Objektivi/Rama: Lagjet e reja të Rilindjes në zonat ku shkatërroi tërmeti

Mëngjesin e kësaj të marte, në mbledhjen e 6-të të Këshillit të Ministrave, kryeministri Edi Rama shpalosi edhe objektivin e qeverisë për zonat e prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit që i mori jetën 51 personave dhe rrënoi mijëra objekte.

Rama tha se synimi është ndërtimi i një lagjeje të re në Durrës, më e bukura pas ’90, dhe se nuk do të ketë banesa sociale si ato që jemi mësuar të shohim deri më tani.

“Po diskutojmë për disa skenarë. Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja. Objektivi im është të arrijmë në një program rindërtimi që të jetë krenari kombëtare. Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani me banesa që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë gjithë jetën që janë në shtëpitë e të varfërve. Por të ndërtojmë në Durrës një lagje koplet të re që të jetë lagjia më e bukur e Durrësit pas ’90 padiskutim. Një lagje e re nga e para”.