Si e solli Jugosllavia Ahmet Zogun në fron

Si e solli Jugosllavia Ahmet Zogun në fron

Nga Fatos Daci*

Jo rrallë herë rrëzimi në qershor 1924 i Ahmet Zogut nga posti i kryeministrit, largimi i tij në Jugosllavi dhe kthimi në Tiranë në dhjetor 1924, komentohen e trajtohen emocionalisht e politikisht. Por, cila është e vërteta? Cilat ishin ngjarjet që çuan në rrëzimin e tij? Kush e vrau Avni Rustemin? Kur dhe me kë u largua Ahmet Zogu nga Tirana? Ku u strehua dhe me kë u takua? Sa ishte i interesuar Beogradi për të dhe kur e mori nga Dibra e Madhe? Cili ishte aktiviteti i tij në Beograd dhe cila ishte mbikëqyrja e Beogradit mbi të? Kush ishin dibranët dhe lumjanët që u angazhuan për rikthimin e Zogut? Si u zhvilluan luftimet në Dibër, kur ai u rikthye në Shqipëri? etj.

Pa dyshim, Ahmet Zogu është ndër politikanët shqiptar më me shumë emër, shumë i zhdërvjelltë, i pa lexueshëm, politikan dhelpërak, asnjëherë i drejtpërdrejt, konjuktural tipik, njohës i thellë i mentalitetit shqiptar, arkitekt i përkryer i aleancave me shtetet e tjera. Ndërkohë, për të qeverisur dhe për të mbijetuar, ai ndërtoi aleanca e blloqe bashkëpunimi dhe mes shqiptarëve për luftë dhe paqe.

Edhe pse Elez Isufi me Reç e Dardhë e rrezikoi Ahmet Zogun, kur ishte ministër i Brendshëm me grushtin e shtetit të dështuar të 1922-shit, Dibra qe gjithnjë, edhe kur u rikthye nga Jugosllavia, në krah të Ahmet Zogut, sepse me të ishin rreshtuar pjesa më e madhe parisë dibrane. Me Ahmet Zogun qenë rreshtuar “tigrat” e Dibrës, si: Dine Hoxha, Murat Kaloshi, Tafë Kaziu, Sulë Shehu e shehlerët e Peshkopisë, Demet e Homeshit, Nasufet e Maqellarës- Fiqiri e Dilaver Dine, Abdurrahman Dibra e të gjithë Shatket e tjerë me rëndësi, shehlerët e Bulqizës etj.

Kur Ahmet Zogu u dëbua nga Revolucioni i Qershorit 1924, ai u arratis në drejtim të Dibrës për të kaluar në ish-Jugosllavi. Me këtë rast, ai, qëndroi rreth 15 ditë e net te Dema në Homesh, deri sa iu krijuan mundësitë që të kalonte në Jugosllavi. Në kthim, ai, pati mbështetje të madhe nga dibranët dhe disa lumjanë dhe një natë bujti të Sheh Besimi në Peshkopi. Atë natë Sheh Besimit i lindi një djalë dhe në respekt të Zogut, djalit ia vuri emrin Ahmet.

Viti 1924 ishte viti më i trazuar e më pak fatlum për Ahmet Zogun. Një seri ngjarjesh ndodhën deri në rrëzimin e tij nga kolltuku. Ngjarje vendimtare, që shënuan kthesa të forta në zhvillimet politike në Shqipëri, ndodhën atë vit.

Më 23 shkurt 1924, nga djaloshi ekstravagant matjan Beqir Valteri, anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, që drejtohej nga Avni Rustemi, u krye atentati ndaj Ahmet Zogut, kryeministër i Shqipërisë, i cili përfundoi vetëm me plagosjen e tij.

Mbasi Zogu, me anë të një marrëveshje ndërshtetërore, i dha Serbisë Vermoshin e Shën Naumin, u rritën tensionet politike në vend. Në Pogradec, më 14 mars 1924, ora 2 pas dite, populli i Pogradecit e i rretheve protestoi dhe kundërshtoi copëtimin e Shqipërisë. Nga mitingu, telegrafisht u njoftuan edhe Konferenca e Ambasadorëve dhe Lidhja e Kombeve. Mitingje të tilla u mbajtën edhe në Shkodër, Berat, Krujë etj.

