Sot 100 vite nga vdekja e piktorit

Pierre-Auguste Renoir, poeti i flakërimtë i penelit të ngjyrave të gjalla, shprehia depërtuese e bukurisë që e deh

Pierre-Auguste Renoir u lind më 25 shkurt 1841 dhe vdiq më 3 dhjetor 1919. Ai ishte një nga eksponentët kryesor të në zhvillimin e stilit Impresionist në pikturë. Ai ishte padyshim një artist me potencial të jashtëzakonshëm ekspresive dhe teknike. Pierre-Auguste Renoir u njoh si “piktori i feminilitetit”. Këtë nofkë ai e mori për realizimin e tij të pashembullt të figurave femërore, të portretizuara me një force përshkuese ndjesish. Pranohet si pararendës i veprave të Signac, Braque dhe i njëjtshmërisë shprehëse estetike me Cezane. Studimet për aktivitetin e tij krijues kanë pikasur elementë domethënës dhe specifik, të cilat kanë shërbyer si bazament i hedhjes së bazave të rrymave të reja artistike, përfshi abstaksionizmin.
Ndërsa punonte krah për krah me Monet, piktura e Renoir ka karakteristika që e veçojnë atë nga miku i tij. Lëndët e paraqitura janë kryesisht identike, por tonet kromatike të Renoir janë më të ndritshme dhe madje edhe më tërheqëse emocionalisht. Piktori lejon që vetvetiu të tërhiqet plotësisht dhe pa asnjë kufizim nga emocioni që një subjekt ngjall tek ai.
Punimet e këtij poeti të flakërimtë dhe veçanërisht të ndjeshëm ndaj bukurisë që e rrethon, janë shpërfaqur në paraqitjen e peizazheve natyrore dhe urbane, të populluara nga njerëz të thjeshtë, me prekje të gjalla ngjyrash që mbështjellin personazhet në një atmosferë dinamike dhe qëllimisht të paqarta në detaje. Delikatesia e tij e mendjes e çon atë të kapë emocionet e ndjera gjatë vëzhgimit të fytyrës së ëmbël të një fëmije, qetësinë e një rryme, atmosferën e gjallë të një feste vallëzimi dhe gjithashtu thjeshtësinë e gëzueshme të një jete të qetë.
Ashtu si bashkëkohësit e tjerë të tij impresionistë, Renoir kundërshton subjektet mitologjike ose fetare. Interesimi i tij është të “befasojë” botën përreth tij duke alternuar peizazhet natyrore dhe urbane dhe duke dhënë kështu një imazh artistik të Parisit të asaj periudhe, jo vetëm kryeqytetin e kulturës dhe artit, por edhe qytetin e argëtimit dhe të kënaqësisë. Grupet dhe çiftet e vallëzimit shfaqen në shumë prej pikturave të tij, si dhe në disa skena të jetës së përditshme që përfshijnë njerëz të thjeshtë.
Renoir ka aftësinë për të bërë përshtypje për harenë që kaplon jetën e tij dhe, falë kësaj teknike, në pikturat që ai ka realizuar ne perceptojmë një moment të shkujdesur të miksuar me gëzim që i bën veprat e tij të tejmbushura nga harenë e gjallë dhe përfshirëse të jetës. Përmes fuqisë së dritëhijes që pahin format e kompozicioneve të tij, ai arrin të pavdekësojë ato momente qetësie dhe paqeje që ne të gjithë kërkojmë vazhdimisht, por që jo gjithmonë arrijmë t’i kuptojmë apo ta mëvetësojmë.
Shkathtësia e tij në zhanrin e portretistëve, i dha atij shumë shpejt një reputacion të madh, të shoqëruar nga një kërkesë për komisione që më në fund ia dolën t’i japin artistit një qetësi të denjë ekonomike.
Në periudhën e fundit të jetës, akoma peizazhet që ai pikturoi marrin një magjepsje të veçantë sepse ato janë krejtësisht të ndryshme nga Impresionizmi, kahje artkrijuese prejnga ai ka marrë dhe ruan vepruese dhe të gjallë guximin e ngjyrave. Asokohe kur e konsideron të tejkaluar këtë qasje, ai arrin një stil më abstrakt duke dëshmuar kështu kompleksitetin e kësaj tendence.
Një Renoir disi i pazakontë shfaqet sakoha, për të cilin flitet pak dhe që braktis sipërfaqet e buta dhe me shkëlqim të banjave, duke parashikuar atë që është konsideruar pararendësi i Kubizmit. Nëse e vëzhgojmë me kujdes punën e tij të kësaj ndërkohje, kuptojmë se është vetëm ngjyra që përbën figurën e portretizuar, gjithçka tjetër është e patrajtuar ose shtriqet ashtu e avullt dhe pa shprehi. Renoir gjithashtu kontribuoi në artin modern dhjetë vjet para Cezann-it revolucionar.
Që nga viti 1912, gjendjet shëndetësore të Renoir është përkeqësuar dhe dhimbjet reumatizmale theksohen, duke e detyruar atë të qëndrojë gozhduar në një karrige. Artriti reumatoid gjithashtu deformon duart, por Renoir vazhdon të pikturojë duke e lidhur furçën e tij në dore, sepse duart e tij, tani plot plagë, janë fashuar për të parandaluar acarimin e mëtejshëm. Imagjinojeni se çfarë arrin të bëjë pasioni, piktura, arti, ajo forcë që shkulmon nga thellë për të sfiduar sëmundjen me mjete dhe mënyra të paimagjinueshme, por reaguese. Ky ishte Renoir. Ky ishte shpirti i tij i paepur krijues. Kjo ishte fushëbeteja ku ai po luftonte me thonj e me dhëmbë.
Këmbëngulja në pikturë deri në ditët e fundit të jetës së tij e bëri figurën e tij legjendare midis bashkëkohësve. Kemi ngelur me piktura me bukuri dhe elegancë të rrallë, në të cilën pala njerëzore e Renoir gjithnjë shfaqet qartë, siç shfaqet në një nga veprat e tij më të famshme, që i përkasin periudhës Impressioniste, ” Ballo al Moulin de la Galette ” (1876). Me këtë pikturë energjike dhe jetësore, Georges Rivière, një mik i piktorit, përcakton” një faqe të historisë, një monument të çmuar të jetës pariziane, të përshkruar me saktësi të rreptë” , përfundoj haraçin tim të vogël për këtë artist të jashtëzakonshëm dhe të ndërlikuar që ka arritur përmes penelit dhe ngjyrave, tematikes dhe trajtimit estetik të transmetojë dashurinë e tij të pafund për jetën.

Albert Vataj