Sizmologët për tërmetin: E keqja kaloi, mësohuni me pasgoditjet për disa muaj

Qetësohuni se më e keqja ka kaluar! Apeli vjen nga sizmologët, të cilët monitorojnë çdo lëkundje të tokës që regjistrohet në kohë reale në Institutin e Gjeoshkencave.

“Presim që tërmeti i fortë të mos përsëritet. Prandaj nuk duhet të ketë shumë panik. Njerëzit duhet të mësohen, ka qenë një eksperiencë e re për brezat e rinj, kështu që duhet t’i kthehen normalitetit”, thotë Ismail Hoxha, specialist në Institutin e Gjeoshkencave.

Sizmologët tregojnë se lëkundjet mund të zgjasin me muaj, deri sa të shkarkohet e gjithë energjia e goditjes së 26 nëntorit. “Një proces i tillë është normal, sepse kështu shkarkohet edhe energjia. Sigurisht që tërmeti ka qenë i fuqishëm, pasi janë vënë re edhe çarje në sipërfaqe të tjera. Referuar edhe ngjarjeve të tjera që kanë ndodhur, këto vazhdojnë disa muaj”.

Një javë nga tërmeti shkatërrues janë regjistruar mbi 1400 pasgoditje, një pjesë edhe me intensitet të lartë.