Sizmologu: Në Tiranë trualli është i qëndrueshëm, goditja e tërmetit vjen 1.5 herë më e ulët

Sizmologu Rrapo Ormeni shpjegoi dje përse tërmeti i 26 nëntorit ishte më i frikshmi megjithëse ai nuk është më i forti i regjistruar në Shqipëri.

“Tërmeti më i fortë i regjistruar është ai i vitit 1979. Ky tani ishte më i frikshmi sepse ne që jemi sizmologë e mendojmë që zgjatja do të jetë 5, 15 apo 20 sekonda. Unë prisja të mbaronte kurse ai vazhdonte. Ishte shumë i gjatë jashtë tipikes. Zgjatshmëria vjen nga thellësia dhe nga madhësia e thyerjes. Sa më i thellë është aq më i gjatë është”,- tha Rrapo në emisionin Opinion.

Ai nënvizoi se tërmeti bëhet më shkatërrimtar edhe në varësi të truallit dhe se në zonën e Kënetës në Durrës sipas studimeve nuk duhej ndërtuar.

“Dëmtime më të mëdha në toka të buta të ngopura me ujë. Studimi mikrozonik thotë se në zonën e kënetës në Durrës nuk duhet ndërtuar.”

“Në Tiranë”, tha Ormeni, “nuk ka arsye të ketë panik pasi është 35 kilometra, këtu vjen 1.5 herë më i ulët. Tirana ka truall më të qëndrueshëm. Magnituda e niveleve maksimale në Tiranë është e vogël”.