 Më 20 prill 1924, ora dhjetë e gjysmë pas dreke, kur po shëtiste bashkë me Hoxha Kadrinë e Mid’hat Delinë, te varrezat e Pashës, afër furrës së bukës së Kukuleshit, u plagos me nagant Avni Rustemi nga Jusuf Reçi i ndihmuar nga Xhemal Herri dhe polici Mustafa Kosova. Edhe Avniu, i mbështetur pas murit dhe i plagosur ka shti katër herë mbi guximtarin. Më 22 prill, ditën e martë, ora 2 e 20 minuta pas mesnate, Avni Rustemi ndërroi jetë.

Menjëherë pas këtyre ngjarjeve tronditëse, Fan Noli me Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe Elez Isufin nisën aksionet konkrete për rrëzimin e qeverisë Ahmet Zogut, edhe pse partia e tij kishte fituar zgjedhjet. Rrëzimi i Ahmet Zogut u realizua, pothuajse, brenda muajit nga vrasja e Avni Rustemit. Edhe pse më 1 qershor 1924 Ahmet Zogu ndërroi kabinetin qeveritar e kryeministër u bë Iljaz Vrioni, nuk arriti ta kthente situatën në favor të vetë. Prandaj, më 17 maj Ahmet Zogu dha urdhër të krijohej një fuqi e madhe ushtarake rezervë nga prefekturat e Dibrës, Durrësit dhe Elbasanit.

Më 4 qershor, Zogu dërgoi familjen e vet me Krosin e Xhelalin (deputet i Dibrës) në Mat. Pastaj, të gjithë bashkëpunëtorët e tij morën anijet dhe u nisën drejt Italisë. Për në Durrës, për në Itali ikën: Shefqet Vërlaci, Eshref Frashëri dhe Syrja Pojani. Seid Toptani, Qemal Vrioni me Refik Topin i paguan 80 napolona një barke e shkuan në Itali. Në vapor hipën edhe Hafiz Xhemali, Hafiz Ismeti, Izet Dibra, Rauf Fico, Jusuf Gjilani. Më 8 qershor ikën dhe Xhafer Ypi, Iljaz Vrioni, Banush Hamdiu, Ferid Vokopola, Ali Derhemi. Ditën e hënë, më 9 qershor, ikën nga Tirana edhe Osman Gazepi, Selahudin Blloshmi, Hysref Frashëri e Xhemal Aranitasi. Më 10 qershor, populli njoftoi shporrjen e Ahmet Zogut nga froni i Shqipërisë. Më 17 qershor Fan Noli krijoi kabinetin e tij me 6 ministra. Ministrin e Arsimit nuk arriti ta caktonte atë ditë. Më 19 qershor 1924 Fan Noli paraqiti programin e qeverisë së tij.

Më 11 qershor 1924, njoftohet se, më 9 qershor të atij viti, Ahmet Zogu shkoi në Mat me një fuqi prej 200 vetash me Dervishoviqin, kapiten Llesh Topallajn, toger Qani Maqllarin, toger Hysni Demën,kapiten Shefki Shatkun e tregtar Hysen Keçin. Pastaj, nga Mati hyri në Bulqizë, arriti në Zerqan, ku bëri një pushim dhe mbërriti në Homesh të Grykës së Vogël. Në Homesh u prit nga Selim Noka, Sulë Shehu, Shaqir Dema, Dine Dema, Dine Maqellara etj. Aty, në Homesh, Ahmet zogu qëndroi disa ditë. Më 24 qershor, njoftohet se, Ahmet Zogu, kapërceu kufirin e doli në Dibër të Madhe, në Jugosllavi. Pastaj, njoftohet se Zogu, me 4 -5 oficerë madhorë ka arritur në Beograd. Prej andej mendohet se do të niset për në Vjenë, ndërsa oficerët që e shoqëronin mendohej se do të shkonin në Itali. Lajmet e kohës bëjnë të ditur se njerëzit që shoqëronin ishin çarmatosur në Dibër të Madhe…..

