekzekutuar menjëherë dhe i plotësuar me konfiskimin e gjithë pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, deri te lugët dhe pirunjtë!

Porosia për gjyqtarët e diktaturës: “Duhet të mbyllet goja  e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”

Gjyqtarët e inkriminuar gjer në palcë të kohës së diktaturës ishin porositur nga kupola e qeverisë komuniste, që për këtë vendim penal fiktiv  “duhet të mbyllet goja e të mos thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”.

-Shuaip Panariti dhe Vangjel Koçani e firmosin procesverbalin e falsifikuar pa asnjë hezitim. Kundërshtojnë Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hydaji Bejo dhe Nonda Papuli

-Në vitin 1991, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë pas kërkesës pranë Plenumit të Gjykatës së Lartë për prishjen e vendimit penal Nr.64 datë 27.02.1951 si të kundërligjshëm dhe të pambështetur në asnjë provë, u vendos prishja e këtij vendimi dhe pushoi çështjen penale në ngarkim të 22 të pushkatuarve.

Pavarësisht këtij vendimi, ende është mbuluar inekzistenca e gjyqit dhe falsifikimi i dokumenteve gjyqësore.

Ekzekutimi

Mesnatën e 26 shkurt 1951, të 22 personat e shënuar për t’u pushkatuar i nxorën nga qelitë e burgut të lidhur në pranga dhe i nisën në një kamion të mbuluar diku.

Nuk e dinin se ku do t’i çonin. Nuk e dinin se do t’i vrisnin. Nuk ishte komunikuar urdhri i pushkatimit. Megjithatë e ndjenin.

Një ditë para pushkatimit shkon në burg Mehmet Shehu dhe u foli të arrestuarve: “do të vriteni pa mëshirë si kundërshtarë të pushtetit, ndërsa ata që do të mbeten gjallë do të pësojnë të njëjtin fat po të lëvizin bishtin”!

Afër Urës së Beshirit në fshatin Mënik të Tiranës, rrëzë një kodrine të vogël buzë Erzenit, ishte hapur ditë më parë një gropë e stërmadhe rreth 4.5 metra e gjatë, 3 metra e gjerë dhe 1.5 metra e thellë.

Emrat e intelektualëve që u pushkatuan më 26 shkurt 1951:

Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorraliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç.

Sabiha Kasimati, 38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vendosi të kthehej në atdhe. Punoi në Institutin e Shkencave, duke qenë i njohur kontributi i saj në këtë fushë.

Tefik Shehu, 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për Ekonomi, Financë dhe Drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945, u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, ishte urdhër i prerë për t’u pushkatuar.

Pjerin Guraziu, 45 vjeç, i lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën Tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef Finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946.

 Jonuz Kaceli 43 vjeç, u lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Ky njeri u dërgua në gropën e vdekjes, pasi ishte vrarë më parë nga torturat.

Anton Delhysa, 47 vjeç. U lind në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulcit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fulcit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës, drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për Spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave në Vorë etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, së fundi edhe me pushkatim…

Haki Kodra, 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për Ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik deri në vitin e pushkatimit 1951.

 Gafur Jegeni, 41 vjeç. U lind në Dibër. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935-1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria deri në shkurt të vitit 1951.

 Myftar Jegeni, 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët. pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi si llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951.

 Manush Peshkëpia, 39 vjeç, poet, patriot, me origjinë nga Gjirokastra, u lind në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj.

Reiz Selfo, u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera.

 Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet ‘20-‘40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtuesve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut.

Zyhdi Herri, 30 vjeç. U lind në Tiranë. Studioi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” në Tiranë. Më pas e priste pushkatimi pa gjyq, e pa faj.

Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet ‘40 studioi për Farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. U pushkatua si “terrorist”, pa gjyq.

Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH.

Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit, zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940, arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, duhej pushkatuar!

Pandeli Nova, 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944, u mor me tregti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare.

Thoma Katundi, Më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! U lind në Katund të Korçës. Ish-“Vatran” në SHBA.

Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish-pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i legatës franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste. Pa prova konkrete për dënimin me vdekje pa gjyq.

Ali Qorraliu, 61 vjeç. U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës, ka përkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist. U arrestua si “terrorist” dhe u pushkatua pa gjyq.

Fadil Dizdari, me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. U arrestua dhe u pushkatua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit Popullor”.

Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”. U pushkatua i dyshuar, pa gjyq.

Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike. U arrestua dhe u pushkatua pa gjyq.