Tragjedia e 26 nëntorit, Prokuroria nis hetimet në Durrës dhe Tiranë

Në rang kombëtar janë 131 banesa të shembura dhe rreth 7900 banesa dhe pallate të dëmtuara. Pallate dhe banesa të dëmtuara lehtë janë rreth 3500. Numri i banorëve të mbetur pa strehë llogaritet mbi 6 mijë. Dëmi mund të jetë më i madh pas inspektimit të gjithë territorit në qarqet e prekura nga tërmeti

Institucionet e qeverisë kanë publikuar dje të dhënat e para paraprake mbi përmasat e dëmeve që ka lënë pas tërmeti i 26 nëntorit. Vlerësimet që kanë kryer inxhinierët shqiptarë dhe të huaj flasin në zonat e prekura në Durrës, Tiranë dhe Lezhë flasin për dëme kolosale. Në rang kombëtar janë 131 banesa të shembura, 3811 banesa të dëmtuara rëndë, 641 pallate të dëmtuar rëndë dhe 20 pallate të pabanueshëm. Pallate dhe banesa të dëmtuara lehtë janë rreth 3500. Numri i banorëve që kanë humbur ose u janë dëmtuar rëndë banesat llogaritet rreth 6 mijë. Dëmi mund të jetë më i madh pas inspektimit të gjithë territorit në qarqet e prekur nga tërmeti. Shifrat që u publikuan dje nga zyra Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore janë raporti i parë serioz mbi dëmet kolosale materiale që la tërmeti që shkaktoi 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur.

Edhe pse me vonesë një javë pas tërmetit, tashmë qeveria ka në dorë një hartë paraprake se ku janë zonat më të prekura dhe çfarë mund të bëhet për normalizimin e situatës. Në këtë tragjedi të përmasave kombëtare ka pafund probleme në funksionimin e strukturave shtetërore. Gjithashtu ka përgjegjësi dhe shkelje ligjore të institucioneve që kanë toleruar situatën me ndërtimet, e cila solli dhe pasojat që po shohim. Por këto ditë qeverisë i duhet njohur merita që po bënë çdo përpjekje për menaxhimin e situatës. Është një krizë dhe tragjedi me të cilën Shqipëria nuk është njohur më parë që prej vitit 1979. Nuk ka përvojë në administrimin e situatave të tilla dhe rimëkëmbja kërkon shumë investime, para energji, por edhe specialistë që të mund të shmangin katrahurën pas tërmetit. Gjatë kësaj kohe ka dhe gabime, veprime të nxituara dhe teprim të qeverisë, të cilat në një situatë tjetër do të kishin reagime shumë të forta në opinion. Por jemi në situatën e fatkeqësisë natyrore në tre qarqet kryesore të vendit, ku jeton më shumë se 70% e popullsisë dhe emergjente është zgjidhje e krizës. Ata që janë pa banesa duhet të gjendet një mënyrë sesi të mos e kalojnë dimrin jashtë dhe ata që janë me objekte të dëmtuara duhen siguruar nëse objektet janë të qëndrueshme ose jo. Ndërkohë veç menaxhimit të situatës dy ditët e fundit janë parë dhe lëvizjet e para serioze për të nxjerrë përgjegjësi për tragjedinë që ndodhi. Tërmeti nuk mund të parashikohej, por dëmet në banesa tregojnë se në shumë raste gjithçka ka ndodhur si pasojë e ndërtimit të keq.  Prokuroritë e Tiranë dhe Durrësit kanë nisur hetimet lidhur me ndërtesat e dëmtuara për të nxjerrë përgjegjësitë e kompanive ndërtuese, projektuesve dhe institucionet që u kanë dhënë hipotekën banesave që nuk kanë asnjë kusht sigurie. Veprat penale për të cilat po hetohen janë “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm”, dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”. Prokurorët kanë kërkuar informacion nga bashkitë për të marrë listën banesave të prekura dhe lejet e ndërtimeve që janë dhënë për secilin rast. Ndërkohë në Durrës, shkak kryesor i banesave të shembura është moszbatimi i kodeve të ndërtimit nga inxhinierët dhe personat përgjegjës zyrtarë shtetëror apo subjekteve private. Hetimet për tragjedinë e shkaktuar nga ndërtesat jashtë standardeve teknike do të kërkojnë kohë dhe analiza të veçanta për çdo objekt. Procesi për masakrën urbane që ka ndodhur në Durrësit dhe në Tiranë është një detyrim ndaj viktimave që humbën jetën, por edhe një mësim për gjithë abuzuesit e tjerë. Pas 26 nëntorit shumë gjëra duhet të ndryshojnë në këtë vend dhe dhënia e përgjegjësive për masakrën urbane është një domosdoshmëri. Ndërkohë kriza emergjente është zgjidhja e problemeve që kanë sot mijëra banorë pa shtëpi dhe kontrolli e riparimi i objekteve që janë prekur rëndë nga tërmeti.