Kronikat e kohës lajmërojnë se më 10 korrik 1924 të gjithë besnikët e Zogut në Dibër të Madhe janë armatosur nga qeveria jugosllave. “Më 10 korrik të gjithë besnikët e Zogut, që janë në qytet të Dibrës Madhe, janë armatos prej qeverisë serbe, sipas një urdhri të ardhur me telegraf nga Beogradi”.-shkruhet në një dokument të kohës. Të tjerë burra të njohur, me veprimtari të spikatur politike e autoritar u vunë në lëvizje për t’i siguruar mbështetje në popull Ahmet Zogut e për të siguruar forca që të vihen në gatishmëri për ta ndihmuar atë, në momentin më të parë e të volitshëm.

Kështu, Uk Lukaj shpërndanë para e bën propagandë në Shkodër në emër të Zogut. Muharrem Bajraktari nga Luma shkoi për të marrë masa në Prizren. Tafë Kaziu nga Selishta e Fiqiri Dine nga Maqellara shkuan për të marrë masa në Dibër të Madhe. …Tafë Kaziu nga Selishta shkoi në Beograd për të takuar Zogun e për të marrë rrogën e vet. Zogu dha për besnikët e tij, të cilët ndodheshin në Dibër të Madhe 8000 dinar.

Ndërkohë, më 27 Qershor 1924, Zogu bashkë me dhjetë oficerë arriti në Beograd dhe zbriti te hotel “Bristol”, ku qeveria jugosllave i kishte përgatitur dhomat. Në stacion të trenit kishin dalë për ta pritur dy nëpunës të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Oficerët që e shoqëronin Zogun ishin: Osman Gazepi, Gjon Fusha, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, Bahri Begolli, Hysni Dema, major Giratoli, Ferid Dervishoviq, Ceno Beg Kryeziu (civil).

Ahmet Zogu, në Beograd krijoi një personel zyrtar: Bahri Begolli ishte adjutant i tij, Ceno Begu ishte sekretar dhe major Girodeli ishte dragoman.  Qeveria e Beogradit kishte vënë në dispozicion të Zogut një automobil…. Gjatë qëndrimit në Beograd A.Zogu është takuar me Pashiqin, kryeministër i Jugosllavisë…. Kohën tjetër, ma tepër shkonte në hotel, ku bënte vizita. Ai deshi të kalonte nga hotel “Bristol” në hotel “Palace”, por M.P.J. nuk e lejoj, “ndofta për të evituar një afrim të tij me legatën italiane të Traktatit Tregtar, e cila banonte në atë hotel”. Pra, serbët i evituan çdo kontakt tjetër, ai është nën kontroll e survejim non stop 24 orë. Pak ditë më pas, qeveria jugosllave i hoqi Zogut vërejte për deklaratat që ai ose shokët e tij kishin dhënë, të cilat shkelnin konfidencialitetin e Jugosllavisë.

Ikja e Zogut në Jugosllavi dhe qëndrimi i tij në Beograd nuk mund të kalonin pa tërheqjen e vëmendjes së medieve. Kështu, më 29 qershor 1924, Zogu dha intervistë për disa gazeta e gazetarë të Beogradit, ku tha: “ Përgënjeshtroj lajmin e një gazete, që thotë se Italia deshte të më bindte me një shumë të hollash, por nuk mund as të pohoj e as të mohoj që Italia influencoj ose jo në ngjarjet fundit në Shqipëri.”

Njëkohësisht, as që mendohej se Zogu nuk do të ishte edhe në vëmendjen dhe shënjestrën e kundërshtarëve të tij politikë. Madje, kundër tij u organizua edhe një atentat i dytë, pas atij të Tiranës. Këtë e bën të ditur fletorja e Sarajevës “Veçerne Novesti”, e cila shkruante se më 25 qershor 1924, u quajturi Muharrem Haliti nga Ipeku ka dashur t’a qëllonte Ahmet Zogun, kur ai doli nga hoteli.

Në 21 nëntor 1924 njoftohet se Ahmet Zogu udhëtoi për në Francë bashkë me 4 oficerë pranë tij.

