Plani i Bashës për emergjencën, Rama: Pika 3 është qamet, por i ftoj prapë në tryezë

Në mbledhjen e 6-të Këshillit të Ministrave, kryeministri Edi Rama, pasi shpalosi objektivin për ndërtimet e banesave të reja pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, nga ana tjetër ka komentuar edhe opozitën. Lidhur me planin prej 3 pikash të PD-së për daljen nga gjendja emergjente, përpos ironizimit të planit në fjalë, kreu i qeverisë, Edi Rama ka ftuar kryeopozitarin Lulzim Basha për të qenë pjesë e një tryeze të përbashkët.

”Oozita që pretendon të qeverisë vendin, jo vetëm nuk ka pranuar ende të ulet në tryezë për të diskutuar gjërat, ne jemi gati, e në rast se idetë e tyre janë më të mira do marrim të tyret se këtu nuk është situatë që të grindemi se kush e ka idenë më të bukur, këtu duhet te bëhet me e mira për njerëzit. Por deri tani jemi njohur me tre pika që do të qenkëshin zgjidhja dhe është një komponent i ekranit të madh të ngjarjes ku fillon dita duke qarë e vazhdon duke qeshur, e kthehet duke u pezmatuar pastaj duke buzëqeshur, gajasur e duke qarë prapë dhe këto tre pika janë absolutisht një ushqim për buzëqeshjen se nuk dua të them gajasjen se nuk dua të ndjehen keq kolegët e opozitës, por të thuash që të mblidhen 500 inxhinierë pika e parë, tani pse jo 600, pse jo 450. Pika e dytë, të bëhet identifikim i dëmeve, por po bëhet, kjo ka qenë gjëja e parë, kemi ngritur në këmbë dynjanë dhe është bërë Durrësi sikur është lagjja para OKB ku sheh të gjitha llojet e racave dhe gjuhëve. Pastaj pika e tretë është qamet, të mos financohen oligarkët, dmth vazhdon loja, dhe 150 mln që do marrin oligarkët ti marrë populli, po ca janë këto para që u dashka ti spostojmë nga këto, dmth të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë falas”.