 Më 2 dhjetor 1924,njoftohet se Ahmet Zogu gjendej në Davos të Zvicrës. Pak ditë më parë se Ahmet Zogu të kthehej në Dibër e në Shqipëri, Hysen (Cen) Elezi, në një letër të tij i shkruante prefektit të Dibrës se, “Sherif Tafa nga Sohodolli e Sulë Shehu, pasi ka ardhur nga Dibra e Madhe, po shpërndajnë armë e të holla”. …“ U muar vesh se Zogolli kishte ardhur për para pak kohe në Dibër të Madhe e pastaj u kthye në Belgrad…. Është gjë afër mendsh se Pasiçi se paguan Zogollin që të vejë të shëtis në kabaret e Parisit…”

…”U muer vesh se më 12 dhjetor, Zogu, ka ardhur në Dibër të Madhe dhe ka mbledh një fuqi. Në Prizren janë 500 vetë, që më 13 dhjetor kanë kaluar kufirin dhe pas 2-3 orësh kanë mbërrit në Kukës e në Bicaj….Më 17 dhjetor në luftën që është bërë në Maqellarë Ahmetasit janë thyer dhe janë detyruar të kthehen mbrapsht e të hidhen matanë kufirit. “-shkruan një tjetër dokument i asaj kohe.

“Mbrëmë (komunikata zyrtare ka datën 17.XII.1924, d.m.th. më datë 16 dhjetor 1924) në një luftim të Maqellarë, Ahmedanistët janë thyer e janë hedhur m’atanë të kufirit, duke lënë edhe një të vdekur. Sot në mëngjes (d.m.th.17 dhjetor 1924) ka filluar lufta në Dibër e në Homesh” .

“Sot në mëngjes (17 dhjetor) ka filluar lufta në Homesh. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur në luftën në kufi me Peshkopinë. Nuk dihet as se ku ka mbërritur fuqia që hyri nga Kosova, e cila do të luftonte kundër tradhtarëve. Nga Tiranë janë nisur fuqi të reja këmbësorie me mitraloz e artileri dhe kanë mbërritur deri në Zerqan… ”Ahmet Zogu është marrë vesh me Partinë Demokratike të Davidoviçit dhe së bashku me Abdurrahim Rekën nga Dibra e me Halim bej Derrallën nga Tetova po mbledhin njerëz, që po armatosen nga autoritetet serbe.”

Ofensiva e Zogut me mbështetësit e tij filloi më 14 dhjetor 1924. Zogu hyri në Tiranë më 24 dhjetor 1924. Ai pati me vete 80 rus, të cilët ishin kundër bolshevizmit dhe që banonin në Çekosllavaki dhe që i përdori si mjeshtër të artilerisë. Ai, më 17 dhjetor, shoqërohej nga 2000 dibranë të rreshtuar pas Murat Kaloshit, Tafë Kaziut, Dine Hoxhës dhe Sulë Shehut. Forcat kundër tij ishin gjithsej 300 civilë të E.Isufit dhe 200 forca qeveritare të Ali Rizasë. Kur hyri në Tiranë forcat e Zogut u shtuan edhe gjatë rrugës dhe arritën në rreth 6000 vetë prej Dibre, Mati e Kosova, me dy topa e 6 mitraloz. Në Peshkopi u mori forcave qeveritare të Ali Rizait edhe një mitraloz e një top.

Me të hyrë në Tiranë, Ahmet Zogu rrëzoi qeverinë e Fan Nolit, e cila kishte qeverisur vetëm 6 muaj e 7 ditë dhe hipi në karrigen e kryeministrit. Pastaj u bë president i Republikës dhe në vitin 1928 u vetëshpall Mbret i Shqiptarëve.

Pra, atë e risolli në fron Jugosllavia me para dhe me armë. Ky është një fakt historik i pakontestueshëm, ashtu si janë të pakontestueshme dhe përpjekjet e tij për t’u shkëputur nga varësia Jugosllave e për t’u afruare lidhur me Italinë, me të cilën, fillimisht, nënshkroi traktatin miqësisë dhe pastaj dhe bashkëpunimit e të ndihmës, deri sa edhe italianët bënë të gjitha përpjekjet politike, ekonomike dhe ushtarake për të rrëzuar, ashtu si dhe e rrëzuan me pushtimin e Shqipërisë, më 7 prill 1939.

*Historian e publicist. Anëtar i Përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve